E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nis përgatitja e projektit për thellimin e Bunës

Autori i Lajmit: RedaksiaNis puna për përgatitjen projektit për thellimin e lumit të Bunës. Kryeministri Sali Berisha, i cili inspektoi punën për realizmin e këtij projekti, tha se shumë shpejt do të jetë gati dokumenti përfundimtar, i cili do ta kthejë Bunën në një lumë siç ka qenë shekuj më parë, i lundrueshëm. “Ky është një projekt për të cilin ne kemi rënë dakord me Malin e Zi. Sigurisht që ky thellim po bëhet me emergjencë, por ne me shpejtësi do ta hartojmë një projekt përfundimtar, të shndërrimit të saj në një lumë siç ka qenë shekuj më parë, i lundrueshëm”, - tha Berisha. Kryeministri u shpreh se realizimi i kësaj vepre do të mundësojë në radhë të parë mbrojtjen e qytetit të Shkodrës, duke bërë një evakuim më të fuqishëm të ujërave të Bunës, por nga ana tjetër do të krijojë edhe mundësinë e një prej udhëtimeve turistike më të bukura, nga brigjet e Malit të Zi, Ulqinit, Tivarit, Budvës e më tutje. Më tej Berisha është takuar dhe me banorë të shpërngulur nga përmbytja. Ai i garantoi ata se do të dëmshpërblehen qindarkë më qindarkë. “Së pari, dua tju siguroj se çdo minutë dhe çdo orë kemi qenë dhe jemi me dhimbjen tuaj. Së dyti, dua tju garantoj se çdo dëmtim, i krijuar nga ujërat, duke filluar nga lodrat e këtyre vogëlushëve, tek librat, orenditë dhe çdo gjë tjetër, deri tek të mbjellat dhe gjithçka që ju ka ndodhur, qeveria do ta kompensojë. Unë tani po vij nga një mbledhje qeverie, të cilën e mblodha sot në Shkodër, projekte shumë të mëdha do të nisin për qëllime të shumëfishta. Sot “Livadhet” janë ende nën ujë, por ju garantoj se shumë shpejt, me fillimin e punimeve për by-passin, i cili do të jetë edhe by-pass edhe argjinaturë, lagjja do tu largohet me shpejtësi të madhe përmbytjeve”, - tha ai. Kryeministri Berisha u bëri me dije banorëve të lënduar nga kjo fatkeqësi natyrore se qeveria është e angazhuar maksimalisht në kapërcimin e pasojave të përmbytjes, por edhe duke i dhënë fund një herë e mirë kërcënimit të Shkodrës nga ujërat me projekte madhore.
Ky lajm është publikuar: 14/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›