Reshjet, Fierza drejt pikut
Ridvan Dibra
Reshjet e ditëve të fundit kanë rritur ndjeshëm prurjet e ujit në kaskadën e Drinit.Niveli i ujit në liqenin e Fierzës ka arritur në 284 metra, duke qenë kështu shumë afër pikës maksimale. Për të monitoruar sa më mirë situatën e krijuar, Ministria e Energjetikës ka ngritur një grup pune të posaçëm. Ndërkohë, kreu i METE-s Dritan Prifti ka deklaruar se duke parë situatën e mirë hidrike në kaskadë ka nisur eksporti i energjisë elektrike.
Situata
Niveli i ujit në liqenin e Fierzës është 284 metra, ndërsa prurjet e ujit janë mbi 600 metër kub në sekondë. Burime zyrtare shprehen se, duke parë situatën e krijuar nga reshjet e dendura, ministri Prifti ka vendosur ngritjen e një grupi të posaçëm për të monitoruar situatën e krijuar. Grupi i punës është i kryesuar nga zëvendësministri Leonard Beqiri. Po dje kreu i Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, ka zhvilluar një vizitë në hidrocentralin e Vaut të Dejës, ku ka parë nga afër gjendjen në të cilën ndodhen hidrocentralet. “Kam ardhur këtu për të monitoruar situatën, me qëllim që të jemi të përgatitur për të marrë masa në kohë, në rast të ndonjë të papriture. Janë marrë të gjitha masat dhe situata është në kontroll të plotë. Hidrocentrali i Vaut të Dejës është duke punuar me kapacitet të plotë. Të gjitha turbinat janë në punë, duke bërë që ky hidrocentral, që është edhe fundori i kaskadës së lumit Drin, të punojë me kapacitet të plotë”, është shprehur ai. Sipas ministrit ka pasur prurje rreth 600 metër kub në sekondë, por situata është brenda parametrave normalë. “Kemi dhënë porosi që importimi i energjisë elektrike të shkojë drejt zeros. Kemi kontaktuar kompanitë e huaja që gradualisht të mbyllet importi për këtë periudhë. Nga ana tjetër kemi nisur të eksportojmë energji elektrike. Sot është duke u eksportuar 2 milionë e gjysmë kilovat orë në ditë, ndërsa nesër kjo shifër do të dyfishohet. Parashikojmë që eksporti të shkojë në 5 milionë kilovat orë eksport energji elektrike”, ka deklaruar për mediat Dritan Prifti. Lidhur me bashkëpunimin me Kosovën në fushën e energjetikës, ministri Prifti është shprehur se “Me Kosovën kemi një projekt të përbashkët, aq më shumë që në Kosovë prodhimi i energjisë është termo, ndërsa tek ne prodhimi i energjisë elektrike është hidro. Ky fakt na jep mundësi për bashkëpunim. Në takimet tona do të jenë dhe projektet e përbashkëta në ndërtimin e hidrocentraleve”.