E Diel, 1 Nëntor 2026

PE: Nevojitet Kuvend eficient dhe i plotë

 
Kreu i Kuvendit Europian kërkon nisjen e një dialogu mes mazhorancës dhe opozitës për zgjidhjen e krizës politike. “Në Kuvend të ndërmerren reforma për të luftuar krimin e organizuar”
 
 
Kreshnik KUçAJ
Situata emergjente, për shkak të përmbytjeve që kanë ndodhur në Shkodër, nuk e ka larguar vëmendjen e ndërkombëtarëve nga kriza politike në vend. Ditën e djeshme, kreu i Parlamentit Europian, Jerzy Buzek, përveç vlerësimeve për reagimin ndaj përmbytjeve, kërkoi nisjen e një dialogu mes opozitës dhe shumicës qeverisëse të pas 28 qershorit të 2009-ës. Në një takim të përbashkët me kryekuvendaren shqiptare, Jozefina Topalli, në Bruksel, Buzek tha se bojkoti nuk është i mirë për vendin tonë, prandaj nevojitet nisja e dialogut dhe kthimi i opozitës në Kuvend. Sipas Buzek, Shqipëria i ka të nevojshme ndryshimet dhe ato mund të vijnë vetëm nga bashkëpunimi shumicë-opozitë. “Nëse nevojiten të ndryshohen shumë gjëra në vendin tuaj, ashtu sikurse edhe në vende të tjera, në të vërtetë nevojitet një bashkëpunim midis opozitës dhe pozitës. Ne e dimë se gjithnjë ka tensione ndërmjet koalicionit (pozitës) dhe opozitës, si në çdo vend demokratik ekziston kjo, por një lloj bashkëpunimi është i domosdoshëm, specifikisht në këto momente kur të dyja palët, pozita dhe opozita në Shqipëri, duan të hyjnë si shtet në Bashkimin Europian. Pra, në këtë pikëpamje, duke qenë përgjegjëse, bojkote të tilla janë të dëmshme, sepse nuk jep shumë mundësi për të bashkëpunuar”, tha Buzek. Po ashtu, kreu i Kuvendit Europian u ndal edhe te funksionimi i deritanishëm i Kuvendit, ku theksoi nevojën që ky institucion të punojë si një Kuvend i plotë dhe eficient. Sipas tij, për të përfituar në proceset integruese, duhet që Qeveria Shqiptare të luftojë krimin e organizuar si një kusht kryesor. “është e nevojshme që Kuvendi në Shqipëri të punojë si një Kuvend i plotë dhe eficient. Ne dëshirojnë të kemi bisedime konstruktive mes Kuvendeve gjatë gjithë kohës dhe ndoshta çështja më e rëndësishme është liberalizimi i vizave”, tha Buzek. Duke komentuar më tej vendimin e pritshëm për Shqipërinë, e cila mbeti në vendet e fundit të rajonit, Buzek tha se nga informacioni që zotëron deri tani, për Shqipërinë mund të pritet një lajm i mirë në mesin e këtij viti. Buzek tha se Kuvendi Europian e mirëpret liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe se politikanët shqiptarë duhet të tregojnë se gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur. “Unë mund të them nga ana ime dhe mesa kam dijeni nga negociatat sot, se kjo do të jetë e mundur në korrik të vitit 2010, pra në gjysmën e vitit dhe unë e di shumë mirë sa e rëndësishme është kjo për qytetarët shqiptarë dhe për politikanët shqiptarë për t’u treguar qytetarëve të tyre se gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur. Ne jemi të shumë të hapur për këtë”, vijoi Buzek. Po ashtu, i pyetur nga mediat, Buzek tha se Parlamenti Europian e vlerëson shumë të rëndësishme që në Kuvend të ndërmerren reforma për të luftuar krimin e organizuar, dhe kjo është e domosdoshme edhe për vetë vendet anëtare të BE-së. “Ne kemi ndërmarrë shumë reformat për të gjithë vendet e BE-së, sipas programit tonë të Stokholmit dhe në këtë pikë edhe kërkesa për palën e ftuar për të bërë reforma për të ndryshuar disa gjëra, është shumë e rëndësishme gjithashtu. Kështu, në shumë këndvështrime do të thosha që deklarata është optimiste”, tha Buzek. Ndërkohë, përsa u përket përmbytjeve në Shkodër, Buzek tha se vlerëson përpjekjet e Qeverisë Shqiptare për menaxhimin e situatës për evakuimin e njerëzve nga zonat e rrezikuara. Kreu i Kuvendi Europian tha gjithashtu, se institucioni që ai drejton mbështet gjerësisht vendin tonë dhe një ngjarje e tillë është një situatë tipike, ku PE-ja do të tregojë ndihmën dhe mbështetjen e tij në këtë rast.
 
 
Topalli: Në Kuvend mund të arrijmë kompromise të mëdha
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, përsëriti dje nga Brukseli apelin e saj për kthimin e opozitës në Kuvend. Duke u shkëputur përkohësisht nga përmbytjet në Shkodër, Topalli tha në konferencën e përbashkët me kreun e Parlamentit Europian, Jerzy Buzek, se në Kuvend mund të arrihen kompromise të mëdha. Topalli kujtoi faktin, se pushtetarët në shumicë i kanë ofruar opozitës ngritjen e një komisioni hetimor Kuvendar për transparencën zgjedhore. Duke mos përmendur hapjen e kutive të votimit, që është kushti kryesor i opozitës, Topalli tha se komisioni mund të hetojë për çdo gjë që është në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën e vendit. “Si kryetare e Kuvendit e kam përsëritur dhe s’do të rresht së përsërituri faktin, se ata kanë të gjitha hapësirat për të ardhur në Kuvend, për të diskutuar dhe për të ngritur komisione hetimore për çdo gjë që është në përputhje me ligjin dhe me Kushtetutën. Në Kuvend ne kemi arritur dhe do të arrijmë, dhe për këtë jam e sigurt, kompromise dhe negociata shumë të rëndësishme”, tha Topalli. Në të njëjtën kohë, Topalli tha se deputetët socialistë duhet të respektojnë rezultatin e zgjedhjeve dhe të shfrytëzojnë mandatin që u kanë dhënë shqiptarët për të mbështetur liberalizimin e vizave. “Shfrytëzoj rastin për të ftuar, që të respektojnë rezultatin  e zgjedhjeve, për të respektuar mandatin që u kanë dhënë shqiptarët për liberalizimin e vizave për integrimin e Shqipërisë në BE dhe mbi të gjitha, për të gjitha reformat e tjera dhe sfidat e rëndësishme që kemi përpara”, tha Topalli. Po ashtu, Topalli u shpreh entuziaste për mbështetjen që Parlamenti Europian i jep vendimit për liberalizimin e vizave me Shqipërinë. Duke falënderuar kreun e PE-së për mbështetjen, Topalli e ftoi atë që të bëjë një vizitë zyrtare në vendin tonë, për t’iu drejtuar Kuvendit Shqiptar me një fjalim. “Unë jam shumë e bindur, se ne kemi një mbështetje edhe më të fortë nga Kuvendi Europian për të përfunduar këtë proces urgjent, procesin e liberalizimit të vizave. Fjalët që Zoti President tha më parë, janë shumë inkurajuese për të gjithë ne shqiptarët, për të cilët liberalizimi i vizave është diçka shumë e rëndësishme”, tha Topalli.
 
 
Beqja: Në Kuvend për sigurinë kombëtare, ose për kutitë
Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqja, tha se forca e tij politike është e vendosur për të mos ndërprerë bojkotin e Kuvendit deri në realizimin e kushtit kryesor të transparencës zgjedhore. Duke folur për BBC-në, Beqja tha se opozita ka paralajmëruar se do të hynte në Kuvend vetëm kur të plotësohej kërkesa e saj për hapjen e kutive të zgjedhjeve Kuvendare të 28 qershorit, ose nëse cënohej siguria kombëtare e vendit. Sipas deputetit socialist, deri tani nuk është shfaqur ndonjë rast i cënimit të sigurisë kombëtare, përfshirë përmbytjet në Shkodër. “Kjo situatë, në gjykimin tonë, nuk është konstatuar ende”, tha Beqja, duke iu referuar përmbytjeve në Shkodër. Deputeti socialist bëri gjithashtu të ditur, se situata e krijuar në zonën e përmbytjes ka ndryshuar kalendarin politik të opozitës. “Kemi bërë ndryshimin e kalendarit politik, por ende nuk kemi marrë vendime të detajuara”, tha deputeti socialist, pa u shprehur nëse bëhej fjalë për ndërprerjen apo jo të bojkotit. Ndërkohë, Partia Socialiste që pas njoftimit të ndryshimit të kalendarit politik, është angazhuar në zonat e përmbytura të Shkodrës, ku po jep kontributin e saj për kapërcimin e emergjencës. Deputetët socialistë dhe një grup vullnetarësh po shpërndajnë ndihma pranë familjeve të përmbytura. Duke shpjeguar këtë aksion të opozitës, Beqja përsëriti se kjo ndihmë nuk është pjesë e shtabit të emergjencës, por pjesë plotësuese e saj.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›