E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kandidimi? Tirana jo e lidhur patjetër me mua

Pas dhjetë vjetësh në drejtim të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama paralajmëron largimin e tij prej saj. Kur kanë mbetur pak më shumë se dy muaj nga mbajtja e zgjedhjeve vendore të 8 Majit, kreu socialist Edi Rama ka vendosur që mos rikandidojë më për një mandat të katërt në krye të bashkisë më të madhe në vend. Ka qenë vetë kreu socialist ai që e ka lënë të kuptohet këtë gjë, duke deklaruar dje gjatë emisiont “Fakt” të gazetarit Çlirim Peka, se zhvillimi i Tiranës nuk është i lidhur pafundësisht me qenien e tij në krye të kësaj bashkie. “Sinqerisht, ecuria e mëtejshme e punëve të Tiranës sot nuk është pazgjidhshmërisht e lidhur me qenien time në Bashki, siç ka qenë deri para pak kohësh, sepse sot nga njëra anë Bashkia e Tiranës është një institucion që unë e them me bindje është i vetmi institucion në nivelin e qeverisjes të standardeve europiane dhe që do të thotë se është një makineri që shumëçka e bën në mënyrë të përditshme, pavarësisht nga unë apo nga cilidoqoftë në vendin tim në drejtim”, - iu përgjigj kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, pyetjes nëse do të rikandidonte për një mandat të katërt në pozicionin e kryetarit të bashkisë së kryeqytetit. Ndërkohë që burime nga PS-ja kanë bërë të ditur dje në mbrëmje se kandidaturat më të mundshme që mund të pasonin Ramën në krye të kësaj bashkie janë ato të Pandeli Majkos, Blendi Klosit, Eduart Shalsit dhe Erion Veliajt. Por pavarësisht se kush do jetë pasuesi i tij, Rama është shprehur dje gjatë këtij emisioni se Tirana do të drejtohet sërish nga socialistët, ndërsa ka vënë në dyshim se zgjedhjet vendore mund edhe të shtyhen përtej 8 Majit. “Nga ana tjetër një gjë është shumë e rëndësishme, që në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që ato të bëhen, mos të jeni kaq të sigurt që do të jenë më 8 Maj, por qofshin 8 Maj apo kurdoqofshin është e sigurt që Bashkia e Tiranës do të fitohet dhe do drejtohet nga socialistë. Kjo është e sigurt”, - tha Rama në fjalën e tij. Ndërsa duke folur për epokën e tij në drejtimin e Tiranës, shefi i opozitës ka theksuar se kryeqyteti është transformuar rrënjësisht gjatë 3 mandateve të tij. “Mendoj që sot mjafton fakti që Tirana është e transformuar rrënjësisht, për të thënë se në Tiranë ka ndodhur një transformim shumë i madh edhe përtej asaj që unë mund të mendoja në një sërë aspektesh edhe pse jo aq sa unë kam menduar dhe që ka ardhur për shkak të pengesave të jashtëzakonshme të qeverisë”, - u shpreh Rama. Ndërkohë, duke folur për zgjedhjet vendore, ai ka sqaruar në mënyrë të qartë se PS dhe opozita nuk ka menduar asnjëherë t’i bojkotojë ato. Megjithatë, ai ka këmbëngulur se në këto kushte që ekzistojnë në vend këto zgjedhje nuk mund të mbahen, duke lënë të kuptohet kështu se PS do bëj të pamundurën që ato të shtyhen në një kohë më të vonë. “Nuk e kemi thënë asnjëherë dhe s’e kemi menduar asnjëherë si një opsion të mundshëm bojkotin e zgjedhjeve. Kemi folur për diçka tjetër, kemi thënë se, në rast se nuk ka transparencë dhe garanci që zgjedhjet e ardhshme, nuk do të grabiten njësoj si të shkuarat, nuk mund të ketë zgjedhje në Shqipëri. Këtë sot e themi me dhjetëfishin e forcës. Sepse sot ne kemi jo vetëm mungesën e garancive, por kemi edhe një qeveri që ka vrarë njerëz”, - u shpreh Rama. Ndërkaq, për rolin e SHBA në krizën politike dhe deklaratat e ambasadorit Arvizu për performancën profesionale të policisë më 21 Janar, Rama tha se “SHBA-të nuk janë palë me asnjë në Shqipëri, SHBA-të nuk janë në Shqipëri për të bërë as opozitën as qeverinë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›