E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhafaj: Mosveprimet e Kryeministrit Berisha

Sekretari për çështjet ligjore në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafaj, insistoi dje në faktin se në Gërdec ka ndodhur një krim i lidhur me korrupsionin shtetëror. Ai rreshtoi faktet që vërtetojnë veprimin apo mosveprimin e Kryeministrit Berisha çka e ngarkon me përgjegjësi. "Në Gërdec nuk ka ndodhur thjesht një ngjarje. Për më tepër nuk ka ndodhur thjesht një vepër penale e lidhur me mosrespektimin e disa rregullave teknike. Jo! Në Gërdec ka ndodhur një krim i përmasave të jashtëzakonshme", tha Xhafaj. Një krim, që sipas tij në Kodin Penal cilësohet vrasje. Një vrasje me jo pak, por deri tani me 22 jetë njerëzish dhe me dhjetëra të tjerë të dëmtuar rëndë e shumë të plagosur. "Një vrasje që duhet të hetohet si një krim për të cilin ka bashkëpunëtorë në cilësinë e organizatorit dhe ekzekutorëve", u shpreh Xhafaj. Ai identifikoi në krye të hierarkisë së kësaj strukture qytetar vrasëse Kryeministrin e vendit. "Ai me veprimet apo mosveprimet e tij ka krijuar kushtet ligjore e administrative për krijimin e kësaj tragjedie. Ai me veprimet apo mosveprimet e tij nuk ka marrë masat e nevojshme që të parandalohet një krim i këtyre përmasave", argumentoi ai. Xhafaj shtroi pyetjen se përse duhet një Kryeministër që është i pazoti dhe i paaftë të drejtojë, të kontrollojë në ushtrimin e detyrës makinën shtetërore që ka marrë përsipër nën përgjegjësinë e tij të drejtojë? "Përse duhet një Kryeministër i tillë kur funksionarët e tij të lartë shtetëror si p.sh. dora vetë shefi i Shtabit të Përgjithshëm jo thjesht vizitojnë këtë fabrikë vdekjeje në terren, por edhe e mbështesin atë me mjete shtetërore e nëpunës të shtetit?", theksoi Xhafaj. Duke nënvizuar edhe se Kryeministri me mosveprimet e tij nuk kontrollon zbatimin e vendimeve që vet miraton e firmos dhe për më tepër kur ka të dhënat e nevojshme që me atë vendim po abuzohet dhe cenohet siguria shtetërore e njerëzore. Partia Socialiste konstaton se Kryeministri i vendit ka qenë plotësisht i informuar, siç e ka pranuar edhe vetë, të paktën një muaj përpara shpërthimit të tragjedisë. "Siç ai vetë ka pranuar në tryezën e tij një muaj më parë, ai kishte të gjithë informacionin e nevojshëm që i bënte me dije se emri i tij dhe i të birit ishin të përmendur në këtë aferë, bashkë me emrin e biznesmenit të hekurit me rekorde kriminale dhe të një zyrtari të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes", këmbënguli Xhafaj. Sipas tij, Kryeministri nuk i kërkoi SHISH një hetim për parandalimin e çdo situate që do të cenonte sigurinë kombëtare. "Ai nuk i kërkoi llogari dhe as informacion ministrit të tij të Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm për atë çka po ngjiste në Gërdec. Ai nuk i caktoi detyrën dhe as i kërkoi Drejtorisë së tij të Kontrollit të Brendshëm të verifikonte zbatimin e vendimit të qeverisë të firmosur prej tij", u shpreh Xhafaj. Deputeti socialist, insistoi në faktin se Kryeministri nuk i kërkoi ministrit të Brendshëm, i cili ka një trupë permanente të stacionuar në Vorë, nuk kërkoi ndërhyrjen e ministrit të Financave për të kontrolluar se çfarë po ndodhte në këtë fabrikë vdekjeje në zonën më të industrializuar të vendit. "Nën maskën e përpjekjeve për normalizimin e gjendjes, Kryeministri po kryen ditë mbas dite një tjetër atentat të rëndë kundër sigurisë kombëtare", tha Xhafaj. Mënyra e hetimit të kësaj çështjeje, shtoi ai, adresimi i emrave të fajtorëve te kryefajtori i vërtetë, është i vetmi shans që organi i akuzës të dëshmojë se varet nga Kushtetuta dhe ligjet e shtetit.SSSASS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›