Vizat, Topalli merr mbështetjen e homologut belg
Autori i Lajmit: Redaksia
Liberalizimi i vizave është arsyeja kryesore që e ka çuar kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli në Bruksel. Ky pohim u bë nga vetë kryeparlamentarja pas takimit të saj me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, të Belgjikës, Patrik Devael. Belgjika është vendi që merr presidencën e radhës së Bashkimit Evropian në korrik të vitit 2010. Gjatë takimit me Devael ajo mori mbështetjen edhe për situatën e rëndë të krijuar në Shkodër. Po dje Topalli zhvilloi një takim dhe me kryetarin e Senatit së Mbretërisë së Belgjikës, Armand De Deker.
Takimet
Kryetarja e Kuvendit bisedoi me zotin Patrik Devael, duke i paraprirë vendimmarrjeve që kanë lidhje me liberalizimin e vizave dhe opinionin që do të japë Komisioni për kërkesën e vendit kandidat, ndërkohë që presidenca aktuale spanjolle dhe presidenca e ardhshme belge koordinojnë mes tyre, për këto vendime. Kryetari i Parlamentit belg dhe Kryetarja e Kuvendit ranë dakord që të komunikojnë në vijimësi edhe për ecurinë e përgatitjes për statusin e vendit kandidat. Kryetarja e Kuvendit tha se është plotësuar tashmë mbi 90 për qind e përgjigjeve të pyetësorit dhe është bërë leximi i parë dhe se punohet intensivisht dhe në mënyrë profesionale për të. Devael ka shprehur mbështetje dhe solidaritet dhe për përmbytjet në veri të vendit. Ai siguroi për angazhimin e tij personal në ndihmë të Shqipërisë, në këtë situatë. Ndërsa Topalli e falënderoi për ndihëm e dhënë deri tani nga Belgjika për përmbytjet dhe kërkoi që vijimin e kësaj mbështetjeje deri në kapërcimin e situatës. Po dje kryeparlamentarja Topalli zhvilloi një takim dhe me kryetarin e Senatit së Mbretërisë së Belgjikës, Armand De Deker. Takimi mes tyre u fokusua në procesin e liberalizimit të vizave. “Unë u inkurajova nga autoritetet më të rëndësishme belge për të bërë të mundur që gjatë kësaj presidence të arrijmë atë që është gjëja më kryesore për Shqipërinë, heqja e vizave”, - u shpreh Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli. Kryetari i Senatit belg tha se liberalizimi i vizave është i rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Evropën si e tërë. Kryetarja e Kuvendit shpjegoi se nga pala shqiptare është punuar në mënyrë intensive për arritjen e liberalizimit të vizave në korrik të 2010 dhe paralelisht po punohet lidhur me Pyetësorin e Komisionit Evropian. Duke qenë se Belgjika do të jetë vendi i Presidencës së BE-së, në mandatin e dytë të 2010, Kryetarja e Kuvendit vlerësoi si shumë të rëndësishme angazhimin dhe mbështetjen e institucioneve belge. Pas takimit mes tyre në një deklaratë të përbashkët për shtyp, Deker tha se kjo është mbështetja e Belgjikës, mbështetja e Senatit të Belgjikës, për të ndihmuar Shqipërinë që të arrijë liberalizimin e vizave. “Mendoj se do të ishte një shenjë e mirë dhe e rëndësishme për shqiptarët dhe për bashkimin e Evropës”, - tha ai. Ndërsa Topalli tha se meqenëse korriku i ardhshëm kur shqiptarët shpresojnë dhe besojnë se do të hiqen vizat do të koincidojë me presidencën belge, ishte kjo arsyeja kryesore për të cilën ajo ishte në Bruksel. “Unë u inkurajova nga autoritetet më të rëndësishme belge, për të bërë të mundur që gjatë kësaj presidence, të arrijmë atë që është gjëja më kryesore për Shqipërinë, heqjen e vizave”, - tha Topalli.
Ky lajm është publikuar: 14/01/2010