E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpëtim Duro: Sulmuesit të tregojnë veten ndaj Dinamos

 

Trajneri i Besës Shpëtim Duro pret reagimin e sulmuesve të tij ndaj Dinamos. Besa vjen në këtë ndeshje mbas humbjes së pësuar kundër Kastriotit, ndërkohë që sipas trajnerit kjo humbje nuk ka ndikuar në moralin e ekipit. “Gjendja e lojtarëve është shumë e mirë. Pavarësisht rezultateve në ndeshjen e fundit mendoj se ekipi po kalon një formë të mirë. Kemi gabuar për sa i përket pikëve ndeshjen e kaluar, por besoj se ka kaluar. Ekipi është i plotë dhe jemi të përqendruar tek ndeshja me Dinamon. Skema do të jetë e njëjtë me ndeshjet e kaluara. Mendoj se nuk kemi probleme të bëjmë ndryshime radikale pasi ekipi luan shumë mirë, prodhon lojë dhe del shumë herë përpara portës”, ka pohuar Duro në një intervistë për gazetën “Panorama”. Besa-Dinamo nuk do të jetë thjesht një sfidë për kreun e renditjes, por edhe një përballje mes sulmit më të mirë të bluve të kryeqytetit dhe mbrojtjes më të mirë të kavajasve. “Dinamo ka pas një plus pasi 10-12 gola i ka shënuar nga goditjet standarde. Ata e kanë shfrytëzuar më së miri këtë gjë. Megjithatë ajo është me meritë në vendin që ka në klasifikim. Flitet shumë për sulmin e Besës, por po e përsëris edhe një herë nuk është faji i trajnerit që sulmi nuk shënon. Përgjegjësia ime është që ekipi të prodhojë lojë, të jetë i qartë në organizim, të dalë më përpara portës, ndërsa aty nuk është trajneri ai që godet por sulmuesit. Ne i kemi dominuar të gjitha ndeshjet dhe kemi qenë lart se kundërshtarët, ndërsa përpara portës kanë sulmuesit përgjegjësi ta shtyjnë topin në rrjetë. Mendoj se ka një ngërç psikologjik tek lojtarët i cili nuk po zhbllokohet. Shpresoj të rikthehen ndaj Dinamos”, ka thënë Duro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›