Familja e poetit Nela: Edi Rama të kërkojë falje
Familjarët e poetit të varur në vitin 1989, Havzi Nela, kërkojnë që kreu i opozitës, Edi Rama, të kërkojë falje publike. Në një deklaratë për mediat, vëllai i poetit të dënuar me vdekje në vitin e fundit të diktaturës komuniste, Shukuri Nela, deklaroi se në dekretin e varjes së vëllait të tij ndodhet edhe firma e Kristaq Ramës, babait të kreut të opozitës. Sipas tij, faktet tregojnë në ekzekutimin e vëllait të tij ka qenë pjesëmarrës edhe Krsitaq Rama. “Ne, familjarët e Havzi Nelës, jemi këtu jo për të ngritur akuzë politike, por për të denoncuar një realitet të dëshmuar në fakte, në fakte dhe prova autentike që disponojmë për ekzekutimin e vëllait tonë. Dekreti që dënoi me varje në litar vëllanë tonë, në ditët kur diktatura po jepte shpirt, mban firmën e Kristaq Ramës, babait të kryetarit të PS-së, Edvin Rama”, - deklaroi vëllai i poetit Nela.
Përpara mediave ai kërkoi që Edi Rama, djali i Kristaqit, të kërkojë falje për krimet e të atit në kohën e diktaturës. Sipas Shukuri Nelës, Rama që është mburrur se është biri i të atit, duhet të kërkojë falje publike për varjen e vëllait të tij. Nela iu drejtua drejtpërdrejt Edi Ramës në emër të familjarëve të poetit të vrarë nga diktaturë t’u kërkojë falje atyre, por edhe gjithë shqiptarëve për veprimet e të atit në vitin e fundit të diktaturës. “Zoti Edvin Rama që shprehet me mburrje se është biri i të atit, duhet, të paktën, të na kërkonte falje, ne vëllezërve, familjarëve si dhe të gjithë shqiptarëve për firmën e babait të tij, për varjen e vëllait tonë, Havzi Nela”, - deklaroi Shukuri Nela. Në të njëjtën deklaratë, vëllai i poetit bën thirrje që Rama të kërkojë falje si hapin e parë për të besuar që Edi Rama nuk ka të njëjtën mendësi me të atin e tij. Ai bëri thirrje që Rama të japë prova që duhet të distancohet nga trashëgimia kriminale e diktaturës, që sipas tij, pjesë e së cilës ishte edhe babai i Edi Ramës, Kristaq Rama. “Ky është një akt jetik për të dëshmuar se ai distancohet nga trashëgimia kriminale e diktaturës, pjesë e të cilës është dhe babai i tij. Është hapi i parë që zoti Rama duhet të hedhë, për të besuar se Edvin Rama nuk ka të njëjtin mendësi me të atin”, - tha në fund të fjalës së tij Shukuri Nela, vëllai i poetit të dënuar me varje në vitin 1989.