E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Ftoj shqiptarët të bashkohemi në sheshin “Skënderbej”



Kryeministri Sali Berisha ftoi dje qytetarët e mbarë vendit t’u bashkohen festimeve në sheshin “Skënderbej” për të nderuar 8 Dhjetorin, ditën që studentët shqiptarë u ngritën kundër diktaturës më të egër të Evropës. Në një mbledhje të kryesisë së Partisë Demokratike të Tiranës, kreu i qeverisë, Berisha, deklaroi se 8 Dhjetori është dita e shembjes së Murit të Berlinit në Shqipëri. “Ne kemi një arsye tjetër shumë të madhe për t’u bashkuar të gjithë në sheshin “Skënderbej” në 8 dhjetor, sepse ne jemi burrat dhe gratë që shembëm 19 vjet më parë Murin e Berlinit në Tiranë. Ne sot qëndrojmë në kursin e historisë të shndërrimit të ëndrrave tona në realitet, të shndërrimit të idealit të dhjetorit në realitet, lokomotivë e integrimit të këtij vendi”, - tha Berisha.

Kreu i qeverisë ftoi qytetarët pavarësisht bindjeve politike të bashkohen në sheshin “Skënderbej”. Ai tha se projekti i të gjithë shqiptarëve është Shqipëria evropiane. “Unë ftoj të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga bindjet partiake, që i besojnë pluralizmit, vlerave të tij; ftoj të gjithë shqiptarët pavarësisht bindjeve partiake, për të cilët ëndrra evropiane është projekti më i bukur për ata dhe familjet e tyre; ftoj të gjithë shqiptarët, për të cilët liria dhe vlerat e saj janë vlerat më të çmuara; ftoj të gjithë shqiptarët, për të cilët familja është vlerë themelore e kësaj shoqërie, të bashkohemi në sheshin “Skëndërbej” për të festuar një ditë ndër më të mëdhatë në historinë e kombit tonë, për t’u bashkuar me të gjitha kombet e Evropës që festuan në nëntor me një madhështi të merituar, të paparë, rrëzimin e Murit të Berlinit, 20-vjetorin e rënies së tij”, - shtoi Berisha. Lideri i mazhorancës së djathtë tha në fjalën e tij se më 8 dhjetor do të nderohen sakrificat e studentëve dhe qytetarëve shqiptarë që dhanë jetën e tyre për liri. Ai tha se sot jemi në një mision për të kompletuar lirinë e shqiptarëve. “Në 8 dhjetor ne nderojmë përpjekjen tonë të madhe në këto 19 vite, sakrificat e mëdha që bëmë për të mos u mposhtur. Janë të shumtë ata që nga 8 dhjetori gjer sot ranë për t’u bërë të pavdekshëm dhe prehen sot në altarin e lirisë. Por forcat politike që lindën nga 8 Dhjetori, shpirti dhe ideali i 8 Dhjetorit mbetën të pamposhtura. Sot ne jemi sërish në timon, sot ne jemi në mision të madh dhe të sigurt se ne do ta kompletojmë atë”, - tha më tej kreu i mazhorancës së djathtë.

Berisha tha se është më i vendosur se kurrë për të rrëzuar muret e korrupsionit dhe mafies në Shqipëri. Ai u shpreh i bindur për një shtet ligjor e të lirë. “Sot ne nderojmë 8 dhjetorin e vitit 90, pasi Bashkimi Evropian ka pranuar kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në BE, ideal madhor ky i lëvizjes studentore. Ne e nderojmë 8 Dhjetorin sot në prag të realizimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptar në mbarë Evropën. Ne nderojmë 8 Dhjetorin, pasi së bashku gjatë këtyre 4 viteve shembëm murin e krimit që ndante Shqipërinë me Evropën, murin e korrupsionit që kishte mbyllur dyert e integrimit të Shqipërisë në Evropë dhe vijmë më të vendosur se kurrë të shembim murin e mafies që aleanca punisto-mafioze përpiqet të lartësojë çdo ditë e më shumë. Ne qëndrojmë të vendosur në zotimin tonë për shtetin ligjor, që qytetarët shqiptarë të gëzojnë liritë që meritojnë”, - tha më tej Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›