Denoncon burrin, merret në mbrojtje
Dhunë në familje, gruaja merret në mbrojtje nga policia. Pas denoncimit të një gruaje për keqtrajtim të vazhdueshëm fizik dhe emocional nga ana e bashkëshortit, shërbimet e specializuara të Policisë së Durrësit për mbrojtjen e fëmijëve ndaj dhunës familjare kanë nisur procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit Ramiz Toshi, 40 vjeç, lindur në fshatin Nimç të Kukësit e banues në Shkozet të Durrësit. Kallëzimi ndaj tij është bërë ditën e diel pranë seksionit të mbrojtjes së të miturve dhe dhunës në familje të Drejtorisë së Policisë Durrës nga bashkëshortja. Ajo ka deklaruar se është dhunuar në mënyrë sistematike fizikisht e psikologjikisht nga i shoqi Ramiz Toshi. Pas marrjes së denoncimit, burimet policore bënë të ditur se u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, ndërsa materialet për veprën penale të dëmtimeve të tjera me dashje i kaluan për ndjekje Prokurorisë së Durrësit.
SSSASS