E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Të miratohet VKM-ja e kompensimit të menjëhershëm

 
Qeverisë i kërkohet garanci për dëmshpërblimin me lekë në dorë të banorëve të përmbytur. Gjermeni: Shkodranët nuk mbijetojnë me gënjeshtra”
 
Kreshnik KUçAJ
Partia Socialiste i kërkoi dje qeverisë të drejtuar nga kryeministri Sali Berisha, që të miratojë një vendim të menjëhershëm për dëmshpërblimin e banorëve të përmbytur në Shkodër. Këtë kërkesë, Partia Socialiste e argumenton si një shenjë mosbesimi ndaj qeverisë aktuale, të cilën e akuzoi se të njëjtën gjë ka premtuar edhe për banorët e Dibrës, që iu shembën shtëpitë nga tërmeti dhe për banorët e Gërdecit, që u dëmtuan nga shpërthimi i municioneve që po demontoheshin. Deputetja Eglantina Gjermeni tha dje, se e vetmja mënyrë për të kompensuar familjet e përmbytura është nisja e dëmshpërblimit me lekë në dorë. “Teksa mijëra shqiptarë vazhdojnë t’i kenë shtëpitë, bagëtinë, tokat dhe të mbjellat në dorë të fatit, Sali Berishës i ka mbetur vetëm një gjë për të bërë: Të dëmshpërblejë me lekë në dorë çdo familje të dëmtuar. Sot! Tani! Sali Berisha të lërë propagandën e ditëve të fundit, pasi shkodranët nuk mbijetojnë dot me gënjeshtra, por të mbledhë urgjent qeverinë, për të nisur një orë e më parë dëmshpërblimin dhe kompensimin e familjeve të dëmtuara, qindarkë për qindarkë, për çdo dëm”, tha Gjermeni. Sipas deputetes socialiste, banorët e përmbytur po përballen me dëmtime kolosale të shkaktuara nga keqqeverisja, prandaj ata duhet të dëmshpërblehen. Gjermeni tha se qeveria aktuale, ndryshe nga sa veproi pas tërmetit të fuqishëm në Dibër, ndryshe nga sa veproi me familjarët e viktimave të Gërdecit, kësaj here nuk mund të luajë lojën e vjetër të fjalës së pambajtur, ku premtimet bëhen sa për të kaluar situatën emergjente dhe pastaj harrohen. “Shqiptarët e kanë tashmë të qartë, se katastrofa e ditëve të para të këtij viti të ri nuk ishte një katastrofë natyrore, por një përmbytje e shkaktuar nga babëzia dhe korrupsioni i kësaj qeverie dhe i një ministri plotësisht të papërgjegjshëm. Përmbytja që la mijëra familje pa shtëpi e pa katandi, nuk erdhi si rezultat i ngrohjes globale, apo eklipsit të hënës, siç thotë kryeministri i votave të vjedhura, por erdhi si rezultat i rënies së shtetit, i moszbatimit të ligjit dhe rregullave, që e përcaktojnë qartë kuotën limit të nivelit të ujit në digat e hidrocentraleve”, vijoi Gjermeni. Sipas saj, të përmbyturit e Veriut të Shqipërisë po përballen me një situatë jashtë të zakonshmes. “Të dëmtuarit nga përmbytja që shkaktoi Sali Berisha dhe Dritan Prifti, duhet të mendojnë jo vetëm për të nesërmen, por edhe për të sotmen. Për të mbijetuar në këtë moment, kur kanë humbur çdo gjë. Për të gjithë këta njerëz, Sali Berisha nuk duhet të premtojë, por të veprojë”, përfundoi Gjermeni. Edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka kërkuar me forcë dy ditë më parë, që për banorët e përmbytur të Shkodrës të miratohet një vendim qeverie për nisjen e menjëhershme të dëmshpërblimit të banorëve.
 
 
Kodheli: Berisha mbrojti përgjegjësin e përmbytjeve
Partia Socialiste përforcoi dje kërkesën e saj për largimin e ministrit të Energjetikës, Dritan Prifti, të cilin e konsideron si përgjegjësin kryesor për përmbytjet në Shkodër. Deputetja Mimi Kodheli tha se dy ditë më parë kryeministri Sali Berisha u pa të përgëzonte ministrin Prifti, në një kohë që ky i fundit është përgjegjësi për humbjet e mëdha të banorëve të Shkodrës. “Nëse Dritan Prifti nuk do të kishte grumbulluar jashtë çdo rregulli, normë dhe ligji, atë sasi të jashtëzakonshme uji, përmbytja nuk do të kishte ndodhur. Për më tepër, nëse gjatë ditëve të fundit të dhjetorit në vend që uji të depozitohej për të përmbytur më pas Shkodrën dhe Lezhën, do të ishte përdorur për të prodhuar energji, jo vetëm që katastrofa do të ishte shmangur, por në buxhetin e shtetit do të ishin arkëtuar plot 35 milionë dollarë, ose 3 miliardë e 500 milionë lekë të reja nga prodhimi i më shumë se 457.638 megavat energji elektrike”, tha Kodheli. Sipas saj, dëmi që ka shkaktuar ministri Prifti është një dëm kolosal, pasi janë dëmtuar shtëpi, prodhime bujqësore, prodhime blegtorale etj., që reflektohen si dëm ekonomik në buxhetin e shtetit. Deputetja Kodheli shtoi se është e pafalshme deklarata e kryeministrit Sali Berisha, i cili në vend që të fliste për përgjegjësinë direkte të ministrit për katastrofën në veri të vendit, e përgëzonte atë për përmbytjet. “Sali Berisha përgëzonte Dritan Priftin për qindra familjet që humbën shtëpitë në ditët e para të këtij Viti të Ri. Sali Berisha përgëzonte Dritan Priftin për mijëra shqiptarët që humbën të mbjellat, bagëtinë, tokat dhe burimet e mbijetesës së tyre të përditshme. Katastrofa që prej më shumë se dhjetë ditësh ka zhytur në ujë Shkodrën, Lezhën dhe komuna të tëra të Veriperëndimit së Shqipërisë, nuk është një katastrofë natyrore, siç përpiqet ta shesë Sali Berisha dhe Dritan Prifti. Prej muajsh Sali Berisha dhe qeveria e tij e votave të vjedhura është përpjekur të fshehë gropën e zezë në buxhetin e shtetit. Përpjekja e tyre më e fundit, përveçse e dëshpëruar, rezultoi fatale për Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha Kodheli.
 
 
 
Rama në Dajç e Velipojë
 
“Qeveria të ndajë fond asistence me lekë në dorë”
 
Kryesocialisti opozitar Edi Rama tha dje, se është domosdoshmëri përcaktimi i një fondi emergjence nga qeveria për të banorët e zonave të përmbytura. Rama ishte dje në Dajç dhe në Velipojë, ku bisedoi me banorët dhe dëgjoi problematikën që hasin ata në mangësinë e përballjes me strukturat shtetërore. Rama u shoqërua nga deputetët socialistë, fitues më 28 qershorin e shkuar. “është e domosdoshme që qeveria t’u nxjerrë një fond asistence këtyre njerëzve, duke u dhënë parà në dorë, që të arrijnë t’u përgjigjen problemeve të ditës”, - tha Rama, ndërsa udhëtoi me motobarkë në një zonë që dukej si liqen. “Rama dhe deputetët panë bagëti të ngordhura në ujë, shtëpi të cilave iu dukeshin vetëm çatitë dhe ujësjellësin e komunës, i cili ishte tërësisht nën ujë dhe jashtë funksionimit. Deputetët që shoqëronin Edi Ramën ishin Blendi Klosi, Klodiana Spahiu, Ilir Beqja e Tom Doshi”, - njoftoi PS-ja në mbrëmje. “Kam 5 fëmijë, po më vdesin urie. Kam blerë tokë e lopë, i kam mbajtur me pikë të zorit, më kanë ngordhur edhe ato. Ky është shteti që ka marrë Sali Berisha, që votojnë të tanë këtu për Sali Berishën”, - tha një banore e zonës në dialekt. Ndërsa një tjetër banor tha se “ky Drin nga ardh” nga dora e robit, prandaj derisa ka ardhur nga dora e robit, na sill lundrat e shpëtimit të shpëtojmë kafshët, bazën ushqimore, njerëzit”. I njëjti banor vërejti se nuk mund të përballohet me 600 gramë ujë “për frymë me pru për tash 10 ditë”. “Vijnë ndihmat me helikopter, por unë nuk i kam parë, sepse nuk kanë shkarkuar, vijnë në Velipojë dhe nuk shpërndahen. Vijnë 6 pako në lagjen “Selmanaj”. Kjo është katastrofë, nga këta njerëz të pashpirt, të paformuar për këta njerëz. çdo njeri, majtas e djathtas, të çohet në këmbë t’i ndihmojnë këta njerëz, sepse ekonomia e tij ka shkuar në zero. Sot për sot nuk kam besim te ky shtet, se më ndihmon apo jo”, - vijoi ai.
 
 
Dokle: Veriu nën ujë, për shkak të shkarkimeve të vonuara    
Ish-zëvendëskryeministri Namik Dokle, deputet i Partisë Socialiste, deklaroi se Veriu ndodhet nën ujë, për shkak të shkarkimeve të vonuara. Duke hequr paralele mes periudhës kur qeveria e kryeministrit Fatos Nano, zëvendës i të cilit ishte në 2004, hapi portat e HEC-it të Vaut të Dejës me gjendjen e sotme. Dokle bëri dallimin mes vendimeve të ndryshme që u morën në atë kohë për hapjen para kohe të portave të hidrocentraleve dhe atë të marrë nga qeveria aktuale, vendim të cilin e konsideron të vonuar, e që për pasojë, solli katastrofën e përmbytjeve në Shkodër. “Ne shmangëm katastrofën, edhe pse na akuzuan se po i hapim portat para kohe për të blerë energji nga jashtë dhe për pasojë u cilësua si korrupsion. Sot ndodh e kundërta: ata i mbajtën digat sipër kuotës që parashikon rregullorja për të shitur energji dhe kjo shkelje solli këtë tragjedi”, tha Dokle sipas “Vizion Plus”. Dokle shtoi se e gjithë tragjedia, siç e cilëson ai, ka ardhur si pasojë e keqmenaxhimit nga ana e qeverisë. Ai pohon se jo vetëm që nuk është respektuar rregullorja, që përcakton qartë se në çfarë niveli duhet të nisë shkarkimi i hidrocentraleve, por ka edhe gënjeshtra, kur pohohet se vendimi për hapjen e tyre është bërë nga një mbledhje fantazmë në muajin nëntor. Dokle lëshoi kritika dhe për qëndrimin e deritanishëm të Presidentit të Republikës, duke nisur që nga mosthirrja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Sipas ish-zëvendëskryeministrit Dokle, politika nuk duhet të ndërhyjë në menaxhimin e situatave, siç në fakt po bën qeveria aktuale.
 
 
 
Gjana: Kemi mjetet për kompensimin e banorëve
Ish-ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, deklaroi dje, se qeveria shqiptare i ka të gjithë mjetet për kompensimin e të gjithë dëmeve që janë shkaktuar nga përmbytjet në Shkodër. Referuar medias vizive, Gjana, i cili është edhe kreu i Komisionit Kuvendar për Veprimtaritë Prodhuese, tha se ka një organizim, që përveç buxhetit të shtetit, edhe njësitë vendore dhe bizneset të kontribuojnë për banorët e përmbytur. Gjana kritikoi Bashkinë e Tiranës, që sipas tij, deri tani nuk është solidarizuar. “Shteti do të paguajë plotësisht dëmet, vetëm për shkak të mungesës së plotë të kulturës së sigurimit të pronës dhe pasurisë, kulturë që mbizotëron në vende të tjera”, tha Gjana sipas “Ora News”, duke dhënë kështu një version të arsyes, se përse qeveria shqiptare mori përsipër dëmshpërblimin, në një kohë që e cilëson si katastrofë natyrore. Ndërkaq, Gjana thotë se pas kapërcimit të situatës emergjente dhe pas dëmshpërblimit të banorëve të Shkodrës, duhet të punohet shumë për forcimin e argjinaturave, për të shmangur rreziqet në çdo rast. Në cilësinë e kryetarit të Komisionit Kuvendar të Veprimtarisë Prodhuese, Gjana tha se puna e komisionit që drejton, do të përqendrohet në monitorimin e situatës në Shkodër deri në shpërndarjen e dëmshpërblimeve.
 
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›