Cana, lojtari Nr.1 për kartonë në Premierligë
Leonard Karaj
Lorik Cana mban rekordin e kartonëve të verdhë në Premier League. Ai ka qenë lojtari i parë që është pezulluar për kartonë për këtë sezon.
Mesfushori i Kombëtares shqiptare ka vazhduar avazin e vjetër duke koleksionuar në vazhdimësi kartonë të verdhë. Në renditjen e futbollistëve më të ndëshkuar ai mban vendin e parë me pesë kartonë të verdhë, po aq sa edhe shoku i tij i skuadrës Majkëll Turner. Pas tyre me nga katër kartonë janë 11 futbollistë ku bie në sy Xhermain Xhinas i Totenhamit dhe Pol Skolls i Mançester Junajtid. Me nga tre kartonë të verdhë janë Gabriel Agbonlahor i Aston Vilës, Xhimi Karager i Liverpulit si dhe Karlton Kol i Uest Hamit. Për t’u theksuar është fakti s enë kampionatin anglez të futbollit detyrohesh të pezullohesh për një ndeshje pasi ke mbushur numrin 5 të kartonëve, ndërkohë që në kampionate të tjera të Evropës ky numër është kryesisht 3 kartonë për një pezullim. E megjithëse Cana vazhdon të njëjtën mënyrë loje, trajneri i tij Stiv Brus nuk ka ndërmend që ti tërheqë vëmendjen për sa më sipër. Sipas tij, kjo është pjesë e lojës së Lorikut dhe ai nuk dëshiron që t’ia ndryshojë. “Cana adhuron të luajë në Angli pasi zhvillohet një lojë përgjithësisht burrërore dhe fizike. Nuk dua ti heq asgjë lojës së tij. Ai luan në caqet e lojës së rregullt por në shumë raste janë arbitra që e kanë bërë zakon t’i nxjerrin menjëherë kartonin. Ai luan me gjithë shpirt në fushën e lojës dhe kjo ka qenë një nga arsyet se përse unë e bëra menjëherë kapiten të kësaj skuadre”, ka pohuar trajneri i Sanderlendit. Më tej Stiv Brus rikthehet tek e shkuara e Lorik Canës, teksa kujton dyluftimet e tija me kapitenin e Liverpulit Stiven Zherrad në Kupën e Kampioneve në përballjet Marsejë-Liverpul. “Do të më pëlqente tani të shikoja edhe një herë atë takim. Zherard vuajti aq shumë sa në fund të takimit tha se Loriku e meritonte të ishte kapiteni i asaj skuadre. Didier Deshamp la të largohet Lorikun për 6 milionë euro duke blerë për 11 të tjera Stefane Mbia nga Renë. Nuk më duket se i ka bërë mirë llogaritë. Cana është gati i pazëvendësueshëm dhe shumë shpejt do të jetë i tillë edhe tek Sanderlendi”, ka pohuar trajneri Stiv Brus.
Rekordmenët e kartonëve
1. Lorik Cana (Sunderland) 5
2. Michael Turner (Sunderland) 5
3. Stephen Carr (Birmingham) 4
4. Kevin Davies (Bolton) 4
5. Julien Faubert (West Ham) 4
6. Ricardo Fuller (Stoke City) 4
7. Jermaine Jenas (Tottenham) 4
8. Aaron Mokoena (Portsmouth) 4
9. Scott Parker (West Ham) 4
10. Paul Scholes (Man.Utd) 4
11. Martin Skrtel (Liverpul) 4
12. Alexandre Song (Arsenal) 4
13. Hendry Thomas (Wigan) 4
14. Agbonlahor (Aston Villa) 3
15. Phil Bardsley (Sunderland) 3
16. Gary Cahill (Bolton) 3
17. Clarke Carlisle (Burnley) 3
18. Jamie Carragher (Liverpul) 3
19. Carlton Cole (West Ham) 3
20. Sean Davis (Bolton) 3