E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: S’kemi kohë për të humbur me thasë plehrash



Zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i Jashtëm, ilir Meta, gjatë një konference për shty dje, deklaroi se vendi nuk ka nevojë për thasë me plehra, madje e cilësoi skenën si një primitivizëm dhe jo perspektivë. I pyetur nga gazetarët në konferencën për shtyp, kreu i LSI-së tha se vendi ka venojë që çdo palë të zhvillojë përgjegjësitë e dala pas zgjedhjeve të 28 qershorit. “Nuk kemi nevojë as për akuza të ndërsjella dhe as për thasë me plehra në një ambient që për fat të keq nuk është shumë ekologjik për politikën shqiptare. Kemi nevojë që të gjithë të zhvillojmë përgjegjësitë që kemi marrë nga zgjedhjet e 28 qershorit nga qytetarët shqiptarë, sidomos lidhur me atë që kërkojnë ata, siç është dita e liberalizimit të vizave; një jetë më të mirë dhe anëtarësimin e Shqipërisë në BE”, -deklaroi Meta. Ministri i Jashtëm tha më tej: “Qytetarët presin të pastrohen edhe ato mbeturina të cilat ende shqetësojnë qytetin tonë, por edhe qytetet e tjera të vendit dhe kurrsesi nuk mirëpresin që atë formë qoftë simbolike të përqendrohen në sheshet dhe në bulevardet kryesore. Duhet ta hedhim tej këtë lloj simbolike sepse nuk i shërben askujt”. Duke e cilësuar si një sezon ngacmimesh, Meta bëri thirrje për vijimin e reformave dhe ndryshimin e komunikimit politik. “Ndaj do doja që ta quaja këtë sezon ngacmimesh dhe provokimesh të panevojshme si një grip stinor që duhet ta lëmë sa më shpejt pas dhe të ecim të gjithë përpara pasi nuk kemi kohë për të humbur. Të gjithë duhet të hyjnë në një garë tjetër dhe gara është pikërisht për të rritur standardet e komunikimit politik për të rritur standardet e legjislacionit në mënyrë që ai të jetë i standardeve evropiane dhe opozita në këtë drejtim ka shumë se çfarë mund të bëjë dhe duhet të bëjë, si detyrim ndaj vendit, si detyrim ndaj atyre që kanë votuar për të, pikërisht që vendi të shkojë përpara dhe jo që të shikojmë skena të cilat absolutisht tregojnë për primitivizëm dhe jo për perspektivë”, - shtoi Meta.

Kreu i LSI-së u pyet dje edhe për aktivitetin e Partive Socialiste Evropiane ku do të marrë pjesë edhe kreu i PS-së, Edi Rama. Meta tha se bëhet fjalë për një takim mes partive të majta evropiane ku LSI nuk ka munguar asnjëherë.

Qëllimi i konferencës së djeshme të kreut të Ministrisë së Jashtme ishte vizita e tij në Athinë. Në datat 1-2 dhjetor 2009, u zhvilluan në Athinë punimet e Ministerialit të 17-të të OSBE-së. “Gjatë takimit me z. Papandreu, ky i fundit më konfirmoi vullnetin e qeverisë së tij për të avancuar dhe konkretizuar nismën e qeverisë greke për përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në BE në vitin 2014. Gjithashtu, ai shprehu gjithë mbështetjen e qeverisë së tij për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe procesin e liberalizimit të vizave. Me Kryeministrin Papandreu diskutuam për të përmirësuar më tej të drejtat e emigrantëve tanë në Greqi”, - tha Meta. Ai shtoi se në takimin me ministrin Bildt, shprehu vlerësimet e qeverisë shqiptare për angazhimin e qeverisë suedeze në avancimin e proceseve integruese të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor, dhe, në veçanti, për mbështetjen e Suedisë në shqyrtimin dhe miratimin e aplikimit të Shqipërisë për vend anëtar në BE nga ana e ministrave të Jashtëm të Unionit, gjatë muajit të kaluar. Meta tha se zyrtarët e OSBE-së vlerësuan zgjedhjet e 28 qershorit. Njëkohësisht Meta foli edhe për takimin në Bruksel të ministrave të Jashtëm të vendeve të NATO-s. “Ata mirëpritën edhe kontributet shtesë të deklaruara nga vendet e tjera, e në këtë kontekst, vlerësuan edhe vendimin e qeverisë shqiptare për dërgimin vitin e ardhshëm në Afganistan të një njësie shtesë prej 85 trupash”, - deklaroi Meta, dje në konferencën për shtyp.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›