Terri gol Mançesterit, i ati shet drogë
Protagonistë që të dy, babë e bir. Njëri në fushën e lojës ndaj Mançester Junajtid, tjetri kapet mat nga e përditshmja “News of the World” duke shitur kokainë. Xhon Terri ka shënuar dje golin e vetëm në supersfidën mes Çelsit të Karlo Ançelotit dhe Mançesterit të Aleks Fergusonit. Me këtë fitore londinezët shkojnë në +5 ndaj “Djajve të kuq” duke kryesuar të vetëm Premierligën angleze. Por pasditen e bukur të Territ do ta prishte një lajm që zuri faqet e para të gazetave në gjithë botën. 55-vjeçari Ted Terri, babai i tij është filmuar nga një gazetar i “News of the World” duke shitur drogë. Ngjarja ndodhi ne barin Chafford Hundred te Essex. Në video regjistrimet mund të shihet se si Ted ofron 3 doza kokainë në banjon e lokalit. Duke i shitur kokainën një klienti babai i Terit dëgjohet qartë se si i thotë atij: “E mirë është, e mirë është. E kam provuar”. Duke i dhënë kokainën, Ted i lutet gazetarit që blinte mallin për shefin e tij që askund të mos përmendet emri i Xhon Territ. “Çdo gjë është mes nesh. Mund t’i thuash që e ke marrë nga unë por mos i trego se kush jam. Mos i thuaj që jam i ati i Xhon Territ”. Skandali vjen vetëm disa muaj pasi nëna e Xhon Territ kishte vjedhur nga një dyqan, disa mallra me vlerë prej 800 sterlina. Videoja skandaloze e babait të kapitenit të Anglisë ka bërë xhiron e botës nëpër faqet e internetit në vetëm pak orë. Pritet që prokuroria angleze të nisë hetimet dhe Ted Territ do t’i duhet të përgjigjet para drejtësisë me akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike.