"Kutitë e votimit mund të hapen nga ekspertë të pavarur"
Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, propozon që një grup ekspertësh të pavarur të hapin dhe të vëzhgojnë kutitë e zgjedhjeve. Ndërsa në lidhje me çështjen e djegies së fletëve, Kume thotë se KQZ ka të drejtën e saj për të vepruar, por në një moment të tillë, kur opozita kërkon hetimin e mëtejshëm të procesit zgjedhor, ky institucion mund të bëhet objekt i sulmeve politike. "Në mënyrë fare të rastit, në magazinat ku ruhen kutitë, të zgjedhin për shembull 100 kuti, të verifikojnë çfarë përmbajnë këto kuti; pra të numërohen votat dhe të shikohet se si këto vota të numëruara janë zbardhur në procesverbale dhe në rast se do të gjendet mospërputhje midis faktit të fletëve të votimit dhe asaj se çfarë është shkruar në procesverbal, menjëherë të fillojnë proceset e penalizimit të atyre që e kanë bërë këtë veprim abuziv ndaj ligjit", tha Kume. Referuar çështjes së djegies së fletëve të votimit, ai vërejti se situata aktuale politike nuk ka nevojë për t‘u ngarkuar edhe më shumë. "Të mos t‘i shtojmë kësaj situate të ngarkuar politike edhe një çështje më tepër. Pra, të mos bëhet KQZ, duke ekzekutuar në të drejtën e plotë të tij këtë detyrim, target i luftës politike. Koha se kur duhet të asgjësojë fletët e votimit, do të thosha se është e udhës, duhet të merret në konsideratë situata politike në të cilën ndodhemi sot dhe kërkesa që ka opozita", tha Kume. Ngritja e komisioneve hetimore për zbardhjen e zgjedhjeve nuk është një praktikë e re në proceset elektorale shqiptare, por asnjëherë nuk është arritur në rinumërim të fletëve.