Lëmshi i kartave drejt zgjidhjes, përpunohet marrëveshja
Të gjithë shtetasit shqiptarë që nuk kanë pasaportë mund të marrin karta identiteti me vetëm 200 lekë të reja dhe procedurat do të kryhen në sportele të veçanta vetëm për këtë kategori qytetarësh. Kjo është marrëveshja e arritur midis mazhorancës dhe opozitës për kartat e identitetit. Ekspertët e dy palëve janë duke përgatitur vendimin zyrtar me detajet përkatëse për të bërë publike më pas marrëveshjen midis Ramës e Berishës për kartat e identitetit. Trojka e ambasadorëve të BE e SHBA ka pasur dje takime me kryetarin e PS, Edi Rama, pas takimit që ata kishin zhvilluar një ditë më parë me kryeministrin, Berisha. Në takimin me Berishën ata kanë rënë dakord që çështja e kartave të mbyllet me marrëveshjen, sipas së cilës çdo qytetar pa pasaportë merr kartën me 200 lekë të reja. Trojka e ambasadorëve të vendeve të BE dhe SHBA ishte dje në mëngjes në Bashkinë e Tiranës, ku është takuar me Edi Ramën dhe i ka bërë të ditur versionin që ishte biseduar me Berishën. Rama e ka pranuar këtë zgjidhje duke mbërritur kështu në një marrëveshje midis PS dhe PD për kartat e identitetit, çështje që ka trazuar klimën politike të javëve të fundit në Shqipëri. Sipas marrëveshjes, parashikohet të hapen disa sportele të veçanta, të cilat do të shërbejnë vetëm për qytetarët pa pasaportë, gjë e cila zhbllokon procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti, duke mos rrezikuar procesin e zgjedhjeve pa nisur ende zyrtarisht fushata elektorale. Prej disa javësh, krerët e opozitës kërkuan nga qeveria që të japë falas kartat e identitetit për një kategori të caktuar qytetarësh, të cilët nuk kanë mundësi financiare të blejnë ato. Opozita përshkallëzoi qëndrimet për këtë çështje, duke bojkotuar parlamentin në dy seancat e fundit të tij. Ndërsa javën e fundit krerët e opozitës thanë se fundi i kësaj jave do të jetë vendimtar për fatin e zgjedhjeve të 28 qershorit, pasi, në rast se nuk do të arrihej një marrëveshje, atëherë procesi i pajisjes së qytetarëve me karta identiteti do të konsiderohej tërësisht i dështuar. Kjo për shkak se nuk mjafton koha fizike, sipas socialistëve, për të pajisur të gjithë qytetarët me karta identiteti. Marrëveshja e arritur dje duket se mbyll këtë krizë të parë të zgjedhjeve të 28 qershorit, ndërsa pritet që të tjera pretendime të ngrihen nga ana e opozitës sa i përket infrastrukturës së zgjedhjeve të 28 qershorit.