E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Fondi për Gërdecin, 1.5 miliardë lekë

Qeveria ka përcaktuar dje vlerën e kompensimit për të gjitha objektet private të shkatërruara nga tragjedia e Gërdecit. Këshilli i Ministrave, duke përllogaritur bilancin e katastrofës së 15 marsit, ka akorduar dje 1.5 miliardë lekë për dëmet materiale. Në një hark kohor prej katër ditësh u shqyrtuan mbi 4200 banesa, nga të cilat 3615 rezultuan me dëme të shkallëve të ndryshme nga rrafshimi i plotë, te dëme të rënda, mesatare dhe të lehta. "I gjithë ky material, ose i gjithë ky proces vlerësimi, në të gjitha rastet, u bë në praninë e kryefamiljarit, ose të familjarëve të autorizuar. Të gjithë formularët e vlerësimit u firmosën jo vetëm nga vlerësuesit, por në marrëveshje të plotë edhe nga të dëmtuarit", tha Berisha. Kryeministri bëri të ditur se vlerësimi i përfunduar përfshin vetëm objekte private dhe jo ato publike të dëmtuara, të cilat do të trajtohen nga ministri të veçanta. Numri i objekteve të dëmtuara në qytetin e Vorës është 1112 objekte. Në Marqinet 365 objekte, ku përshihen shtëpi dhe klube, në Gjokaj 253 objekte, Picar 239 objekte, Kodër Vorë 297 objekte, Gërdec 109 objekte, Sharrë 139 objekte, Mucaj 359 objekte, Marikaj 651 objekte, biznese 32, ferma bujqësore 34, bagëti të fermave bujqësore 25. Kryeministri informoi se vlera e punimeve ndërtimore në zonën e emergjencës do të jetë e përjashtuar nga çdo lloj takse. Vlera totale e objekteve private të dëmtuara, e cila përfshin edhe vlerën e orendive shtëpiake dhe pajisjeve elektronike arrin vlerën e 1.571.898.399 lekëve. Duke bërë të ditur se kjo shumë do të bëhet disponibël menjëherë për të gjithë kryefamiljaret, apo familjarët e autorizuar të 3615 objekteve shtëpi dhe biznese, Kryeministri u shpreh se këtu nuk përfshihen shpërblimet e tjera apo shpenzimet e bëra nga konvaleshenca, ku ndodhen mbi 600 banorë të sistemuar. Kryeministri kërkoi që bazuar në fotot ajrore, ekipet e vlerësimit të bëjnë vlerësimin e ullinjve dhe të drurëve frutorë, të cilët bëjnë pjesë në pronën e familjeve të dëmtuara. Ndër të tjera, Kryeministri kërkoi nga Ministria e Financave që të marrë masa për të bërë sa më parë disponibël fondin dhe përcaktimin e mënyrave të shpërndarjes së tij. Duke kërkuar hapjen e llogarive bankare për familjet sipas listave të hartuara, Kryeministri tha se është i domosdoshëm një proces trajnimi për përdorimin e këtyre llogarive nga ana e qytetarëve. "Zoti ministër i Financave është jashtëzakonisht e rëndësishme që jo vetëm të bëhen sa më parë disponibël fondet, por të përcaktohen dhe modalitetet e këtij disponimi. Këto para duhet të vendosen në llogaritë bankare të familjeve, sipas listave të hartuara. Në rast se ka vështirësi në shfrytëzimin e depozitave bankare, është i domosdoshëm një proces edukimi dhe trajnimi i qytetarëve", tha Berisha. Zyra e shtypit në Kryeministri bën me dije se në bazë të informacioneve të marra nga Drejtoria e Përgjithshme e Postave dhe Bashkia Vorë ka vazhduar normalisht shpërndarja e fondit të emergjencës për fshatin Gërdec dhe Marqinet. Vlera e këtij fondi arrin në rreth 86 milionë lekë. Shpërndarja e parave ka nisur ditën e diel (23.03.08) dhe deri mesditën e djeshme ka përfunduar shpërndarja e ndihmës për banorët e fshatit Gërdec. Sipas informacioneve nga zyra e shtypit pranë Kryeministrit, nga 177 familje në këtë fshat, kanë tërhequr paratë 172 familje dhe kanë mbetur pa tërhequr vetëm 5 prej tyre.

Shpërthimi i Gërdecit lëkund buxhetin e shtetit

1,5 miliardë lekë, nga fondi i emergjencës

Nuk kanë kaluar as tre muaj nga miratimi i buxhetit të shtetit për vitin 2008 dhe qeveria po planifikon ndryshimin e tij. E detyruar për të përballuar dëmet e mëdha të shkaktuara nga shpërthimi i fabrikës së municioneve në fshatin Gërdec të Vorës, Këshilli i Ministrave do të prekë fondin rezervë, i cili përdoret për raste të paparashikuara të institucioneve buxhetore. I miratuar në dhjetor të vitit të kaluar, ky fond llogaritet në 1,8 miliardë lekë, ndërsa me ndërhyrjen që do t‘i bëhet për "dëmet e Gërdecit", qeverisë nuk do t‘i mbeten më shumë se 300 milionë lekë. Diferenca e mbetur nuk garanton asgjë në rast katastrofash civile, ose dëme materiale dhe financiare, si kjo që ndodhi në fshatin Gërdec, e për rrjedhojë, Ministria e Financave do të duhet të kryejë nga e para kalkulimet për të mbushur arkën bosh të rezervave të shtetit. Burime nga ministria shprehen të sigurt se fatura financiare e dëmshpërblimit prej rreth 1,5 miliardë lekësh nuk do të lëvrohet brenda një muaji, pasi kërkon procedura të njëpasnjëshme deri në zbatimin final të saj. "Në këtë mënyrë do të mbërrijë periudha e hartimit të buxhetit suplementar, për pjesën e dytë të vitit, duke dhënë mundësi në zëvendësimin e parave të dala nga fondi i emergjencës së Këshillit të Ministrave. Kështu që për momentin nuk shihet asnjë shqetësim për ndryshim të buxhetit, për aq kohë sa në planet e qeverisë duket hartimi i projektbuxhetit suplementar", sqaron për gazetën Ministria e Financave. Pavarësisht kësaj, me 300 milionë lekë të mbetura në arkë, qeveria nuk është aspak e qetë në procesin e mbarëvajtjes së punëve. Vetë Kryeministri Berisha, pak ditë më parë deklaroi se ekzistojnë të gjitha mundësitë për të ndryshuar buxhetin e shtetit, disa zëra të tij, në mënyrë që të përballohet me sukses katastrofa e shkaktuar në fshatin Gërdec.

Som

Me 300 milionë lekë të mbetura në arkë, qeveria nuk është aspak e qetë në procesin e mbarëvajtjes së punëve, duke e detyruar të ndryshojë buxhetin

Kërkesa

Berisha, ndihmë Pentagonit për Gërdecin

Në fjalën në mbledhjen e qeverisë, Kryeministri Berisha vlerësoi punën dhe kurajën e forcave të ushtrisë e policisë për përballimin e ngjarjes së Gërdecit. "Vlerësimi i dëmeve në zonë do të ishte i pamundur pa kontributin thelbësor, pa guximin, trimërinë, kurajën e njësive ushtarake dhe forcave të rendit, të cilat bënë të mundur për faktorin civil që të hyjnë në fushë dhe të realizojnë vlerësimin", u shpreh Kryeministri. Sipas tij, repartet e ushtrisë në këtë zonë kanë punuar me të njëjtën shpejtësi, përgjegjësi dhe përkushtim që kanë punuar grupet e vlerësimit, por në kushtet e një rreziku shumë të madh. "Në raportimin e fundit, ata informojnë se nga 1000 ha zonë e banuar, e infektuar, 900 ha janë tërësisht të kontrolluara dhe autorizojnë në këtë zonë qarkullimin në banesa dhe në rrugët rreth tyre. Ndërkohë janë 100 hektarë, përfshi edhe vendin ku ndodhi eksplozioni, është në kontroll e sipër", tha ai. Kryeministri Berisha informoi se i është paraqitur Pentagonit një kërkesë për të ndihmuar në trajtimin e kësaj zone, duke shpresuar në një përgjigje pozitive.

Dëmtimet

Për katër ditë, qeveria ka shqyrtuar mbi 4200 banesa, nga të cilat 3615 rezultuan me dëme të shkallëve të ndryshme nga rrafshimi i plotë, te dëme të rënda, mesatare dhe të lehta. Numri i objekteve të dëmtuara në qytetin e Vorës është 1112 objekte. Në Marqinet 365 objekte, në Gjokaj 253 objekte, në Picar 239 objekte, në Kodër Vorë 297 objekte, Gërdec 109 objekte, Sharrë 139 objekte, Mucaj 359 objekte, Marikaj 651 objekte dhe 32 biznese.

Fondi

Këshilli i Ministrave, duke përllogaritur bilancin e katastrofës së 15 marsit ka akorduar dje 1.5 miliardë lekë për dëmet materiale. Këto para do të përdoren vetëm për të kompensuar shtëpitë e shkatërruara dhe pajisjet shtëpiake. Kryeministri i kërkoi ministrit të Financave që përveç faktit që fondet të bëhen sa më parë disponibël, të përcaktohen edhe modalitetet e këtij disponimi. "Këto para duhet të vendosen në llogaritë bankare të familjeve, sipas listave të hartuara", tha Berisha.

Vlerësimi

Materiali për vlerësimin e dëmeve është bërë në praninë e kryefamiljarit ose të familjarëve të autorizuar. Berisha ka bërë me dije se të gjithë formularët e vlerësimit u firmosën jo vetëm nga vlerësuesit, por në marrëveshje të plotë edhe nga të dëmtuarit. Vlerësimi i përfunduar përfshin vetëm objekte private dhe jo ato publike të dëmtuara, të cilat do të trajtohen nga ministri të veçanta. Berisha tha se bazuar në fotot ajrore, ekipet e vlerësimit të bëjnë vlerësimin e tokës së dëmtuar

SSSASS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›