"Modem", hakerat e TV përfituan një milion USD
TIRANE - Një milion euro dëm i është shkaktuar kompanive televizive me programe të parapaguara nga të arrestuarit e operacionit "Modem". Të paktën ky është konstatimi paraprak me të cilin ka dalë Gjykata e Tiranës, e cila më datë 16 prill, 9 ditë më parë, ka firmosur 20 vendime për lejimin e kontrollit të banesave të 16 të pandehurve, si dhe bizneset e tyre në të cilat mendohet se gjenden prova në ngarkim të të akuzuarve. Në vendimet e arsyetuara nga gjykatësi Martin Deda pohohet se "Nga transkriptimet e bisedave telefonike të realizuara ka prova se në banesat dhe ambientet tregtare në pronësi të akuzuarve me adresa të përcaktuara në Tiranë, Durrës, Korçë, Fier, Vlorë dhe Berat, fshihen prova materiale të veprës penale të mashtrimit kompjuterik parashikuar nga neni 143 germa b i Kodit Penal. Në mënyrë që këto prova të administrohen nga ana e Prokurorisë është e nevojshme dhe e domosdoshme lejimi i kontrollit. Gjykata arrin në përfundimin se kërkesa e Prokurorisë është e drejtë dhe duhet të pranohet". Pala që kërkoi lejimin e kontrollit të banesave të të pandehurve ishte prokuroria e kryeqytetit, përfaqësuar nga zëvendësprokurori Elio Mazreku dhe prokurori Erion Pano, ndërsa të pandehurit e kësaj çështjeje janë: Saimir Kuniqi, Alfred Kadiu, Eldi Vorpsi, Edison Shema, Sokol Shalca, Sokol Kadare, Xhaferr Gixharri, Artan Priftuli, Fatmir Çupi, si dhe Eduart Koka, të gjithë nga Tirana. Gjithashtu të akuzuar janë edhe dy durrsakët Ilir Dylja e Dhimitraq Papa; Spiro Zguri, nga Korça; Saimir Likollari, nga Berati; Marin Palushi, nga Shkodra dhe Ilir Nushi, nga Fieri. Në vendimin gjyqësor pohohet se më 12 nëntor të vitit të kaluar, prokuroria e kryeqytetit ka regjistruar procedimin penal numër 3778, që bën fjalë për ndërhyrjen në sistemin kompjuterik në dëm të një kompanie televizive me programe të parapaguara, ku pasojat e këtij veprimi kanë qenë mjaft të rënda. Sipas kallëzimit të depozituar në prokurori, persona të ndryshëm, që ushtrojnë aktivitet tregtar kryesisht elektronike, është mundësuar ndërhyrja në sistemin kompjuterik, konkretisht internet duke realizuar shkatërrimin e kodeve dhe si rezultat ofrohen në mënyrë të kundërligjshme programe që ekskluzivitetin, e të cilave e ka vetëm kompania e dëmtuar në paketat e saj. Ky shërbim i kundërligjshëm ofrohet kundrejt 230 eurove në vit, ku përfshihej dekoderi, karta si dhe instalimi. Në total dëmi i shkaktuar kësaj kompanie llogaritet në një milion euro. fa.ma.