Vllaznia i fal një pikë Skënderbeut
Leonard Karaj
Vllaznia humbet toruan dhe korçaret barazojnë në sekondat e fundit të lojës, Laç me 9 lojtarë ndal Flamurtarin në Vlorë.
Nuk ndryshon thuajse asgjë në renditjen e përgjithshme të Superligës porsa i përket fundit të saj. Flamurtari dhe Vllaznia vazhdojnë të enden në fund të renditjes duke mos bërë hapa përpara as ndaj dy debutuesve në Kategorinë Superiore. Flamurtari zhgënjeu në Vlorë teksa nuk ka mundur të shkojë më shumë se një barazim 0-0. Për më tepër që miqtë luajtën për shumë minuta edhe me 9 lojtarë pas daljes me kartonë të kuq të Mustafarajt dhe Brahjas.
Laçianët kanë luajtur një ndeshje gati heroike në qytetin bregdetar, duke e mbrojtur të paprekur portën e tyre, me në krye Llanin. Plot 30 minuta në fund të lojës, kurbinasit kanë luajtur me dy lojtarë më pak se vendasit. Pavarësisht këtij fakti, Flamurtari nuk ka dalë dot te goli, pasi porta e Laçit ka qenë e paarritshme për kuqezinjtë e Vlorës. Një postbllok për t’u admiruar i kurbinasve, në gjysmëfushën e tyre, që ka ruajtur të bardhë rezultatin e kësaj ndeshjeje. Një Flamurtar, të cilit i mungon fantazia, i mungon kontakti me golin, një skuadër apatike që kërkon me ngulm rezultat por pa një koordinim të mirë të lojtarëve në fushën e lojës. Nga ana tjetër Laçi ka treguar se ka një skuadër të mirë që meriton, të paktën për aq sa ka shprehur deri tani në 10 javë kampionat, qëndrimin mes më të mirëve të Kategorisë Superiore. Java e 11-të që mbyll edhe fazën e parë do të vërë përballë Laçit, Tiranën kampione ndërsa Flamurtari do të udhëtojë për në Krujë ndaj Kastriotit.
Ndërkaq në Korçë Vllaznia ka pasur në dorë fitoren e parë në transfertë. Pas goli të Balajt të shënuar në fillim të pjesës së dytë shkodranët i kishin të gjitha mundësitë që të merrnin tre pikë të plota ndaj “ujqërve të dëborës” por goli i Lakos në sekondat e fundit të takimit zhvlerësoi gjithçka të mirë që pati bërë skuadra e Roland Luçit në këtë takim. Vlen për t’u përmendur një rast mjaft i pastër i Bekim Balajt, ballë për ballë me portierin kroat të Skënderbeut, Tomasiç në mesin e pjesës së dytë që do të vuloste tre pikëshin shkodran. Por talenti i Vllaznisë, i hipnotizuar nga gardiani bardhekuq, nuk arriti të shënonte. Ndërkohë java e 11-të do të vërë një tjetër skuadër juglindore përballë shkodranëve, Gramozin e Agim Canajt. Tekniku do të rikthehet në “Loro Boriçi”, aty ku drejtoi për disa javë sezonin e kaluar. Ndërsa Skënderbeu i Gert Haxhiut do të ketë një transfertë të vështirë në Peqin ndaj skuadrës së Shkumbinit. Java e 10-të e Superligës mbyllet sot me takimin që do luhet në Kavajë, Besa-Dinamo.