Meta: Berisha fsheh krime politikanësh
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, akuzoi Kryeministrin Berisha se përmes shantazhit që i bën deputetëve të Parlamentit për dosje korruptive ndaj tyre, po kryen shkelje penale. “Si mund të luftohet krimi dhe korrupsioni nga një kryeministër i tillë, në rast se ai vetë ruan e fsheh krime të politikanëve të tjerë, qofshin këta edhe të opozitës, ndërkohë kur ka bërë një spot që i bënë thirrje gjithë qytetarëve shqiptarë që të denoncojnë tek ai çdo rast abuzimi dhe shkelje të ligjit. Ndaj ne e denoncojmë këtë fakt si një përgjegjësi jo vetëm politike, por edhe penale, pasi të fshehësh fakte kriminale do të thotë të mbash përgjegjësi penale në një shtet ligjor”, tha Meta. Këtë deklaratë kreu i LSI-së e bëri gjatë një konference për shtyp në selinë e kësaj partie. Sipas tij, Kryeministri Berisha duhet të përgjigjet për akuzat në adresë të tij, që e cilësojnë të lidhur me krimit dhe korrupsionin. “Kur do t’i nxjerrë këto dosje zoti Berisha, apo atëherë kur të prishen pazaret që ka bërë me ata që kërcënon?
Ndaj përdorimi i krimit e korrupsionit si mjet shantazhi për të trembur çdokënd që thotë të vërtetat e rënda të përfshirjes së Sali Berishës në rrjetet e mafies e trafikut ndërkombëtar, është dy herë përgjegjësi e rëndë jo vetëm përpara opinionit publik, por edhe përpara ligjit”, tha Meta. Kryetari i LSI-së denoncoi shantazhin, sipas tij, të kryeministrit në Kuvend në adresë të deputetëve të Kuvendit. “Sali Berisha sfidoi sërish Parlamentin, duke kërkuar, madje, duke u lutur me hipokrizi për mocion mosbesimi, pasi ai e di mirë se çfarë bëri me ndryshimet e Kushtetutës në 21 prill: Bëri pikërisht të pamundur çdo lloj mocioni mosbesimi ndaj tij nga ana e opozitës dhe Parlamentit, duke siguruar për fat të keq, për aq kohë sa do të jetë në postin e kryeministrit, imunitet të plotë ndaj aktivitetit të tij mafioz dhe kriminal”, tha Meta. Sipas tij, “tashmë është forcuar bindja e shumicës së shqiptarëve se vetëm duke ikur Sali Berisha vendi mund të shpëtojë nga krimi, nga korrupsioni dhe pengmarrja. Ai u soll përpara përfaqësuesve të popullit shqiptar si një pronar gangster i Parlamentit, duke shkelur çdo kufi e standard të moralit politik e njerëzor”, tha Meta.