Berisha: Faj ka moti, as KESH-i e as Prifti

Kryeministri mbron ministrin Prifti, që e la në qeveri kur deklaroi pro votën e tij si deputet pa mbaruar ende mirë zgjedhjet e 28 qershorit, nën dyshime opozitare për manipulime dhe deformim rezultati
Denion Ndrenika
Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje, se është arritje që asnjë jetë njerëzore nuk është humbur gjatë ditëve të përmbytjeve dhe se ishte shmangur katastrofa. Kryeministri në një kohë të vështirë për shumicën që qeveris përballë kritikave të shumta për keqmenaxhimin e gjendjes në tërësi, energjetikë dhe operacionet në terren, gjeti kohë t’i hedhë poshtë këto dhe të falënderojë institucionet respektivë. Berisha nuk pranoi të jenë bërë hapa të gabuar qoftë në sistemin e hidrocentraleve, qoftë në menaxhimin e gjendjes, por tha se Korporata Elektroenergjetike dhe ministria e drejtuar nga deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Dritan Prifti, që i hapi udhë qëndrimit të tij në këtë detyrë pas 28 qershorit, kanë bërë punë të paqme në përballimin e ditëve të përmbytjes. Berisha vëzhgoi dje gjendjen në Shkodër dhe foli në takimin me drejtues vendorë. Kryeministri veçoi se duhen plane të qarta për rikthimin e gjendjes në normalitet: “E vërteta është që janë shpëtuar jetët e njerëzve. Deri tani përveç dëmeve materiale dhe ekologjike, nuk kemi humbje në njerëz dhe kjo është një meritë e këtij operacioni. është e domosdoshme pra, që përparësi të kemi evakuimin, të kemi identifikimin, të kemi ndihmën emergjente, por aty, në rrafshin ekologjik, është një katastrofë. Qëndrojnë nën ujë territore të tëra ndër më pjelloret e trojeve shqiptare. Kjo ka qenë dhe është një nga zonat më të fuqishme të prodhimit bujqësor në vend. Por, krahas kësaj, duhet të ekzistojnë planet B, C, D dhe me radhë, deri në normalizimin total të zonës së përmbytur”. Kryeministri shtoi se bashkë me fqinjët po kryhet një ndër operacionet më të mëdha të emergjencës në Shqipëri. “Shkodra ka nevojë për ndihmë, komunat e përmbytura kanë nevojë për ndihma të mëdha. Ndaj dhe ky solidaritet i juaji, i komunave të Kosovës, të Maqedonisë, të qeverisë maqedonase, kanë qenë një mbështetje dhe janë një mbështetje e madhe në kapërcimin e këtyre pasojave. Një falënderim dua t'i jap edhe qeverisë së Malit të Zi, e cila dërgoi përfaqësuesit e saj dhe u angazhua në një ndihmë shumë të çmuar”.
Institucionet
Kryeqeverisës pasi Dritan Prifti deklaroi se do ta mbështeste pa mbaruar mirë procesi i 28 qershorit, Berisha e mori në mbrojtje atë që emëroi ministër. Berisha tha se ka punuar mirë ministria e Priftit dhe KESH-i, që është nën dyshime opozitare se ka përftuar nga gjendja për të shitur energji të prodhuar në nivele të larta, duke mosbaraspeshuar nivelin e ujërave të liqeneve të kaskadës së Drinit. Ai garantoi mbështetësen në vota vendore dhe qendrore Shkodrën e përmbytur në qeverisjen e tij të dytë, se “Korporata Energjetike e Shqipërisë dhe Ministria e Energjetikës kanë bërë një punë jashtëzakonisht eficiente”. “Ato, sipas Berishës (që akuzoi qeverisjen socialiste në 2004 se po mbyste Shkodrën (me hapjen e portave të HEC-eve), u përballën me situatën më të jashtëzakonshme, me kompetencën më të madhe. Ata që mund të akuzojnë për digat, po u them vetëm 2 fjalë; në qoftë i kthehemi fjalorit të vjetër, digat kësaj radhe kanë qenë “ora e Shkodrës”, sepse vërshimet e Drinit, në mijëra metër kub të sekondë, të Gjadrit, të Kirit e të ujërave të tjera, do të mund të kishim pasur pasojat më të paparashikueshme në këtë mot të papërsëritur në 100 vitet e fundit. Por digat dhe menaxhimi i tyre, bashkërendimi i këtij menaxhimi me situatën në terren, ky veprim i bërë çdo orë, mbajtja si parim kryesor sigurinë kombëtare, sigurinë publike, ka qenë një nga pjesët më të rëndësishme të këtij operacioni”.
Moti i lig
Ai u rrek t’ia “faturonte” motit gjendjen e krijuar, kur tha se “kjo ishte një ngjarje, e cila, siç rezulton nga observatorët më seriozë të përmbytjeve në botë, ndodh shumë rrallë, i tejkalon 100-vjeçarët”. Ai “udhëtoi” nga Australia në Brazil për të treguar se çfarë ishin ngjarjet e këtij fillimjanari. “Shkodra përjetoi një gjendje të jashtëzakonshme, një përmbytje e cila nga qendrat botërore të vlerësimit të përmbytjeve vlerësohet e njëjtë me atë që pësoi Australia gjatë fillimit të janarit dhe, jo fort e largët, me atë që pësoi Brazili. Observatori i përmbytjeve, Dartmouth Flood, i cili bën një vlerësim hapësinor dhe me mjete të tjera shkallën e përmbytjeve, paraqet këtë përmbytje si ekstreme dhe si një ngjarje, si një mot, i cili ndodh më rrallë se 100 vjet”. Berisha u mbështet po ashtu në të dhëna të motit “për të hequr” nga qeverisësit përgjegjësinë, aq sa kanë, mbi gjendjen e rënduar e pa funddukje. “Nga data 25 dhjetor deri më sot, vetëm lumi Drin ka vërshuar me një mesatare prej 1280 metër kub në sekondë, në ditë. Nga data 27 deri sot janë derdhur vetëm nga lumi Drin, pa llogaritur derdhjet e Kirit, Gjadrit, Moraçës, Përroit të Thatë, që të gjitha këto prekin direkt gjendjen ujore të Shkodrës, pra vetëm nga lumi Drin janë derdhur shkarkime të barabarta me 3 liqene të Vaut të Dejës. Shkrirja e rrufeshme e dëborës në ditët e janarit, për shkak të temperaturave pothuajse afrikane, që erdhën drejt Shqipërisë, me 20-24 gradë, dallgët e fuqishme të detit, rrebeshet e mëdha të Alpeve, të gjitha këto krijuan një situatë të paprecedentë ujërash, ndoshta edhe më shumë se në 100 vitet e fundit”, - tha kryeqeverisësi i kontestuar për dyshime të votave, që e lanë në pushtet pas fundqershorit të 2009-ës problematike për Shqipërinë.
Berisha
Ideja: “Ta bëjmë Bunën të lundrueshme”
Qeveria e kryeministrit me mandat të dytë të diskutuar prej opozitarëve se e ka të pamerituar, Sali Berisha, do të bëjë gati faturën e dëmeve të përmbytjeve në Shkodër. Berisha premtoi dje, se do të regjistrohen të gjithë dëmet dhe se qeveria do të zhdëmtojë çdo gjë që kanë humbur të përmbyturit. Ai ishte dje në Kuç, pas qëndrimit në Shkodër, ku takoi të zgjedhur vendorë dhe mori pjesë në mbledhjen me dyer të mbyllura të Komitetit Ndërministror të Emergjencës. “Duhet të përpiqemi që të minimizojmë dëmet në gjënë e gjallë. E rëndësishme është që ju të evakuoheni, pasi nuk bëhet trimëri me uji. Qeveria do të përpiqet me çdo mjet që të zhdëmtojë banorët e prekur nga kjo fatkeqësi”, - tha ai në bisedë me banorët e fshatit Kuç. Po ashtu, ai përsëriti nevojën për rishikimin e mundësive të studimit për të ndërhyrë në shtratin e lumit Bunë. “Në shtator, kam rënë dakord me kryeministrin e Malit të Zi, që të nisim bashkërisht punën për thellimin e Bunës, pra ta bëjmë të lundrueshme dhe kjo e rrit shumë kapacitetin tërheqës të saj. Kësaj here u bashkuan shumë gjëra, fryrja e detit, fryrja e liqenit, por ne do t’i kapim problemet një nga një”, - tha ai.
Takon Priftin
Topi: Të kthehet normaliteti, të minimizohen dëmet
Kryeshtetari Bamir Topi tha dje, se duhet të kthehet sa më shpejt normaliteti në zonën e përmbytjes në veriperëndim të vendit dhe se autoritetet duhet të marrin menjëherë masat për të dalë nga gjendja e rënduar. Presidenti i bëri deklaratat në takimin me ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti. Presidenti foli në përpjekje të mbajtjes së ritmit të takimeve të tij me zyrtarët për gjendjen kryesisht në kaskadën e Drinit në tre hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës, që me shkarkimet të ujit nga liqenet e tyre rrisin rrezikun e përmbytjeve. “Presidenti Topi pasi u njoh me hollësi rreth situatës më të fundit, theksoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit ndërinstitucional dhe frymës së solidaritetit nëpërmjet një organizimi më kompleks, në mënyrë që të dilet sa më shpejt nga kjo situatë e vështirë dhe të minimizohen dëmet në maksimum duke iu rikthyer normalitetit”, - njoftoi zyra mediale e kryeshtetarit Topi. Sakaq, ministri Prifti, po sipas të njëjti burim, e informoi presidentin mbi gjendjen “e tre ujëmbledhësve të hidrocentraleve në kaskadën e lumit Drin”, për “monitorimin e vazhdueshëm të nivelit të ujit, prurjeve dhe shkarkimeve e kontrolluara nga specialistët dhe ekspertët hidrikë”, duke “e siguruar kreun e shtetit se situata është drejt përmirësimit”.
Nga Prishtina
Mujota, mision vëzhgimi me trupat e FSK-së
Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fehmi Mujota, mbërriti mbrëmë në Tiranë, për të qenë pranë autoriteteve të Shqipërisë në përballimin e gjendjes së krijuar nga përmbytjet në Shkodër. Delegacioni që udhëheq Mujota kaloi nëpërmjet tunelit të Kalimashit, i cili pësoi shembje të pjesshme në fund të vjeshtës së shkuar. Zyra për Marrëdhënie me Publikun pranë FSK-së njoftoi se ministri Mujota do të vizitojë Njësitë e Kërkim-Shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe do të marrë të dhëna të detajuara nga autoritetet në Tiranë mbi gjendjen në veri “pas vërshimeve dhe përmbytjeve të jashtëzakonshme që kapluan atë zonë”. Më pas, RTK raportoi Mujota shoqërohet nga Komandanti i Komandës së Forcave Tokësore të FSK-së, Gjeneral Rrahman Rama, inspektori i FSK-së, Gjeneral Bashkim Jashari dhe sekretari Permanent Shkëlzen Syla dhe pjesëtarë tjerë të delegacionit.