E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Fushata ka filluar, kandidatët brenda shkurtit

SHKRUAN: Nevila Perndoj 22-02-2011 10:02

TIRANË- Vetëm pak minuta pasi kryetari i opozitës, Edi Rama, kishte akuzuar Kryeministrin Sali Berisha se festën e një ditë më parë e shfrytëzoi si mitingun e radhës së pushtetit kundër opozitës, kreu i ekzekutivit deklaroi në mbledhjen e grupit parlamentar se festa e 20 shkurtit shënoi fillimin “de facto” të fushatës zgjedhore të 8 majit.

“Dje qytetarët e Tiranës shpëlanë blozën nga rrugët, gurët, hunjtë, ndërtesat e qytetit, për t’ua rikthyer siç e meritojnë ata, që më 21 janar, të parët në historinë e Europës së pas luftës, me banda të organizuara sulmuan për 5 orë qeverinë legjitime shqiptare, për ta përmbysur atë dhe për të marrë pushtetin me dhunë. Ndaj dhe ne le të shprehim mirënjohjen më të thellë. Ta konsiderojmë këtë fillimin ‘de facto’ të fushatës elektorale, pasi ‘de jure’ ajo do të jetë në datën 22 mars. ‘De facto’, kjo festë ishte njëkohësisht dhe fillimi më i bukur i një fushate elektorale të qytetëruar, i një fushate ndër më të bukurat që shqiptarët kanë njohur”, - tha dje Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së. Kryeministri Berisha kërkoi angazhimin e të gjithë deputetëve për fushatën e ardhshme zgjedhore, duke lajmëruar gjithashtu se brenda këtij muaji do të përfundojë edhe faza e përzgjedhjes së kandidaturave për bashkitë dhe komunat. “Çdo orë dhe çdo ditë ju, së bashku me strukturat e Partisë Demokratike në çdo rreth dhe çdo qark, duhet të përkushtoheni për fushatën elektorale të zgjedhjeve lokale. Brenda muajit shkurt, të finalizojmë përzgjedhjen e kandidatëve, në mënyrë që të fillohet menjëherë nga puna”, - tha Berisha. Në këtë drejtim, Kryeministri ka qenë i pari që ka filluar nga puna, teksa në mbledhjen e grupit, ai ka deklaruar se mazhoranca shkon në këto zgjedhje me një bilanc, sipas tij, të shkëlqyer. “Ne shkojmë në këto zgjedhje me arritje shumë të mëdha, me arritje historike; shkojmë në këto zgjedhje si një forcë politike, që në mënyrë të prekshme ka bërë që të ndryshojë qartësisht, pozitivisht, jeta e mbarë komuniteteve të vendit; shkojmë në këto zgjedhje pasi ne ia kemi dalë dhe jemi të vetmit që kemi bërë që të rriten në mënyrën më të ndjeshme të ardhurat familjare për 820 mijë familje shqiptare, rrogat dhe pensionet; shkojmë në këto zgjedhje, pasi kemi realizuar një nga premtimet e mëdha historike dhe më të rëndësishme të të gjithë jetës sonë politike, heqjen e vizave, lëvizjen e lirë të shqiptarëve... “, - tha ai. Berisha sulmoi dje edhe kryetarin e opozitës, Edi Rama, si “zyrtarin më të korruptuar në vend”. Në këtë kuadër, Kryeministri hodhi akuza edhe ndaj Prokurorisë së Përgjithshme. “Ky (Rama) është zyrtari i vetëm që është akuzuar publikisht nga biznesmenë dhe ndërtues se ka kërkuar 1 milion euro, se ka kërkuar 600 milionë euro, për këtë apo atë leje ndërtimi. Për bajlozin e zi të korrupsionit, monumentin dhe shtatoren e tij, për korruptorët e shtetit nuk ekziston ligji kryesisht. Nuk munden se i ndajnë paratë me të. Vetëm dy muaj më parë doli në dritën e diellit kontrata 20 përqindëshe. Ajo nuk ishte një copë letër, por ishin pallate 35- katëshe, të lartësuara deri afër reve, në mënyrë që fitimi për 20 përqindëshin të shkonte deri afër reve. U bënë të gjitha deponimet, por korruptorët e shtetit, që ndajnë paratë me të, deri më sot, nuk e kanë pyetur as edhe një herë të vetme. Kjo, sepse në rast se do ta pyesnin, nuk kishin asnjë rrugë tjetër përveç se të pandehur”, - tha ai. Tangentas, Berisha paralajmëroi edhe kandidaturën e Lulëzim Bashës për Tiranën. “Ministri Basha po merret me degën e Partisë Demokratike së bashku me zotin Bumçi, por edhe ministra e deputetë të tjerë, në këtë qytet të braktisur prej 4 vjetësh...”, shtoi ai. Edhe në mbledhjen me dyer të mbyllura, Kryeministri Berisha ka dhënë të njëjtat porosi për deputetët, duke u kërkuar atyre angazhim të plotë në fazën parapërgatitore për zgjedhjet e 8 majit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›