E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyrja e afatit për pronat, nisma rikthim në Kuvend



Ndryshimi në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave pritet të rikthehet edhe një herë në Kuvend. Bëhet fjalë për amendamentin e deputetit republikan Arian Madhi, i cili propozoi që afati i dorëzimit të dokumentacionit për njohjen e pronave të shtyhet deri në fund të vitit 2009. Shkak për shtyrjen e tij është bërë shpeshherë mungesa e kuorumit dhe ndonjëherë e vetë iniciatorit, kryetarit të Grupit Parlamentar të PR-së, Arian Madhi. Mirëpo shtyrja e projektit duket se është përkrahur nga të dyja partitë e mëdha politike, PD-PS, të cilat kanë rënë dakord për shtyrjen e saj te seanca pasardhëse. I diskutuar që në fillim, miratimi i propozimit të Madhit është shtyrë deri në pritje të nismave të reja qeveritare për çështjen e pronave. Konkretisht, në punimet parlamentare kanë hyrë për diskutim dy prej tyre, një për titujt e pronësisë dhe disa ndryshime në ligjin “Për kalimin pa shpërblim të tokës bujqësore”. Pritet që diskutimi i këtyre dy projekteve t’u japë fund debateve dhe abuzimeve mbi tokën e shpërndarë me Ligjin 7501, duke zgjidhur njëkohësisht shqetësimin e ngritur prej republikanit Madhi, me nismën e tij konkrete. Gjithsesi gjatë këtyre muajve duket se do të përshpejtohet dhe procedura e kalimit në pronësi të tokave që janë dhënë në përdorim sipas ligjeve të dala pas vitit 1993. Një hap i tillë do të cilësojë të panevojshëm miratimin e një pjese të nismës së republikanëve. Nga ana tjetër, rikthimi për diskutim i propozimeve të PR-së sjell dhe zvarritjen e mëtejshme të procesit të hapjes së një dosjeje të re me qëllim njohjen dhe kompensimin e pronës. Ky proces është bllokuar që prej tetorit të vitit të shkuar. Ndërsa Kuvendi ende nuk ka miratuar një tjetër afat dhe pse kërkesat dhe shpresat e ish-pronarëve janë të mëdha.

27 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›