E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dule dhe Bollano diskutojnë me grekët për të drejtat e minoritetit dhe pronat

Autori i Lajmit: RedaksiaKryetari i Partisë Bashkimi për të drejtat e Njeriut, Vangjel Dule është takuar në Athinë me kryetarin e OMONIA-s që drejton dhe Bashkinë e Himarës, Vasil Bollano. Ndërkohë Dule dhe Bollano kanë zhvilluar edhe një takim me ministrin plotësues të Jashtëm të Greqisë, Dhimitris Droucas, kryetarin e Parlamentit helen Filipo Petsalniko dhe me emra të tjerë të njohur të politikës në Athinë. Bollano dhe Dule u takuan dhe me përfaqësuesin e SIRIZA, Panajoti Trigazi i cili është pjesëtar i Komisionit të Jashtëm Parlamentar, përfaqësuesin e Çështjeve të Mbrojtjes në Parlament, Thodhoro Dritsa dhe të tjerë. Në këto takime, Dule ka informuar zyrtarët grekë për gjendjen e rënduar që e ka cilësuar si katastrofale në veriun e Shqipërisë. Ai ka falënderuar autoritetet greke për ndihmën që po japin për të përballuar situatën në Shkodër. “Shkeljet e shpeshta të të drejtave të njeriut dhe minoriteteve, çështja e pronësisë mbi trojet në bregdet konkretisht në bregdetin e Himarës, rrëmbimi i trojeve përreth shtëpive ku tradicionalisht jetojnë minoritarët grekë të Shqipërisë, janë disa nga çështjet e ngritura nga Dule dhe Bollano në takimin që realizuan me z. Droutsa”, citon NENA, një agjenci greke informative. Në takim po ashtu është folur për mospjesëmarrjen ende të opozitës në Parlament. Përfaqësuesit e minoritetit grek, kërkuan mbështetjen e Greqisë për realizimin e ëndrrës shqiptare të integrimit në Evropë ndërsa janë përqendruar dhe në pyetësorin, përgjigjet e të cilit po përgatit qeveria “Berisha”. Ndërkohë Bollano, mësohet se ka folur në takimet e Athinës mbi çështje të pronave në Lukovë, Nivicë dhe Himarë dhe përsëriti nevojën për të shfuqizuar ligjin 7501 për trojet bregdetare duke theksuar që pronarët ti drejtohen organizatave ndërkombëtare të specializuara në çështje të tilla. Ndërkohë Bollano dhe Dule janë takuar edhe me drejtues të të majtës Sinaspizmos, Vasili Melion dhe Niko Konstandopulo.

Ky lajm është publikuar: 14/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›