Berisha: Emergjenca Civile është në gatishmëri
Qeveria po ndjek nga afër situatën më të fundit të krijuar nga reshjet e shumta në zonën e Kurbinit dhe Durrësit. Zyra e shtypit e Qeverisë bën të ditur se: “Kryeministri Sali Berisha po ndjek me vëmendje situatën e krijuar në kaskadën e Drinit dhe prefekturën e Kurbinit, rrethin e Lezhës, në zonën e Porto Romanos dhe zonat e tjera të vendit si rezultat i reshjeve të mëdha të shiut, si dhe masat e ndërmarra nga ministritë dhe agjencitë e tjera, për kapërcimin e pasojave të tyre”. “Kryeministri Berisha ka porositur mbikëqyrjen e vazhdueshme të situatës në tërësi dhe funksionimin e hidrovoreve në veçanti, si dhe gatishmërinë e plotë të Emergjencës Civile për situatën e krijuar”, deklaroi zëdhënësja e Qeverisë, Juela Meçani. Reshjet e shumta të rëna në disa zona të vendit, kryesisht në veriperëndim dhe në perëndim të vendit ka krijuar probleme duke sjellë përmbytje. Disa ditë më parë ministri i Brendshëm, Lulzim Basha zhvilloi takime me prefektin e vendit të Shqipërisë, në lidhje me marrjen e masave për shkak të afrimit të sezonit të dimrit, të reshjeve.