Berisha: ”Ftesa për në NATO, falënderoj edhe opozitën”
Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje, gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, se roli i opozitës në procesin e anëtarësimit të vendit në NATO ka qenë një rol me përgjegjësi të larta dhe e ka pasur si objektiv parësor. Sipas kryeministrit Berisha, anëtarësimi i vendit në NATO mbetet jetik ndaj dhe roli i opozitës duhet vlerësuar për mbështetjen politike të saj në këtë proces të rëndësishëm dhe historik për Shqipërinë. “Ato as janë dhe as nuk duhet të jenë euforike, por mbeten përgjegjësi shumë e madhe jona, për të shpejtuar dhe konsoliduar reformat, për të arritur standardet e duhura. Unë vlerësoj qëndrimin e opozitës, e cila në përputhje me programin e saj ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin për reformat integruese, sepse këto reforma janë aq të mëdha, saqë para tyre, interesat e tjera bëhen dytësore”, - theksoi kryeministri. Ai vuri në dukje se kjo javë është javë historike për NATO-n, por shumë herë më historike për Shqipërinë. “Në datën 3 prill, kryetarët e shteteve dhe qeverive të 26 vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut votojnë, me shpresën tonë më të madhe, që Shqipëria të marrë ftesën për anëtarësim në NATO”, - u shpreh kryeministri. Sipas tij, kjo përbën ngjarjen më të madhe politike për Shqipërinë që nga vendosja e pluralizmit politik, si dhe zhvillimin më historik në fushën e sigurisë së saj, që nga shpallja e pavarësisë deri sot. Ky proces, - u shpreh Berisha, - vjen pas një përpjekjeje të madhe të Shqipërisë dhe shqiptarëve, pas një bashkëpunimi të ngushtë 16-vjeçar në të gjitha fushat. “Kjo është rrjedhojë e transformimeve të mëdha të Shqipërisë gjatë këtyre viteve, nga vendi i sistemit totalitar dhe i hiperkolektivizmit total, në vendin e demokracisë funksionuese dhe ekonomisë së tregut; nga vendi bunker, në vendin e një ushtrie që merr pjesë në të gjitha operacionet e NATO-s. Ky ishte vlerësimi më maksimal që u bëhen reformave të këtij vendi, të ndërmarra gjatë këtyre 2-3 viteve të fundit. Ky vlerësim i progresit të Shqipërisë, si një progres frymëzues për vende të tjera të rajonit, është një garanci si për ftesën e datës 3 prill, ashtu edhe për shpejtimin e të gjitha hapave të tjerë në projektet tona të mëdha, integrimin në NATO dhe integrimin në BE”, - vijoi Berisha. Në fund të fjalës së tij, Berisha u shpreh se ftesa për në NATO është një fillim i madh, nuk është një fund, dhe se në shtator të vitit 2005 nuk mund të mendohej se kjo ditë do të ishte kaq e afërt.
1 Prill 2008