E Diel, 1 Nëntor 2026

Fuele: Vizat, gjithçka varet nga progresi i Qeverisë

Autori i Lajmit: Redaksia
Komisioneri i ri Evropian për Zgjerimin, Stefan Fuele, përsërit se pa plotësuar kërkesat e qarta të Brukselit, nuk mund të ketë liberalizim vizash për Shqipërinë dhe Bosnjën, dy vendet që mbetën mbrapa në këtë proces. Gjithashtu, në një seancë dëgjimore me eurodeputetët e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian, diplomati çek theksoi se nuk mund të përcaktohen afate për marrjen e statusit kandidat nga Shqipëria, pasi gjithçka do të varet nga procesi teknik në të cilin është përfshirë aktualisht vendi ynë, me plotësimin e pyetësorit dhe pastaj vendimi politik që do të marrin shtetet anëtare të unionit. “Unë do të punoj shumë fort që për dy vendet e mbetura pas, Shqipëria dhe Bosnja, të jepet një rekomandim për heqjen e vizave në mesin e këtij viti, por sigurisht që gjithçka do të varet nga progresi i qeverive te tyre. Gjithashtu, jam i vendosur të nis një dialog të gjerë me Kosovën, në mënyrë që edhe ky vend të përfshihet në itinerarin e vizave”, - tha Fuele. Ashtu si edhe kolegët e tij, diplomati çek parashtroi platformën e tij në një seancë dëgjimore me eurodeputetët. Nëse të gjithë komisionerit kalojnë me sukses provën, ata do të votohen në bllok në një seancë plenare më 26 janar. Ndërsa zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta ka pohuar se Qeveria po plotëson të gjithë standardet e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. “Absolutisht që progresi është i jashtëzakonshëm gjatë muajve të fundit në të gjitha blloqet, pra në këtë katër blloqet e këtij udhërrëfyesi. Ka disa elementë që janë në proces sikurse është ligji kundër diskriminimit, është në procedura zyrtare të Parlamentit dhe do të miratohet në javët e ardhshme, apo dhe disa detyrime të tjera, por ne jemi të bindur që brenda këtij vitit Shqipëria i plotëson të gjitha këto detyrime dhe shqiptarët do ta meritojnë të udhëtojnë pa viza në të gjitha vendet e hapësirës Shengen”, - ka pohuar ai.
Ky lajm është publikuar: 14/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›