E Diel, 1 Nëntor 2026

Leskaj: Shkaktarët e katastrofës, përpara drejtësisë

 
Deputetja socialiste, Valentina Leskaj, tha dje në Shkodër, se përgjegjësia për gjendjen e krijuar në Shkodër është tërësisht e pushtetit dhe jo e motit. Deputetja Leskaj ndau ndihma në lagjen “Livadhe” të qytetit që është nën ujë. Leskaj theksoi se PS qartësisht është në mbështetje dhe solidare me banorët e përmbytur dhe se do të kërkojë drejtësi ndaj atyre që janë shkaktarë të zhvillimeve të fillimjanarit. “Pa dyshim, ne si PS, në kuadër të rrjetit për solidaritetin, do të jemi këtu jo vetëm sot, jo vetëm deputetët, por të gjitha strukturat tona, përfaqësues të pushtetit vendor, vullnetarë, të rinj, njerëz të tjerë që kanë shprehur solidaritetin dhe angazhimin e tyre për të kontribuar. Jemi edhe me një ndihmë modeste për njerëzit e përmbytur të kësaj zone. Ajo që vlen për të thënë sot se, pasi të mbarojë situata e emergjencës, Partia Socialiste do të kërkojë nxjerrjen e përgjegjësive, pra vënien përpara drejtësisë të gjithë atyre që kanë shkaktuar këtë katastrofë, që nuk është një katastrofë që vjen nga Zoti, por lidhet me veprime apo mosveprime të personave që janë përgjegjës, deri te kryeministri Sali Berisha”, -tha Leskaj. Ajo veçoi po ashtu, se deputetët e PS-së do të jenë çdo ditë në terren pranë banorëve të përmbytur. “Jemi këtu në “Livadhe”, me një grup deputetësh të PS-së të ardhur nga Tirana, por edhe të qarqeve të tjerë, për të parë në vend situatën dhe për t’iu shprehur solidaritetin dhe mbështetjen tonë për këta njerëz, burra, gra, fëmijë, që siç mund ta shihni, janë nën ujë, janë në hall, kanë dalë në rrugë për të kërkuar një mbështetje”, -shtoi Leskaj. Në lagjen “Livadhe” ishin edhe deputetët socialistë, Sadri Abazi e Shega Ligori, si dhe drejtues të Shtabit të Ndihmës të ngritur nga PS-ja.
 
 
 
 
Balla: Energjia në duar të mikut serb të Berishës, Fazliç
Deputeti Taulant Balla ndërtoi një komunikatë policore për të treguar ironi ndaj mosveprimit të strukturave të drejtësisë, ndaj atyre që i konsideron bashkë me Partinë e tij Socialiste “përgjegjës për përmbytjen e Shkodrës”. I zgjedhur në Qarkun e Elbasanit, përkatësisht në Librazhd më 28 qershor, Balla tha se “deklarojmë me përgjegjësi të plotë, se nga të gjithë informacionet që ne kemi mbledhur dhe po administrojmë nga verifikimet në terren, si dhe konsultimet me ekspertët hidroteknikë, na rezulton se kjo përmbytje është një vepër penale e pastër abuzimi me detyrën, si pasojë e së cilës janë rrezikuar jetët e disa mijëra banorëve të zonës së Shkodrës dhe janë dëmtuar me paramendim pronat e disa mijëra familjesh në këtë zonë”. Mbi këtë skemë-komunikatë policie, Balla “arriti” në përfundimin se “në këtë vepër penale identifikojmë si persona përgjegjës:
1-Sali Ram Berisha, lindur në Vicidol dhe banues në Tiranë, i datëlindjes 15/10/1944, me detyrë kryeministër i votave të vjedhura.
2-Dritan Prifti, lindur në Kuçovë dhe banues në Tiranë, i datëlindjes 27/08/1968, me detyrë ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, i qeverisë së votave të vjedhura.
Të dy këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me persona të tretë kanë vënë në rrezik, me dashje dhe paramendim, sigurinë e kaskadës hidroenergjetike mbi lumin Drin, duke urdhëruar shkeljen në disa nene të Rregullores së Shkarkimit të Plotave në Hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës”.
Pas kësaj, deputeti Balla, më i riu në Kuvendin 2005-2009, tha se liqenet e tre hidrocentraleve mbi lumin Drin u frynë në mënyrë të qëllimshme, “për të mos prodhuar energji, por për t’i zmbrapsur mbi Shkodër, ndërkohë që energjinë në muajt e shkuar dhe në vijim Shqipëria duhet të vazhdojë ta importojë nga Serbia”. Ai dha shifrat se Shqipëria importoi dhe vazhdon të importojë energji nga Serbia, megjithëse në vend mund të prodhohej mjaftueshëm. “U kujtoj sot qytetarëve shqiptarë, se një pjesë e energjisë super të shtrenjtë që ne kemi paguar deri pak muaj më parë e sillte në Shqipëri miku i vjetër serb i Sali Berishës Fazliç (Damir). Korporata Energjetike e Saliut (KESH) vazhdon të gënjejë publikun, duke thënë se shkarkimet në Fierzë filluan më datë 30 dhjetor në kuotën 285.9 metra, ndërkohë që disponohen dokumente zyrtare për fillimin e shkarkimeve më datën 2 janar, kur niveli kishte arritur 293.2 metra”, - saktësoi Balla.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›