E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Të premten në protestë “Pro NATO-s, kundër Berishës”



Shaban Sulçe

Edi Rama, kryetari i Partisë Socialiste, nuk e ka fshehur entuziazmin për mundësitë e mëdha të Shqipërisë për të marrë ftesën e anëtarësimit për në NATO gjatë Samitit të Bukureshtit. Por kreu i selisë rozë është shfaqur skeptik dhe kritikues ndaj qeverisë “Berisha”, që, sipas tij, me paaftësinë dhe korrupsionin që e karakterizon, nuk do të jetë në gjendje për të plotësuar kriteret për ta anëtarësuar Shqipërinë përfundimisht në strukturën e rëndësishme euroatlantike të NATO-s. Për këtë arsye, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i ka ftuar të gjithë shqiptarët që të bashkohen në protestën e ditës së premte, e cila do të zhvillohet në sheshin “Skënderbej”. Sipas Ramës, në këtë protestë do të kërkohet largimi i menjëhershëm i qeverisë dhe i kryeministrit Berisha që janë edhe përgjegjësit kryesorë të tragjedisë së Gërdecit.
Ftesa e anëtarësimit
Kreu i selisë rozë deklaroi se marrja e ftesës së anëtarësimit për në NATO nënkupton rritjen e përgjegjësisë për Shqipërinë, e cila duhet të realizojë reformat e kërkuara. Por, sipas Ramës, këto reforma nuk mund të realizohen nga qeverisja e dështuar, e korruptuar dhe e papërgjegjshme e kryeministrit Sali Berisha.
“Të vetëdijshëm për momentin historik, që po kalon vendi dhe që kulmon me Samitin e Bukureshtit, në të cilin Shqipëria pret, le të shpresojmë ftesën për anëtarësim në NATO, që do të thotë reforma, reforma, reforma. Të vetëdijshëm se mes nesh dhe së ardhmes sonë euroatlantike qëndron një qeveri e papërgjegjshme, e paaftë dhe e korruptuar deri në palcë, si dhe një kryeministër, që është shëmbëlltyra e politikës së vjetër e së shkuarës dhe përgjegjësi kryesor i tragjedisë së Gërdecit dhe i të gjitha dramave aktuale të shoqërisë shqiptare, që janë papunësia në rritje, varfëria e kudondodhur, pasiguria ekstreme e jetës, dhuna e krimi në familje, korrupsioni sistematik”, - tha Rama.
Protestat
Kreu i selisë rozë ftoi të gjithë shqiptarët për të marrë pjesë në protestën e ditës së premte. Rama tha se kjo protestë do të jetë shprehje e mbështetjes së shqiptarëve për t’u anëtarësuar në NATO, si dhe shprehje e dëshirës së tyre për t’u ndarë njëherë e mirë nga qeverisja e dështuar e Sali Berishës. “Ne socialistët shqiptarë i përgjigjemi pozitivisht kërkesës së mijëra qytetarëve dhe qytetareve shqiptare për organizimin e një manifestimi të madh në sheshin “Skënderbej”, të premten e kësaj jave, për të shprehur vullnetin e palëkundur qytetar që të ecim në rrugën e së ardhmes sonë në NATO dhe njëkohësisht vullnetin po aq të palëkundur për t’u ndarë nga kjo qeveri e politikës së vjetër të së shkuarës e drejtuar prej njeriut që duhet të japë dorëheqjen dhe të lëshojë imunitetin e tij si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit dhe për skandalin e trafikut të armëve. Në manifestimin e së premtes, qytetaret dhe qytetarët shqiptarë do të shprehin bindjen konsensuale të këtij populli për përkatësinë tonë të natyrshme në familjen e popujve aleatë të rreshtuar në NATO, si dhe kërkesën e shumicës absolute të shqiptarëve për dorëheqjen e kryeministrit dhe zbardhjen deri në fund të krimit shtetëror, që polli bombën e Gërdecit dhe që turpëroi Shqipërinë në sytë e botës me skandalin e armëve të trafikuara. Unë i ftoj të gjithë bashkëqytetarët dhe bashkëqytetaret tona, që duan t’i thonë po NATO-s dhe jo Berishës, që pasditen e së premtes të jenë në Sheshin Skënderbej”, - deklaroi kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama.

1 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›