E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkencat e Natyrës, gjykata: Muzeu u kthehet pronarëve

 

Armand Bajrami

Edhe nëse do të ekzistojë në vazhdim një Muze i Shkencave të Natyrës në Tiranë, ai nuk do të jetë më në godinën ku është vendosur që prej vitit 1948. Një vendim i Gjykatës së Lartë ua ktheu dje ish-pronarëve të ligjshëm truallin ku është ndërtuar godina e muzeut pranë rrugës së Kavajës në Tiranë. Pas një kalvari disa vjeçar në dyert e gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit, togat e zeza të Gjykatës së Lartë i dhanë fund konfliktit mes pronarëve pretendentë, Ministrisë së Arsimit e Shkencës e Universitetit të Tiranës. Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë, ambientet e muzeut duhet të boshatisen për t'i "hapur rrugë" pronarëve të truallit që të marrin godinën në zotërim.
Vendimi i gjykatës
Vendimi që pritet të shkaktojë pakënaqësi të mëdha në radhët e akademikëve të shkencave të natyrës u shpall dje nga pesëshja gjykuese me relator gjyqtarin Fatos Lulo. Në vendimin e saj, gjykata la në fuqi verdiktin e Gjykatës së Apelit në vitin 2006. Ky vendim u jepte të drejtën e pronësisë së truallit pronarëve pretendentë për objektin. Veç boshatisjes së ambienteve, nga ana e Ministrisë së Arsimit e Shkencës, pronarëve duket t'u paguhen edhe disa vite qira për godinën. Kjo qira fillon që në kohën kur trualli iu është rikthyer pronarëve me vendim nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
Procesi
Vendimet e shkallëve të gjyqësorit, në lidhje me pronësinë e truallit ku është ndërtuar Muzeu i Shkencave të Natyrës, kanë filluar në dhjetor të vitit 2005. Kjo kohë shënon vendimin e parë gjyqësor për këtë konflikt, ku trupa gjykuese e Gjykatës së Shkallës së Parë të gjyqësorit hodhi poshtë padinë e pronarëve pretendues. I njëjti "fat" nuk do të ishte për muzeun në Gjykatën e Apelit. Pas animimit të vendimit në Apel, pronarët pretendentë dolën fitues në këtë gjykatë në muajt e parë të vitit 2006. Ndërkohë, pas rekursit të këtij vendimi, në Gjykatën e Lartë nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, kolegji i lartë i dha përfundimisht të drejtë pronarëve. Javën e kaluar studentë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës organizuan një tubim paqësor në mbrojtje të interesave të Muzeut me statusin e një objekti të rëndësisë së veçantë. Muzeu i Shkencave të Natyrës është i vetmi i llojit të vet në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›