E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asambleja e PS-së, LMN do të kërkojë thyerjen e bojkotit

Autori i Lajmit: Redaksia
Partia socialiste do të rinisë në fundjavë axhendësn e saj politike duke mbledhur Asamblenë Kombëtare ku do të diskutojë për shtetin e së drejtës dhe korrupsionit. Por duket se ndryshe nga Asambleja e fundit ku në fokus ishte vetëm çështja e parashikuar në axhendë që në atë rast ishte ajo ekonomike, këtë herë do të ndodhë ndryshe. Deputetët e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe kanë vendosur që pjesë të axhendës politike të kësaj Asambleje të bëjnë dhe vendimin për tu futur në Parlament. Burime nga LMN-ja pohuan se ata do të kërkojnë që të diskutohet dhe më pas edhe të vendoset nëse Partia socialiste do të hyjë apo jo në Kuvend para 7 marsit të njohur si limit kohor kur nuk mund të digjen mandatet e deputetëve. Dy ditë më parë deputeti Andis Harasani pohoi se Lëvizja për Mendimin Ndryshe do të futet në Parlament edhe nëse PS nuk do ta bëjë një gjë të tillë. “Jam i sigurt që brenda janarit apo shkurtit do të ketë një mbledhje të asamblesë së Partisë Socialiste ku do vendoset. Unë dyshoj që do merret vendimi për të hyrë në parlament. Të mos harrojmë që ky qëndrim u kushtëzua me hapjen e kutive. Ka qenë një qëndrim i vendosur i zotit Rama ku është kërkuar hapja e kutive dhe në qoftë se kutitë nuk hapen nuk hyjmë në parlament. Me logjikë për sa kohë kjo kërkesë nuk është realizuar ky kusht nuk shoh se si mund të shkohet në Parlament. Në lidhje me qëndrimin tonë ne kemi thënë që do të presim deri në një kufi të logjikshëm dhe pastaj do vendosim”, - ka pohuar Harasani. Deputeti socialist akuzoi kryetarin Rama se nuk ka mbledhur prej 3 muajsh kryesine e partisë, ndërkohë që vijon mbledhjet me aleatët. Pjesa normale e axhendës të kësaj Asambleje do të jetë shteti i së drejtës dhe korrupsioni për të cilën socialistët kanë protestuar për javë me radhë. Dhënia e një përkufizimi konkret se si duhet të funksionojë një shtet ligjor apo se cila do të ishte mënyra më e mirë e funksionimit të marrëdhënieve të institucioneve të drejtësisë me pushtetin politik do të jetë në qendër të ideve që socialistët kanë përpunuar dhe do të vijojnë të punojnë gjatë këtyre ditëve deri në takimin e radhës.
Ky lajm është publikuar: 14/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›