Opozita: Do të nisin protestat në sheshe
Kryesia e Partisë Socialiste rikonfirmoi dje qëndrimin për dorëheqje të Kryeministrit dhe kërkesën për lënien e imunitetit. Edi Rama nënvizoi se selia rozë nuk do të lejojë asnjë devijim nga procesi i integrimit në NATO e do të angazhohet për të garantuar marrjen e ftesës. Por, nga ana tjetër nënvizoi Rama, ngjarja e paharrueshme që shkaktoi kaq shumë viktima dhe që nxori në pah lakuriq papërgjegjshmërinë, paaftësinë dhe korrupsionin që e ka kapur në fyt qeverinë dhe Kryeministrin është nga njëra anë një arsye më shumë për t‘u bërë pjesë e proceseve integruese. "Është nga ana tjetër një detyrimi pashmangshëm i Partisë Socialiste, i të gjithë opozitës, që sot është një popull i tërë i indinjuar me këtë Kryeministër që nuk arrin dot të marrë përgjegjësinë e tij të pashmangshme politike dhe morale, e që duhet njëkohësisht të dorëhiqet, duke dorëzuar edhe imunitetin, për të marrë edhe përgjegjësinë ligjore që ka eventualisht në një proces që e shikon atë të përfshirë këmbë e duar", nënvizoi Rama. Sakaq, Partia Socialiste do t‘i drejtohet sërish sheshit "Skënderbej" për të shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë "Berisha". Sekretari organizativ i socialistëve, Blendi Klosi, siguroi se selia rozë do të protestojë për të dëshmuar se pa ikjen e këtij Kryeministri kjo qeveri s‘ka asnjë moral të qeverisë Shqipërinë dhe shqiptarët. "Nuk do heqim dorë nga kërkesa për dorëheqjen e hetim të plotë të përfshirjes së Sali Berishës në aferën e Gërdecit", theksoi Klosi. Sipas tij, gjatë këtyre ditëve është dukur mungesa e reagimit të munguar të Kryeministrit Berisha në raport me përgjegjësinë e tij të pashmangshme politike dhe morale në tragjedinë e Gërdecit. "Si dhe ndaj justifikimeve të patolerueshme dhe përpjekjeve të turpshme për t‘ua hedhur fajin të tjerëve", u shpreh ai. Klosi vlerësoi se deklarimet e papërgjegjshme të Kryeministrit gjatë fundjavës, treguan qartë se ai nuk e ka dëgjuar heshtjen kuptimplotë të bulevardit "Dëshmorët e Kombit" ku, dhjetëra mijëra qytetarë ecën së bashku për të shprehur me dinjitet hidhërimin. Sekretari organizativ vuri theksin te Kryeministri i përfshirë familjarisht në zullumin e madh, që vrau njerëz e shkatërroi familje e prona. Protesta, shtoi ai, realizohet përpara një Kryeministri, që bën sikur nuk dëgjon zërin e popullit të tij. Qeveria, nënvizoi Klosi bën sikur menaxhon krizën, që shkaktoi me papërgjegjshmërinë, paaftësinë dhe korrupsionin e vet. "Një mazhorancë, që bën sikur qëndron bashkë, duke shtuar përditë llumin e batakut e të korrupsionit.
Në homazh të këtij hidhërimi, ne nuk do të heqim dorë nga kërkesa për dorëheqjen e hetim të plotë të përfshirjes së Sali Berishës në aferën e Gërdecit", vijoi Klosi. Klosi shprehu habi për fatin se Kryeministri Berisha ia mohoi opozitës të drejtën për të kërkuar imunitetin e tij. "Ndërkohë që ka tre vjet që deklaron se është gati ta lërë atë në çdo rast. Por, nuk na çudit fare frika e tij nga heqja e imunitetit në kushtet, që të gjitha indiciet të bëjnë të mendosh që Kryeministri nuk ka vetëm përgjegjësi politike e morale për masakrën e Gërdecit, por edhe përgjegjësi ligjore", tha Klosi. Në pritje që prokuroria të nxjerrë përgjegjësitë e tija ligjore, sqaroi ai, ne do të vijojmë të kërkojmë përgjegjësitë e tij politike e morale, përmes dorëheqjes, si kërkesë që vjen nga miliona shqiptarë, të cilët janë thyer në zemër dhe fyer në dinjitetin e tyre nga ky Kryeministër.
SSSASS