Berisha: ”Fshati Gërdec do të rindërtohet plotësisht”
Kryeministri Berisha konfirmoi se fshati Gërdec, i përfshirë në një fatkeqësi, do të rindërtohet me shpenzimet e shtetit. Ai deklaroi ditën e djeshme se gjatë këtyre dy ditëve mund të zhvillohet një takim me përfaqësuesit më kryesorë të fshatit të Gërdecit për të diskutuar planin e rindërtimit dhe riurbanizimit të këtij fshati. “Fshati Gërdec është rrënuar. Mund të bëhet këto dy ditë një takim me përfaqësuesit më kryesorë të këtij fshati. Në qoftë se ata duan ne shtëpitë ua ndërtojmë aty ku i kanë. Në rast se dëshirojnë ne u ndërtojmë një fshat në përputhje me një plan të ri”, - u shpreh kryeministri Berisha duke shtuar se kjo kërkon ujdi të plotë mes banorëve. Gjithashtu, kryeministri nënvizoi se do të bëhet regjistrimi i plotë i të gjitha dëmtimeve të bizneseve, të cilat kanë qenë burim punësimi dhe mirëqenie në atë zonë. “Ndihmë dhe kreditim me përparësi për to, që të rrisim kapacitetet dhe të mund të punësojmë më shumë nga zona. Ushtria po bën një punë shumë të madhe qoftë në kërkim qoftë në çminim, por do të jetë e domosdoshme që xhenio të përgatitet me të gjitha mjetet të vendoset në fushim aty sepse me xhenion do të bëhet një punë më e zgjatur në zonë”, - tha kryeministri Berisha.
Ndryshon propozimi, nuk do të jepen tapi toke në zonat bregdetare
Ministria e Bujqësisë ka ribërë një propozim të ri në lidhje me projektligjin “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, ku ka kërkuar që asnjë titull pronësie nuk do të jepet te tokat turistike dhe bregdetare, të cilat janë marrë nga poseduesit. Neni numër 9 i projektligjit në fjalë ka qenë objekt i diskutimeve të shumta në Komisionin e Ligjeve dhe atë të Veprimtarive Prodhuese në Parlament, duke bërë që Ministria e Bujqësisë të riformulojë projektligjin. Aktualisht projektligji shprehej se “gjatë verifikimit të dokumentacionit vëren se titulli i pronësisë mbi tokën është lëshuar në kundërshtim me dispozitat e përcaktuara në nenet 2, 3 e 4, të kreut I, të këtij ligji, dhe mbajtësi i titullit të pronësisë e posedon dhe shfrytëzon tokën faktikisht, nëse nuk preken interesat e ligjshme të personave të tretë, i ofron mbajtjen në pronësi të tokës bujqësore dhe ligjërimin e titullit të pronësisë kundrejt detyrimit për ta paguar atë, në masën e plotë të vlerës, të llogaritur me çmimet, sipas hartës së vlerës së tokës, pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronës”. Ky nen do të ndryshojë duke përcaktuar se do të përjashtohen nga e drejta për të kërkuar pronësi të gjithë personat që kanë marrë toka në mënyrë të paligjshme në zonat bregdetare.
18 Mars 2008