Majko: Përmbytjet, rast për dialog

“Kemi krizë politike, ekonomike tani edhe përmbytje”, - tha Majko. Për ish-kryeministrin socialist, betimi për mandatet e deputetëve nuk e zgjidh krizën
Pandeli Majko tha mbrëmë, se përmbytjet në Shkodër e Lezhë janë një rast për t’u ulur, duke nënkuptuar mundësinë e hapur të përhershme të Partisë Socialiste, për të dialogur dhe zgjidhur problemet që ka vendi. Dy herë ish-kryeministri Pandeli Majko iu referua çështjeve të rëndësishme që lidhen me ecurinë e zhvillimit të vendit dhe që kalojnë në paraqitjen qeverisëse nga ajo që ai e quajti “mënyra sesi janë marrë votat”. Majko foli mbrëmë në emisionin “5 pyetje nga Babaramo” në televizionin “News 24”. Për përballuesin e krizës së madhe të luftës në Shqipërinë Verilindore, sot Republika e Kosovës, gjendja e krijuar nga përmbytjet nuk mund të lidhet thjesht me zërat e shkuarjes së opozitës në Kuvend, pasi sipas tij, betimi për mandatet nuk do të thotë zgjidhje krize. Për ish-sekretarin e Përgjithshëm dhe ish-kryetarin e deputetëve socialistëve, Majko, nuk ka ndonjë rëndësi të madhe afati kohor për mandatet, që kushtetutshmërisht është 7 marsi. “çështja e mandateve apo e betimit është akt formal dhe nuk ka të bëjë fare me krizën dhe me atë që po ndodh. Ta ngresh këtë akt formal si çelës, se po nuk hytë u hiqet mandati, ky nuk është thelbi. Nuk ka asnjë domethënie politike për të thënë që opozita ndërroi drejtim se po kërkon të ndryshojë strategjinë e saj politike. Ne kërkojmë qartë vetëm një negociatë të mirëfilltë, dhe kjo është edhe ajo që thonë ndërkombëtarët. Puna e mandateve janë si vjershat, ato që thotë Berisha. Pavarësisht nga akuzat apo deklaratat, puna e Shkodrës është një mënyrë për të parë mundësinë e uljes, sepse kemi veç krizës ekonomike dhe politike edhe njerëzit që janë në pikë të hallit dhe meqë jemi te vendimmarrja, ato duhet të jenë sa më të shpejta”, - tha me afërsi Majko, duke iu referuar qëndrimit ndaj Kuvendit pas zgjedhjeve. “Qëndrimi ynë jashtë Parlamentit thjesht është një identifikues i qartë i asaj që ka ndodhur gjatë zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve”, - tha ai. Majko iu përgjigj pyetjeve se përse ky qëndrim bojkotues, kur ka vërejtje dhe thirrje nga ndërkombëtarët për të hyrë në Kuvend, përfshi Jerzy Buzek të PE-së dje. “Ne nuk kemi thënë që kjo që po bëjmë ne është shumë mirë, por është një histori që ka të bëjë me menaxhimin e vendit, për të mos lejuar që çështja e demokracisë dhe sistemit politik në Shqipëri të mos kthehet në çështje të brendshme të PD-së. Nëse do të ndodhë kështu, atëherë ky do të jetë fillimi i asaj që do të na godasë shumë jo si politikë, por do të na fusë në një cikël të mbyllur krizash”, - tha Majko. Po ashtu, ai la të kuptohej qartësisht se gjithçka, ka një rrugëzgjidhje: dialogun, që sipas tij është e njëjta linjë edhe e ndërkombëtarëve dhe e opozitës. “Të gjithë që kanë thënë këtë dhe të paktën unë i kam thënë, që të ketë negociatë thelbësore mes opozitës dhe mazhorancës për të zgjidhur krizën politike dhe ekonomike. Kërkesa është për një varg tolerimesh të dyanshme që nuk bëhen me konferenca shtypi, por në tryezë dhe që për çështje që kanë opozita dhe mazhoranca përballë njëra-tjetrës”, - tha Majko. Ai theksoi se për hyrjen në Kuvend “nuk ka asnjë vendim nga forumet e PS-së për të thënë unë se çfarë do të bëhet”, ndërsa hoqi paralelen mes përmbytjeve dhe hapjes së kutive. “Hapja e kutive nuk është si hapja e digave. Hapja e kutive do të zgjidhë shumë gjëra në politikë, hapja e digave është tjetër gjë. Kjo çështja e kutive nuk është kaq teknike, por me mënyrën sesi funksionojnë gjërat, sepse problemet që shfaqen në qeverisje janë nga ajo sesi janë marrë votat”, - tha ai. Majko refuzoi të shihte ngjashmërisht bojkotin e Sali Berishës në krye të PD-së pas ‘97-ës me këtë të PS-së, teksa iu kujtua se kryeministri i sotëm, asokohe ishte i izoluar nga ndërkombëtarët. “Ai nuk ishte i izoluar se nuk shkoi në parlament. Unë nuk i druhem izolimit nga ndërkombëtarët. Nuk është më PS-ja e viteve ‘92 e ‘93, kjo që po themi”, - shtoi ai. Majko vërejti po ashtu, se gjithçka në qëndrimin opozitar lidhet me “respektimin e institucioneve” dhe “për efekt të respektimit të institucioneve”. “është një shtet që ka frikë të ballafaqohet me veten qoftë edhe për një katastrofë kombëtare”, shtoi ai. Majko vërejti se problemi është Berisha, që sipas tij “sillet si president dhe e ka kaluar orientimin politik, diku me zjarr si në Gërdec, diku me ujë si në Shkodër, diku në tokë në si në Kalimash, pra na ndodhin gjëra të çuditshme”! Por, ai shtoi se “vjen një moment që gota mbushet”, ndërsa “tani ka nisur të derdhet”. “Dhe për këtë nuk mund të akuzosh opozitën, sepse kjo nuk vjen se kemi opozitë tekanjoze. Nëse ka një njeri, i cili siguron në mënyrën më të qartë të mundshme tekanjozin politik, ai është Berisha. Nuk është qëndrim politik, është psikologji e këtij karakteri që e sheh opozitën përherë të përjashtuar nga arsyet e vendimmarrjes dhe ai që në vitin ‘91 e ka pasur këtë, që ta poshtërojë kundërshtarin”, - shtoi rishtazi ish-kryeqeveritari socialist.