E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lalaj: Si u ngrit Muri i Berlinit e ç’qëndrim mbajti Shqipëria

 

Alma Mile

Mbushen plot 20 vjet që nga rënia e Murit të Berlinit, një prej ngjarjeve më të mëdha të shekullit të kaluar, që shënoi një ndryshim rrënjësor në gjeopolitikën evropiane. Historiania prof. dr. Ana Lalaj tregon si u ngrit dhe si ra Muri i Berlinit. Cilat ishin qëndrimet e superfuqive aso kohe, cili ishte roli i Bashkimit Sovjetik dhe Amerikës, i Kenedit e më tej Gorbaçovit. Po Shqipëria si e shihte këtë nismë dhe cili ishte qëndrimi që mbajti pas rënies së tij.Sot mbushen 20 vjet nga rënia e Murit të Berlinit. A mund të na thoni diçka për historikun e ngritjes së tij?
Konferenca ndërkombëtare e Potsdamit e mbajtur në fund të Luftës Dytë Botërore, më 17 korrik deri më 2 gusht 1945, e ndau Gjermaninë në 4 zona, secila e pushtuar nga trupat e SHBA, Britanisë së Madhe, Francës dhe Bashkimit Sovjetik. E njëjta gjë u bë edhe me kryeqytetin e Gjermanisë, Berlinin, i cili ndodhej në zonën sovjetike të pushtimit. Por fryma bashkëpunuese e Luftës nuk vazhdoi gjatë ndërmjet Aleatëve. Gjermania u kthye në një nga çështjet kryesore të mosmarrëveshjeve ndërmjet tyre. Megjithëse zhvillimi i ngjarjeve duhej të çonte në një bashkim të Gjermanisë, kjo e fundit u kthye në fushë përplasjesh ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, demokracisë dhe komunizmit. Në shtator 1949, tri zonat e okupuara nga SHBA, Britania e Madhe dhe Franca u kombinuan dhe formuan Gjermaninë Perëndimore (Republika Federative e Gjermanisë-RFGJ). Në tetor 1949, zona e pushtuar nga BS krijoi Gjermaninë Lindore (Republika Demokratike Gjermane-RDGJ). E njëjta ndarje u bë edhe në Berlin. Vendimet e Konferencës së Potsdamit për krijimin e qytetit të lirë të Berlinit dhe për nënshkrimin e Traktatit të Paqes me Gjermaninë nga të gjithë vendet ndërluftuese të Luftës Dytë Botërore mbetën në letër. Në Berlinin Lindor, rojet policore ndërmjet Berlinit Perëndimor dhe atij Lindor ishin vendosur që në vitin 1953. Për këtë, sekretari i KQ Partisë Socialiste të Bashkuar Gjermane, Ulbricht, kishte marrë dhe pëlqimin e Stalinit. Por qyteti i ndarë i Berlinit shumë shpejt u kthye në qytetin e kontrasteve. Gjermanolindorët mund të shihnin në pjesën perëndimore të Berlinit, vetëm disa metra larg banesave të tyre, dyqanet plot me mallra, paga më të mira, njerëz më të pasur, liri më të madhe, etj. Gjermania Federale dhe shtetet perëndimore kishin derdhur investime të shumta në Berlinin perëndimor duke e bërë atë joshës e tërheqës për gjermanolindorët. Sigurisht kjo bëhej jo pa qëllim. Berlini Perëndimor duhej të reflektonte atë çka Perëndimi kishte më të mirë. Për rrjedhojë, ngritja e pikave të kontrollit dhe vendosja e rojeve policore në to, nuk i ndaloi dot gjermanolindorët të largoheshin e të jetonin në Gjermaninë Federale. Madje, numri i të ikurve shtohej çdo ditë. Vetë ndihmësit e Krushovit bënin shaka se: “Së shpejti nuk do të mbetet askush në RDGjermane përveç Ulbrichtit dhe zonjës së tij”. 
Po kur dhe si ndodhi ngritja e Murit të Berlinit?
Në orën dy të mëngjesit, ditën e shtunë, duke u gdhirë 13 gushti i vitit 1961, ushtarët gjermanolindorë ngritën një gardh me tela me gjemba, gjatë gjithë kufirit të Berlinit Perëndimor me atë Lindor. Banorët e Berlinit Lindor u tronditën kur panë qytetin dhe veten të rrethuar e të veçuar me tela. Ata nuk mund të kalonin më në Berlinin Perëndimor për të punuar, për t’u argëtuar apo për t’u takuar me të afërmit e miqtë e tyre. Tregojnë se ata që kishin fjetur atë natë në Berlinin Lindor, mbetën aty për dekada të tëra. Rojet kishin marrë urdhër të qëllonin këdo që tentonte të kapërcente telat. Barrierat me tela me gjemba shpejt u zëvendësuan me një mur të vërtetë, që rrethonte gjithë Berlinin Perëndimor. Të gjithë pikat e kalimit nga Berlini Lindor në atë Perëndimor u bllokuan, përveç njërës. Ajo u bë e njohur si Pika e Kontrollit çarli. U mbyll kështu e çara e fundit që kishte  mbetur e hapur në “Perden e Hekurt”, të rënë midis Lindjes dhe Perëndimit pas mbarimit të LIIB.
Propozimi për ngritjen e Murit iu bë Krushovit nga Ulbrichti. Fillimisht kjo kërkesë u paraqit në një mbledhje të Këshillit Politik Konsultativ të Paktit të Varshavës, në mars 1960. Ulbrichti kërkoi të mbyllet kufiri midis Berlinit Lindor e Perëndimor me qëllim që të ndalohej eksodi. Krushovi nuk e pranoi propozimin e Ulbrichtit. Më pas kur Lufta e Ftohtë u ashpërsua Krushovi rimori në konsideratë propozimin e Ulbrichtit dhe urdhëroi Marshall Ivan Jakubovskin, komandantin e trupave sovjetike në RDGJ të punonte për planin e ndarjes së Berlinit, jo më me tela, por me mur. Siç shprehet Krushovi në kujtimet e tij, “Ulbrihti mbeti i kënaqur.... Kjo është zgjidhje! Kjo do të ndihmojë. Unë jam për këtë”, ishte shprehur ai. Plani u mbajt sekret, madje dhe nga anëtarët e Presidiumit (Byrosë Politike) në Moskë. Krushovi donte ta shpaloste atë në mbledhjen e Këshillit Politik Konsultativ të Traktatit të Varshavës më 3-5 gusht 1961. Në atë mbledhje, gjatë gjithë kohës Krushovi mbështeti Ulbrichtin dhe kritikoi drejtuesit e tjerë politikë të vendeve të Evropës Lindore për “mendësitë e ngushta nacionale” në referencë me qasjen e tyre ndaj vështirësive të shumta të RDGj. Ndërsa Ulbrichti kërkoi që traktati i Paqes të nënshkruhej pa vonesë, madje nxiti që tërë blloku socialist duhej të rrezikonte konfrontimin me SHBA për të mbrojtur Gjermaninë Lindore. Në atë mbledhje Krushovi u tregua edhe njëherë i vendosur për nënshkrimin e Traktatit të Paqes me përfaqësuesit e konfederatës gjermane po të krijohej kjo, ose me të dy shtetet gjermane ekzistuese. Në të kundërtën u shpreh ai, shtetet pjesëmarrëse në luftën kundër Gjermanisë naziste do ta nënshkruanin Traktatin e Paqes vetëm me Gjermaninë Lindore në fund të vitit 1961. Madje u hartua dhe një plan veprimi për arritjen deri te nënshkrimi i Traktatit të Paqes. Megjithatë dokumentet e deklasifikuara për mbledhjen e gushtit të Traktatit të Varshavës nuk përmendin asnjë fjalë për ngritjen e Murit. Siç duket meqë plani ishte përgatitur më parë, Krushovi synonte t’ia shiste udhëheqësve të tjerë komunistë pa cenuar asgjë në prestigjin e tij.
Fillimi i ndërtimit të murit filloi më 13 gusht 1961, por vazhdoi deri në mesin e viteve ‘80. Perëndimi u gjend i papërgatitur dhe nuk manifestoi asnjë gjest kundërshtimi. Kjo do të thoshte se plani i Krushovit pati sukses. Një muaj më vonë, më 15 shtator 1961, Ulbrichti i shkruante Krushovit: “Unë duhet të them se kundërshtari ndërmori kundërveprime shumë më të pakta nga sa pritej. Realizimi i vendimit për mbylljen e kufirit përreth Berlinit Perëndimor shkoi sipas planit. Taktika e zbatimit gradualisht të masave bëri që kundërshtarët ta kishin të vështirë të orientoheshin...Kishte rëndësi të veçantë që shtetet e Paktit të Varshavës u deklaruan unanimisht nën udhëheqjen e BS dhe mbështetën RDGjermane”. Ulbrichti dhe drejtuesit e tjerë komunistë gjermanë e konsideruan Murin një “triumf politik” dhe shpreheshin me eufori se paskëtaj “Berlini Perëndimor do të kthehej në një fshat”. Por jeta tregoi të kundërtën. Duke parë entuziazmin pa vend të udhëheqësve gjermanolindorë, Krushovi ia bëri të qartë Ulbrichtit se nuk do të mbështeste dhe toleronte asnjë provokim nga ana e RDGj kundër Berlinit Perëndimor, pasi provokime të vogla mund të tensiononin situatën dhe të kishin konsekuenca të mëdha politike dhe ushtarake. 
Nën presionin e opinionit publik dhe të këshilltarëve të tij, presidenti amerikan Kenedi, vazhdonte të investigonte nëpërmjet diplomatëve se ç’po ndodhte në Berlinin Lindor me Murin. Më 27 tetor 1961, tanket sovjetike iu afruan Pikës së Kontrollit Carli dhe nuk lejuan më hyrjen e njerëzve nga Berlini Perëndimor në Berlinin Lindor. Drejt pikës së Kontrollit u afruan tanket amerikane. Gjithë atë ditë, tanket sovjetike dhe ato amerikane, u vendosën përballë njëri-tjetrit në gatishmëri të plotë luftarake. Vetëm pas 18 orësh ata morën urdhër të tërhiqeshin njëri pas tjetrit. Bota mori frymë e lehtësuar. Ndërsa Kenedi kur u informua për rezultatin u shpreh: “Nuk është ndonjë zgjidhje e kënaqshme, por një ferr është shumë më mirë se një luftë”. Pas kësaj Muri vazhdoi të qëndrojë në Berlin dhe u bë simbol i ndarjes së Gjermanive, i ndarjes së Evropës, i ndarjes së Lindjes komuniste dhe Perëndimit demokratik. Komunistët e paraqisnin murin si një mur mbrojtës për Berlinin Lindor, kurse Perëndimi si një mur-burg. Berlini u vendos kështu në vijën e parë të Luftës së Ftohtë midis dy superfuqive dhe vendeve të blloqeve që ato krijuan.
Le të vijmë në vitin 1989. Si e konsideronin shtetet kryesore të Perëndimit të ardhmen e Gjermanisë?
Në fund të viteve ’80, SHBA ndryshuan taktikë. Ato vendosën të inkurajonin lëvizjet nga brenda për ta bërë sistemin më të hapur. Pra, SHBA ushqyen liberalizmin në Evropën Lindore deri në atë pikë sa të mos shkaktonin kryengritje që pasoheshin nga represioni i pushtetit komunist, siç kishte ndodhur në 1953 në Gjermani, ose në 1956 në Hungari, apo në 1968 në Çekosllovaki. Ata inkurajuan Solidarnostin; Gorbaçovin me Gllasnostin dhe Perestrojkën e tij që “shkatërroi” lavdinë e BS; si dhe përpjekjet e tij për të krijuar Gorbaçovë të tjerë më të vegjël në Evropën Lindore. Në këtë optikë mund të shohim dhe qëndrimin e SHBA ndaj Gjermanisë Lindore. Por për Gjermaninë ka dhe një element tjetër mjaft të rëndësishëm, ajo është një shtet më kufij jo natyralë. Prandaj sipas SHBA problemi gjerman mund të zgjidhej nga vetë dy Gjermanitë. Të paktën ky është qëndrimi zyrtar i SHBA. Ndërsa britanikët ishin për zgjidhjen e këtij problemi nëpërmjet zgjedhjeve të lira e në një të ardhme të largët. Po kështu francezët ishin për bashkimin e dy Gjermanive, por me kujdes shumë të madh e në varësi me situatat që do të zhvilloheshin e problemet që do të dilnin. Megjithatë në fund të viteve ’80, Perëndimi ishte shumë i vendosur për të nxitur përfshirjen e Gjermanisë Lindore në reforma. Kështu vetë ambasadori i RFGj në OKB, Oto Brauntigam, ka pohuar se për reformat e ndryshimet në RDGJ ngarkuam Gorbaçovin të ushtrojë influencën e tij në Berlinin Lindor. Gorbaçovi pranoi dhe shkoi vetë në Berlin me rastin e 40 vjetorit të krijimit të RDGjermane.
Atëherë cili ishte qëndrimi i Moskës ndaj ngjarjeve në Gjermaninë Lindore?
Duhet thënë se problemi gjerman ka qenë një ndër problemet kryesore të politikës së jashtme të BS gjatë Luftës së Ftohtë. Duke filluar që nga koha e Stalinit, por edhe në atë të Krushovit, mund të themi se qëndrimi i Moskës ndaj problemit gjerman e ka çuar botën disa herë në krizë ndërkombëtare. Në ngjarjet e vitit 1989, ish udhëheqësi sovjetik, M. Gorbacov ka luajtur një rol aktiv. Vetë prania e Gorbaçovit në Berlin në tetor 1989 ishte nxitje për gjermanolindorët që të kërkonin zbatimin e Perestrojkës e të Gllasnosit edhe në RDGj, ashtu si më parë në Poloni e në Hungari. Më 7 tetor 1989 ai u takua me të gjithë anëtarët e Byrosë Politike të Partisë Socialiste të Bashkuar Gjermane, ku midis të tjerash u shpreh se “Njeriu nuk duhet ta humbasë rastin për ndryshime se në të kundërtën do të dënohet nga historia...”. Gjithashtu, Gorbaçovi e ftoi sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste të Bashkuar Gjermane, Egon Krenz, në Moskë dhe u takua me të më 1 nëntor 1989. Pasi e përshëndeti për kursin e shpejtë të ndryshimeve që kishte ndërmarrë udhëheqja e re komuniste gjermano-lindore, Gorbaçovi i bëri atij një leksion të fortë demokracie, duke theksuar se “Dialogu me shoqërinë është i domosdoshëm... Për një parti drejtuese nuk ka rrugë tjetër veprimi... Udhëheqësit gjermano-lindorë nuk duhet të deziluzionohen nga problemet e shumta që ata duhet të zgjidhin..., nga zhgënjimet në jetën e përditshme... nga zhvillimi i ngjarjeve, ato ecin shumë shpejt”. Në atë takim u bisedua dhe për të ardhmen e Gjermanisë Lindore, a do të trajtohej ajo si një krijesë, si një fëmijë i BS apo do të bashkohej me Gjermaninë Federale. Janë interesante përgjigjet e Gorbaçovit lidhur me bisedat që ai kishte zhvilluar mbi këtë çështje me personalitete të lartë politikë të Perëndimit. Në takimet e kohëve të fundit me kryeministren britanike Margaret Thatcher, me Presidentin francez François Mitterrand, me kryeministrin italian Giulio Andreoti, të gjithë ata kishin shfaqur mendimin se krijimi i unitetit të dy Gjermanive në situatën aktuale ishte çështje tepër eksplozive. Vetë Zbiginiev Brzezinski, atëherë këshilltar në Këshillin e Sigurimit pranë Presidentit J. Karter, u shpreh se bashkimi i dy Gjermanive do të shkaktojë një kolaps. Sa për vetë Gorbaçovin, megjithëse ai kishte mendimin se krijimi i Gjermanisë Demokratike është rezultat i historisë, e këshilloi udhëheqësin gjermanolindor të forconte marrëdhëniet me RFGjermane. Sipas tij qëndrim i kundërt do të ishte tepër i dëmshëm. Por ai nuk harroi të vinte në dukje që BS të ishte një partner i rëndësishëm në këto marrëdhënie.
Po klasa politike e Gjermanisë Perëndimore ç’qëndrim mbante në këtë situatë?
Drejtuesit e RFGJ ishin shumë të ndërgjegjshëm për çka po ndodhte në Gjermaninë Lindore, për rolin e atyre ngjarjeve si “fillim i ndryshimeve” për gjithë Gjermaninë. Nuk duhet të harrojmë se situatën e krijuar e ndihmoi së tepërmi dhe Ostpolitika (politika më e zbutur ndaj Lindjes) e kancelarit gjermano-perëndimor Vili Brand, i cili u përpoq të krijonte një urë midis Lindjes dhe Perëndimit, kur gjatë viteve ‘70 u nënshkruan një varg marrëveshjesh midis dy Gjermanive. Edhe Honekeri, kryetari i PSBGjermane (1971) duke e kuptuar se nuk mund të kishte marrëdhënie pozitive me Perëndimin duke ashpërsuar marrëdhëniet me Bonin, ndoqi një politikë afrimi me Gjermaninë Perëndimore. Për rrjedhojë gjatë viteve 80 midis dy Gjermanive tregtia u rrit 3 herë. Ajo zhvillohej në bazë të disa parimeve të veçanta, jo si politikë e jashtme, por si politikë ndërgjermane; kështu GjP i jepte GjL kredi pa përqindje interesi, bënte presion në organizmat ekonomike të Evropës Perëndimore që të kishin preferencë për mallrat gjerman-lindore, etj. Gjatë këtyre viteve pati një komunikim njerëzor të panjohur më parë. Vetëm në vitin 1983 shkuan në GjP 5 milion gjermano-lindorë dhe anasjelltas 1.6 gjermano-perëndimorë, pa përmendur këtu bisedat telefonike, pakot e shkëmbyera etj. Gjithashtu u shtuan dhe kontaktet politike të niveleve të ndryshme. Shfrytëzoheshin shumë panairet që hapeshin në të dy vendet. Gjatë gjithë kësaj kohe qeveria RFGj e konsideronte veten përfaqësuese të kombit gjerman, ndërsa RDGj si një territor që përkohësisht ka mbetur jashtë kufijve të saj, por që dhe ajo do ta gjejë kohën dhe mjetet e duhura për të hyrë në Gj.Federale. “Ne nuk bëjmë thirrje që gjermanolindorët të vinë tek ne, por nëse ata vinë, ne i presim dhe i përkrahim”, u shprehej ambasadori gjerman në Shqipëri, Kroneck, politikëbërësve shqiptarë.
Cila ishte situata në Gjermaninë Lindore kur Krenzi u kthye në Berlin?
Megjithëse në takimin e nëntorit 1989, Gorbaçovi u shpreh se nuk ka arsye të spekulohet me të ardhmen e Gjermanisë në situatën aktuale, ngjarjet precipituan shumë shpejt për këtë çështje. Në fund të vitit 1989, ekonomia e RDGj ishte në një gjendje katastrofike. Borxhi i jashtëm kishte arritur në 26.5 bilion $ , ndërsa deficiti i eksport–importit ishte 12.1 bilion $. Borxhet e dhëna nga shtetet socialiste gjatë bllokadës së Perëndimit kishin pasur interesa shumë të larta. Populli e sidomos rinia e RDGJ shprehnin nevojën për një jetë më të mirë ekonomike, përbuzjen për udhëheqjen politike despote të Berlinit Lindor, por dhe dëshirën dhe vullnetin për bashkimin e kombit. Në vend kishin filluar demonstratat, që u shoqëruan dhe me largime masive. 10 muajt e fundit kishin shkuar në RFGj rreth 100 000 gjermanolindorë në mënyrë legale, ndërkohë që 100 000 të tjerë kaluan nëpërmjet Hungarisë, Çekosllovakisë, vende këto  që rrethoheshin nga vendet kapitaliste, ku mund të kaloje më lehtë. Vizat për në Hungari, Çekosllovaki e Poloni merreshin pa procedura burokratike dhe pa pengesa. Madje çekët kishin filluar të mos u kërkonin më gjermanolindorëve leje–dalje për të vajtur në RFGj. Akoma më tej, ambasada gjermano-lindore në Pragë kishte hapur një zyrë në stacionin hekurudhor të Pragës për të lehtësuar kalimin e gjermano-lindorëve nëpërmjet Çekosllovakisë. Sipas dokumenteve gjermane të deklasifikuara, më 6 nëntor 15 000 gjermano lindorë kishin mbërritur në Pragë, për të ikur drejt RFGj. Ata që largoheshin ishin jo vetëm punëtorë, por dhe specialistë të të gjitha fushave. Po ikte truri i GjLindore, gjë që po krijonte vështirësi në vend. Kur udhëheqësi Lindor Krenzi u kthye në Gjermani, me mësimet e Gorbaçovit për rinovimin e Gjermanisë Lindore, ikjet kishin marrë përmasat e një eksodi masiv dhe Byroja Politike e Partisë Socialiste të Bashkuar Gjermane filloi të mblidhej çdo ditë për të normalizuar situatën dhe vendosur rendin. Ministritë e ndryshme morën detyrat përkatëse. U vunë detyra për propagandën, për Sigurimin e Shtetit, dhe u hartua një Rregullore e Përkohshme për udhëtime dhe dalje të përhershme jashtë RDGjermane. Rregullorja kishte lehtësira të ndjeshme për procedurat në lëshimin e vizave për gjermano-lindorët. Kjo Rregullore do të hynte në fuqi të nesërmen, më 10 nëntor dhe do të funksiononte deri sa të dilte një Ligj i përhershëm për qarkullimin e qytetarëve. Ky njoftim u dha nëpërmjet një konference shtypi. Kuptohet që ky vendim nuk ishte i lehtë për udhëheqjen e re komuniste të RDGJermane. Por nga ana tjetër, fakti që Rregullorja ishte e përkohshme dhe nuk fliste për dalje të lirë nga Berlini Lindor por vetëm nga RDGJermane, i irritoi berlinezët. Turma të tëra u drejtuan nga Muri dhe filluan ta godasin atë. Rojet megjithëse nuk kishin marrë urdhër, i hapën dyert e postblloqeve. Kështu ra Muri i Berlinit dhe njerëzit nga të dy anët e tij hynin e dilnin në mënyrë kaotike, plot emocione dhe iluzione. Bashkë me Murin e Berlinit ra edhe simboli i ndarjes dhe i Luftës së Ftohtë. Pikërisht në këto momente dramatike Presidenti sovjetik, Gorbaçov, më 10 nëntor 1989, do t’i shkruante kancelarit të RFGjermane një telegram, ku “në emër të shpirtit të hapjes dhe të realizmit”, kërkonte që “të merreshin masa ekstremist të vendosura për të parandaluar një komplikim dhe destabilizim të situatës”. Po atë ditë, Gorbaçovi do t’i dërgonte një mesazh verbal dhe Kryeministrave të Francës-Mitterand; të Britanisë së Madhe-Thatcher dhe Presidentit amerikan-Bush, që të kontaktonin dhe udhëzonin përfaqësuesit e tyre në RFGjermane që të merrnin masa për të mos pasur destabilizim të situatës në RDGjermane, pasi në të kundërtën do të kishte pasoja në Evropën Lindore dhe më tej.  
Cili ishte reagimi i udhëheqjes shqiptare ndaj këtyre ndryshimeve që po ndodhnin në Gjermani dhe në Evropën Lindore?
Udhëheqësit shqiptarë e kuptonin situatën në Berlinin Lindor më mirë se çdo udhëheqje tjetër e vendeve të Evropës Lindore, pasi Gjermania Lindore ashtu si Shqipëria ndodhej në skaj të Bllokut komunist, gjë që do të thoshte në vijën e parë të frontit me Perëndimin. Në kuadër të Luftës së Ftohtë, kjo do të thoshte më shumë presion, më shumë shqetësime, më shumë frikë. Ngritja e Murit të Berlinit më 1961 është e ngjashme me ngritjen e Bazës Ushtarake të Vlorës në 1957. Ishin udhëheqësit komunistë shqiptarë ata që ia kërkuan Krushovit ngritjen e Bazës si bazë e Traktatit të Varshavës, megjithëse kjo kërkesë prishte ekuilibrat në Ballkan. Është kjo psikologjia e udhëheqësve komunistë të vendeve të vegjël, me alternativa zgjedhjeje dhe me mundësi të kufizuara, që mbështeten tërësisht në ndihmën e shteteve të mëdhenj, në institucionet, proceset dhe zhvillimet e tyre. Duke e identifikuar veten me fuqinë e madhe ose me koalicionin me të cilin lidhen, këta udhëheqës sigurojnë dhe jetëgjatësinë e pushtetit të tyre. Në mbledhjen e Byrosë politike, më 24 tetor 1957, E. Hoxha ishte shprehur: “Jeta jonë është e lidhur shumë ngushtë me jetën e BRSS, mbrojtja e vendit tonë është e lidhur shumë ngushtë me mbrojtjen e gjithë kampit tonë... Armatimi i raketave, nëndetëseve, kryqëzorëve etj. në Vlorë e gjatë bregdetit tonë do të tregojë përpara botës se BS do ta mbrojë Shqipërinë”. E. Hoxha i ftoi anëtarët e Byrosë Politike, për t’i kërkuar Zhukovit “që mbrojtja e vendit tonë të konsiderohet si mbrojtje e çdo pike të BRSS. Në rast se Sevastopoli është qendër e rëndësishme ushtarake për BRSS, ne mendojmë që Vlora të bëhet një kështjellë përpara Sevastopolit për të shkatërruar tentativat dhe flotën e armikut...”. Byroja Politike atëherë ishte “e tëra dakord” me propozimin e E. Hoxhës. Përsa i takon ngjarjeve të vitit 1989, konstatojmë se personalitete të politikës në RFGJ ashtu si dhe të vende të tjera të Perëndimit, shprehnin rezerva për mospjesëmarrjen e Shqipërisë në konferencat e proceset e Sigurimit Evropian apo në organizmat politikë të Bashkësisë Evropiane. Ata shpreheshin për ndryshimin e nenit 28 të Kushtetutës, pyesnin se kur Shqipëria do të bënte revolucion si në vendet e tjera të Lindjes, dhe gjithnjë e më shpesh kërkonin “Hapjen”, çka do të thoshte zgjerim të marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë, dhe madje një kontribut aktiv të saj në procesin e bashkëpunimit, mirëkuptimit ballkanik por edhe më gjerë. Udhëheqja shqiptare e asaj kohe këto arsyetime i përcaktonte si “mungesë njohje dhe azhurnimi me situatën në Shqipëri” nga ana e personave që i shprehnin. Ndërsa deklaratat e kancelarit të RFGj Kohl se: “Komunizmi e socializmi është “një sistem i dështuar jo vetëm në Evropën Lindore por kudo në botë” ose të ambasadorit amerikan në RFGj se “Socializmi është një gabim i historisë që po korrigjohet, se aktualisht po fryn një erë e fortë e lirisë dhe kush është apo del kundër saj do të përlahet e përpihet nga kjo erë”, konsideroheshin si “shantazh” jo vetëm ndaj socializmit por dhe ndaj Shqipërisë. Në muajt e fundit të vitit 1989, udhëheqja shqiptare ishte e vendosur për të vazhduar në rrugën në të cilën kishte ecur për më se gjysmë shekulli. Nga tribuna e Plenumit VIII të KQ PPSh, R. Alia theksoi se “ne ose do të ecim në këtë rrugë, e vetmja që e nxori Shqipërinë nga balta dhe e solli deri këtu...., dhe Shqipëria do të rrojë e do të zhvillohet më tej..., ose po iu ndërrua kjo rrugë, Shqipëria ka mbaruar”. Për këtë rrugë ai i fliste dhe ambasadorit gjermano-perëndimor në Shqipëri, Peter Shubert, në një takim në fillim të shtatorit 1989: “Pak a shumë kështu është dhe problemi juaj. Për mendimin tim, Gjermania Demokratike ose mbetet në këtë rrugë që është dhe do të ketë RDGJ, ose po ndryshoi rrugë, s’ka më Gjermani Demokratike. Ajo do të mbarojë. Kjo është luftë për jetë a për vdekje”. Megjithatë koha do të tregonte se problemi gjerman do të zgjidhej nga vetë populli gjerman. Ngjarjet i kaluan parashikimet e politikëbërësve dhe shembja e Murit të Berlinit u kthye në simbol të shembjes së çdo barriere jo vetëm midis dy Gjermanive, por edhe midis dy botëve, asaj komuniste dhe asaj demokratike. Në Shqipëri klasa politike e mbajti në heshtje rënien e Murit të Berlinit. Asnjë lajm dhe asnjë artikull në gazetat e kohës. Shqiptarët u njoftuan në kanale të tërthorta nga radiot dhe stacionet e huaja televizive për këtë ngjarje. Edhe kjo është një dëshmi se si Shqipëria ishte vendi i fundit që po përfshihej në vorbullën e ndryshimeve demokratike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›