E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha-Erdogan: NATO-n, për votën për Këshillin e Sigurimit

Kryeministri turk viziton Shqipërinë, takime edhe me opozitën. Fqinjët do të mbështesin njëri-tjetrin për ambicjet politike

Erald Kapri

Kryeministri i Turqisë, Rexhep Tayp Erdogan, ka ardhur dje në Shqipëri për një vizitë zyrtare dyditore, ku është takuar me personalitetet më të larta shtetërore shqiptare. Brenda tre viteve, kryeministri turk e ka vizituar dy herë vendin tonë, gjë që tregon marrëdhëniet e veçanta mes dy vendeve. Kjo u konkretizua edhe në deklaratat e djeshme politike të kryeministrit turk dhe homologut shqiptar Sali Berisha. Vendet fqinje, Shqipëria dhe Turqia, do të mbështesin njëra-tjetrën në ambicjet politike. Turqia do të mbështesë Shqipërinë për të qenë anëtare e NATO-s me të drejta të plota në një kohë sa më të shkurtër si dhe pavarësinë e Kosovës, ndërsa Shqipëria do të lobojë dhe do të japë votën që Turqia të bëhet anëtare e Këshillit të Sigurimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Gjithashtu mes vendeve u nënshkrua edhe një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e arsimit dhe shkencës.
Deklaratat
Dita e kryeministrit turk nisi me takimin me homologun Berisha ku diskutuan për një kohë të gjatë mbi problematikën e dy vendeve si dhe mbështetjet politike. Mbas nderimeve ceremoniale që u bënë për nder të kryeministrit turk, mik i shqiptarëve, kryeministrat zhvilluan një takim me dyer të mbyllura dhe më pas dhanë edhe një konferencë të përbashkët shtypi. Kryeministri Berisha mori fjalën i pari ku, krahas vënies në dukje të marrëdhënieve të veçanta mes dy vendeve, ai theksoi edhe shkëmbimet ekonomike por vuri në pah edhe mbështetjen politike që do të japë Shqipëria për ambicjet ndërkombëtare të Turqisë. Berisha theksoi edhe mbështetjen që Turqia do të japë për Shqipërinë për t’u anëtarësuar në NATO. “Turqia është një vend mik, me një kontribut shumë të çmuar në të gjitha përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësimin në NATO. Jo vetëm në kuptimin e mbështetjes së plotë politike, por Forcat e Armatosura të Turqisë u kanë dhënë një ndihmë të gjithanshme të çmuar Forcave të Armatosura të Shqipërisë në arsimim, pajisje, logjistikë dhe të gjithanshme, për t’u mundësuar atyre arritjen e standardeve të domosdoshme për anëtarësimin e vendit në NATO. Njësitë tona janë së bashku me njësitë turke në Kabul. Marrëdhëniet në fushën e drejtësisë janë po kaq të mira. Qeveria turke dhe Kryeministri Erdogan janë ndër më të parët që njohën pavarësinë e Kosovës. Delegacioni turk mbështeti fuqishëm në Senegal përfshirjen të një paragrafi për Kosovën në rezolutë. Shqipëria mbështet kandidaturën e Turqisë në Këshillin e Sigurimit”, - tha Berisha. Kryeministri turk Erdogan u shpreh se mbështet Shqipërinë në rrugën e saj euroatlantike. “Ndër të tjera, dëshiroj të ritheksoj edhe një herë vendosmërinë e Turqisë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Në Samitin e Bukureshtit, i cili do të zhvillohet në prill të këtij viti, ne do të mbështesim anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, krahas anëtarësimit të Kroacisë dhe Maqedonisë. Dëshiroj të falënderoj shumë kolegun tim, Kryeministrin Berisha, për ndihmën që do të na japë Shqipëria për anëtarësimin si kandidat i përkohshëm në Këshillin e Sigurimit në vitin 2009-2020. Përsa i përket çështjes së Kosovës, hapi që ne hodhëm qe nevojë e lidhjeve historike dhe kulturore që kemi me ta”, - tha Erdogan. Njëkohësisht mes kryeministrave u diskutua për projekte ekonomike konkrete të biznesit turk që kërkon të investojë në Shqipëri.
Vizita
Vizita e Kryeministrit turk Rexhep Tayp Erdogan filloi me takimin me homologun Berisha dhe më pas vijoi me takime të tjera. Kryeministri turk u takua me Presidentin Bamir Topi. Personalitetet biseduan mbi marrëdhëniet dypalëshe si dhe për rritjen e tyre. Kreu i shtetit vlerësoi gjithashtu edhe bashkëpunimin dhe ndihmesën e dhënë nga Turqia në fushën e mbrojtjes duke evidentuar rëndësinë e mbështetjes politike nga ana e saj për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Më pas, kryeministri turk është takuar edhe me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Topalli dhe Erdogan vlerësuan nivelin në rritje të investimeve turke në Shqipëri, nga 35 milionë në 630 milionë dollarë, krahasuar me 5 vite më parë, duke nënvizuar domosdoshmërinë e rritjes së mëtejshme jo vetëm të shkëmbimeve tregtare, por edhe në fusha të tjera si në energji, gaz, miniera, infrastrukturë, arsim, shëndetësi apo turizëm. Kryeministri turk është takuar edhe me liderin e opozitës, Edi Rama. Politikanët biseduan gjerësisht për marrëdhëniet dypalëshe si dhe zhvillimet e brendshme dhe të jashtme. Kryeministri turk është takuar edhe me kreun e Komunitetit Mysliman dhe atë Bektashi në Shqipëri.

27 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›