Berisha: “Evituam katastrofën, shpëtuam njerëzit”
Autori i Lajmit: Redaksia
Këshilli i Ministrave ka zhvilluar dje mbledhjen e radhës, por këtë herë jo si gjithmonë në selinë e Kryeministrisë por në qytetin e Shkodrës. Kryeministri theksoi se e thirri në Shkodër mbledhjen e Qeverisë për të treguar mbështetjen maksimale për qytetarët e Shkodrës. Qeveria ka pranuar se Fierza është mbajtur në kuota maksimale që në dhjetor. Por kryeministri Berisha e ka justifikuar këtë, duke deklaruar se nëse Fierza do të ishte shkarkuar më herët, katastrofa do të kishte qenë maksimale, duke ritheksuar se reshje në sasi kaq të madhe përsëriten 1 herë në 100 vjet. Ai pranoi se dëmet janë kolosale, por ripremtoi dëmshpërblimin qindarkë për qindarkë. Operacionin e emergjencës civile e cilësoi me sukses dhe solidaritetin më të madh që pas luftës së Kosovës. Sa për socialistët dhe akuzat e tyre, si forcë kryesore e opozitës, Berisha i quajti ato dokrra.
Reagim për akuzat
Kryeministri i cilësoi si të papranueshme akuzat e opozitës se depozitoi ujë për të shitur energji me çmim më të shtrenjtë dhe ftoi PS-në dhe forcat e tjera të minorancës që “të mos i servirnin Shkodrës dokrra”. Duke folur mbi akuzat opozitare, Berisha vlerësoi se ministrat, së bashku me qeveritarët vendorë, drejtuan operacionin më të fuqishëm të shpëtimit në historinë e vendit. “Ky operacion deri tani realizoi me sukses të plotë shpëtimin e jetës së njerëzve”, - theksoi kryeministri. “Ata që duan ti servirin Shkodrës trillime dhe mashtrime, duhet ta dinë se qyteti ka një epitet për ta: “sherr budallë”. Ata që i thonë Shkodrës se qeveria e rezervoi ujin për ta shitur me çmim më të shtrenjtë në janar, ata bëjnë vetëm sherr budallën, dhe këtë thonë ata e bënte, sepse ERE rriti çmimin. Por tani unë do tu tregoj të vërtetën qytetarëve të Shkodrës. ERE rriti çmimin nga 17 lekë të vjetra në 22 lekë të vjetra, në një kohë kur në çdo orë, në çdo ditë të tetorit, të nëntorit, të dhjetorit, qeveria dhe KESH mund ta shisnin energjinë me së paku 45 lekë deri në 50 lekë të vjetra, pra u them dhe një herë: mos i servirni Shkodrës dokrra se prej saj do të keni vetëm një përgjigje: “sherr budallë”. As simitet e tyre nuk i ha Shkodra”, - tha numri një i Qeverisë.
Menaxhimi i situatës
Berisha falënderoi dje nga qyteti i Shkodrës, ku zhvilloi mbledhjen Këshilli i Ministrave, të gjitha hallkat e angazhuara në këtë operacion të rëndësishëm si pjesëtarët e forcave të armatosura shqiptare, por edhe të huaja, punonjësit e Policisë së Shtetit, punonjësit e KESH, të gjithë zyrtarët dhe drejtuesit vendorë, ministrat, deputetët, për punën e tyre të palodhur dhe përkushtimin në dhënien përgjigje situatës emergjente. Një falënderim të veçantë, kryeministri u drejtoi nga kjo mbledhje të gjithë qytetarëve të thjeshtë, të cilët pavarësisht mundësive ekonomike me bujari dhe humanizëm kontribuuan në ndihmat për zonat e përmbytura. Sipas tij, përmbytjet erdhën për shkak të reshjeve të mëdha që pati. Kryeministri i cilësoi përmbytjet si të shkallës së dytë. “Shkak i përmbytjeve kanë qenë reshjet, që u cilësuan si të shkallës së dytë. Kjo është një ngjarje që ndodh një herë në 100 vjet”, - deklaroi Berisha. Kryeministri theksoi se shërbimet prestigjioze meteorologjike ndërkombëtare e cilësuan këtë situatë të motit të fillimvitit si të shkallës së dytë, që përsëritet më rrallë se një herë në 100 vjet. Sipas tij, është hera e parë që shkarkimet nga hidrocentralet u bënë me paralajmërim. Berisha e vlerësoi menaxhimin e sistemit të digave si të shkëlqyer dhe tha se falë punës së mirë në menaxhimin e situatës së përmbytjeve, u evitua çdo humbje jete njerëzore.
Postemergjenca
Berisha kërkoi nga secila ministri hartimin e projekteve dhe planeve për postemergjencën, në mënyrë që të realizohet në një kohë sa më të shkurtër rehabilitimi i plotë i zonave të përmbytura. “Të mos harrojmë se kjo zonë nuk është shkretëtirë,- u shpreh kryeministri, - por një nga zonat më pjellore, më të pasura të tokës shqiptare, prandaj ka një rëndësi të jashtëzakonshme rehabilitimi tërësor i saj, infrastruktura, shkollat, qendrat shëndetësore, rrugët, kanalizimet dhe çdo gjë”, - tha ai.
Ky lajm është publikuar: 14/01/2010