Ndryshimi i Rregullores, debat PS-PD
Nisma e mazhorancës për të kufizuar imunitetin dhe ndryshuar rregulloren e Kuvendit, ka rikthyer opozitën në Komisionin e Ligjeve. Pas plot një muaj bojkot, deputetët e opozitës kanë zënë vendet e tyre në komisionin e Ligjeve dhe për më shumë se dy orë rresht kanë debatuar për përmbajtjen e nismave të shumicës qeverisëse, duke i konsideruar ato së paku hileqare dhe në rastin e kufizimit të imunitetit dhe antikushtetuese. Në projektvendim demokratët parashikojnë që deputetët të firmosin një deklaratë vullnetare, ku autorizojnë Prokuroren e Përgjithshme të nisë procedimin penal ndaj tyre, pa ndjekur procedurat aktuale të rregullores, si një lehtësim në punën e saj kundër korrupsionit, por socialistët e cilësuan këtë nismë si antikushteuese dhe demagogji politike. Por sipas socialistëve, kjo nismë bie në kundërshtim me ligjin themeltar të shtetit, ndaj nuk mund të votohet nga Kuvendi. Për të realizuar qëllimin me të cilin mazhoranca ka ndërmarrë këtë nismë, pra për të ndihmuar luftën kundër korrupsionit edhe te zyrtarët e lartë, deputetët e opozitës kanë propozuar që kjo të bëhej më së paku me thjeshtimin e procedurës së dhënies së autorizimit nga ana e Kuvendit për kërkesën e Prokurorisë ose çështjes t’i jepej një zgjidhje përfundimtare duke ndryshuar Kushtetutën. “Nëse ju do ta kishit një vullnet për të bërë një propozim kushtetues, ju do ta kishit shansin kur u bënë propozimet kushtetuese. Prandaj nisma e sotme nuk është as më shumë dhe aq më pak demagogjia dhe hipokrizia politike e radhës e mazhorancës suaj”, - tha deputeti socialist Fatmir Xhafaj. Por sipas kryetarit të komisionit, Rusmali, nisma në fjalë nuk ka asgjë antiligjore, pasi Kuvendi ka të drejtë të ndryshojë procedurat e veta të dhënies së autorizimit. “Nuk e doni në këtë formë? E doni në formën e një amendamenti kushtetues? Bujrum! Bashkohemi ne me nismën tuaj. Por prej më shumë se dy vjetësh, teksti i amendamentit kushtetues rri në sirtar dhe është kyçur në sirtar, sepse kryetari i PS-së ka thënë se nuk është koha për këtë”, - u shpreh Rusmali, duke ftuar opozitën që të bashkëpunojë. Ndërkohë që një çështje që ka ngrënë jo pak debat ka qenë dhe ndryshimi i rregullores përsa i përket zhvendosjes së diskutimeve të lira në seancat plenare në fund të shqyrtimit të projektligjeve. Për këtë çështje Rusmali u shpreh në mënyrë të qartë se kjo nismë është ndërmarrë për të bllokuar çdo strategji të opozitës për të bllokuar seancat apo për të ushtruar dhunë fizike mbi deputetët. “Diskutimet e lira jashtë rendit të ditës kërkohet të modifikohen për një qëllim të pastër dhe të thjeshtë politik. Motiv i cili e ka më shumë zanafillën te pika që përmbushi kupën te ngjarjet e dy seancave më parë në Kuvendin e Shqipërisë, të cilat qëllimisht tentonin të dëmtonin mbarëvajtjen e punës së Kuvendit”, - tha Rusmali. Ndërkohë që deputeti tjetër demokrat Fatos Hoxha e ka lidhur këtë ndryshim me nevojën për të shmangur sulmet fizike të deputetëve të opozitës ndaj atyre të mazhorancës. “Ne s’mund të rrimë dhe të bëhemi objekt i sulmeve fizike të njerëzve të papërgjegjshëm që keni futur në Parlament, prandaj unë kam firmosur i
pari”, - tha Hoxha. Por, sipas deputetëve të majtë, kjo nuk është gjë tjetër veçse një tentativë për t’i mbyllur gojën opozitës. “Kjo është ndërhyrje politike. Është ndërhyrje e pastër politike. Me pak fjalë, realisht ne shumica do të përdorim kartonat tanë për t’ju hequr ju të drejtën e fjalës. Kjo është dhuna e kartonit. Rregullorja s’mund të jetë kamxhiku mbi fjalën e opozitës”, - tha deputeti Fatmir Xhafaj. Ndërkohë që gjatë mbledhjes së djeshme nuk u fol për ndryshimin tjetër të propozuar nga mazhoranca për të rritur masat ndëshkimore me 30 ditë përjashtim për deputetët që shkelin rregulloren. Kjo duket se ka ardhur nga fakti se vetë mazhoranca nuk ka qenë e sigurt për nevojën e këtij propozimi. Ndryshimet e propozuara do diskutohen sot nga Komisioni i Ligjeve edhe nen për nen.