E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Gabim i madh me Gërdecin

• Kryeministri Sali Berisha, pranon se qeveria ka gabuar me vendosjen e pikës së demontimit të municioneve në Gërdec.

tirane

Në një intervistë në emisionin “Hard Talk” në BBC, kreu i qeverisë thotë se ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu ka qenë në dijeni të Gërdecit, për shkak se ka firmosur urdhrin, por nuk ka qenë në dijeni të asaj që ndodhte realisht në këtë pikë demontimi. Berisha flet gjithashtu edhe për ftesën për t’u anëtarësuar në NATO, luftën kundër korrupsionit si dhe të shkuarën e tij.
Zoti Sali Berisha mirë se erdhët në “Hard Talk”! 
Faleminderit. Jam shumë i kënaqur që jam këtu sot.
Pse është i rëndësishëm për Shqipërinë anëtarësimi në NATO?
Mendoj se kjo ka një rëndësi të jashtëzakonshme për Shqipërinë për shumë arsye. Së pari, pas shumë shekujsh kombi im rikthehet në familjen, të cilës i përket. Së dyti, NATO ka provuar se është mburoja e lirive në hapësirën e saj. Anëtarësimi në NATO do të thotë të kesh strehën më të mirë për liritë të të gjitha kohërave. Imagjinoni një komb si Shqipëria, me të cilën për shekuj historia u soll si njerkë. Historia e kombit tim është historia e mbijetesës, që do të thotë e ardhme. Tani Shqipëria është e lirë, dhe të kesh një mburojë për liritë e saj do të thotë te ndërtosh të ardhmen. Por, NATO do të thotë më shumë për rajonin, sepse ishte NATO ajo u dha fund konflikteve në Ballkan dhe jam i sigurt se pa NATO-n, luftërat do të shtriheshin më gjerë se sa rajoni i Ballkanit.
Tani le të kalojmë në Shqipëri. Anëtarësimi në NATO nuk ka kushtëzuar gjë, por pritshmëria se reformat në Shqipëri do të vazhdojnë, mbetet ende e në fuqi. Një nga çështjet e diskutuara më shpesh të paktën si një nga kushtet për anëtarësimin në BE është se Shqipëria po lufton korrupsionin. Kjo është një nga zotimet tuaja, kur ju u zgjodhët, duke nënvizuar se “prioriteti ynë më madhor është rikthimi i besimit të qytetarëve tek qeveria”.
Absolutisht po. Korrupsioni ishte shndërruar në sistem në Shqipëri. Ajo që qeveria ime bëri së pari është se doli jashtë konfliktit të interesit. Askush në administratën shtetërore nuk ka konflikt interesash, në një kohë kur në qeverinë e mëparshme ministrat kishin monopolet e tyre. Së dyti, ne e filluam luftën ndaj korrupsionit  nga zyrat tona duke vendosur standarde që parandalojnë përdorimin e fondeve publike për qëllime private dhe personale. Kjo na mundësoi reduktimin e shpenzimeve operative për administratën nga 3 % në 2.1 % të GDP ose një ulje më shumë se 30 %. Së treti, ne reduktuam administratën e ministrive me 25 %, ulëm me 33 % punonjësit administrativë, me 16 % numrin e nëpunësve civilë ndaj dhe kemi qeverinë më të vogël për frymë në Evropë.
Po përse “Transparency International”, e cila harton barometrin global të korrupsionit konkludon se vitin e fundit Shqipëria ishte në listën e 20 vendeve më të korruptuara?
Unë kam pasur një takim me përfaqësues të organizatës “Transparency International”, gjatë vizitës së tyre në Shqipëri. “Transparency International” punon me perceptimin. Unë jam shumë i kënaqur që ata bënë këtë vizitë në Shqipëri. Unë i njoha ata me të gjitha rezultatet dhe me reformat që po ndërmarrim në vazhdim. Ne tashmë jemi një vend, që aplikojmë prokurimet elektronike dhe ku kostoja e përgjithshme e prokurimeve është reduktuar me 20 %.
Nuk mund të themi se ata merren me perceptimin, pasi ata kanë pyetur njerëz dhe 71 % e tyre kanë dhënë ryshfet për një nga shërbimet në vitet e mëparshme.
Është shumë shumë më i vogël. Ky është  vetëm perceptim.
Nuk është perceptim pasi është Transparency e cila ka pyetur qytetarët, të cilët në përgjigjet e tyre thonë se........
Përfaqësuesit e “Transparency International” gjatë takimit në zyrën time thanë se ishin të impresionuar me rezultatet e luftës ndaj korrupsionit. Me këtë nuk dua të them se nuk ka korrupsion. Korrupsion ka, por ka një luftë të fortë kundër tij. Cilët janë sektorët ku ky fenomen është më i përhapur? Në Tatime, në dogana në ekonominë informale.
Ku është e korruptuar Shqipëria?
Gjatë tre viteve të fundit ne kemi miratuar në parlament, buxhete suplementare të mbledhur nga lufta kundër korrupsionit. Këtë vit pavarësisht uljes drastike të taksave me vendosjen e taksës së sheshtë 10 %, ne kemi arritur të mbledhim 1.2 miliardë dollarë më shumë në buxhet.
A është Shqipëria e korruptuar tani?
Ka korrupsion, por lufta kundër tij është shumë e suksesshme. Janë më tepër se 50 zyrtarë të niveleve të larta të arrestuar dhe të dënuar për korrupsion.
Vetëm 22 % e të anketuarve nga “Transparency International”, thonë se lufta kundër korrupsionit do të njohë përmirësim në tre vitet e ardhshme. Krahasuar me fqinjin tuaj Kosovën ku 52 % e tyre shprehen se lufta kundër korrupsionit do të rritet.
Së pari, është media që ka të drejtë të shkaktojë një zhurmë të madhe përsa i përket korrupsionit. Dhe kjo ka ndikimin e saj tek qytetarët, gjë e cila për të qenë realist është e pashmangshme. Por, me reformat e thella që kemi ndërmarrë rezultatet po bëhen gjithnjë e më të dukshme.
Ju jeni ndonjëherë kritik ndaj medias?
Unë nuk po kritikoj aspak median. Kjo nuk është media, por janë njerëzit e pyetur që thonë një gjë të tillë. Këto janë sondazhe. Po nëse do të bazoheshim mbi sondazhe unë nuk do të kisha ardhur në pushtet në vitin 2005. 
Por 71 % e të anketuarve thonë se kanë paguar ryshfet, 71 nga 100 të anketuar thonë se kanë paguar ryshfet për një shërbim në vitet e kaluara.
Mund të them se ka ryshfet, por mund të them atë që po bëjmë ne për ta luftuar atë. Se pari, në po dixhitalizojmë procedurat dhe lehtësojmë shërbimet.
Shumë njerëz mund të mendojnë se ju kishit një fillim të mirë, bëtë ndryshime, por ajo që duket se ka lëkundur besimin e shumë njerëzve është ajo që ndodhi në Gërdec. Ndoshta gjëja më e mirë është t‘ju pyes ju. A mund të na thoni se çfarë ndodhi ?
Aty ndodhi një shpërthim i tmerrshëm. Por, dua të qartësoj se ajo nuk ishte një bazë ushtarake, por një pikë demontimi e municioneve nga një kompani private.
E cila ishte vendosur në një depo ushtarake. Duhet të shpjegojmë se shpërthimi zgjati 14 orë ...
Njëzet e katër persona vdiqën dhe 300 të tjerë u plagosën nga ky shpërthim, por ajo nuk ishte një bazë ushtarake. Ishte një pikë demontimi i municioneve nga një kompani private për të cilën ka nisur një hetim i plotë. Por ç‘ndodhi më vonë? Ne u bëmë dëshmitarë të operacionit më të suksesshëm dhe më energjik të shpëtimit. Ushtria, policia dhe qytetarët tanë shpëtuan shumë jetë në një situatë shumë të rrezikshme. Reagimi ishte i menjëhershëm, në nivelin e duhur dhe reduktoi në maksimum dëmet e shpërthimit.
Por, ajo që ndodhi pas këtij shpërthimi ishte se njerëzit u tronditën kur panë se atje punonin edhe gra dhe fëmijë…
Përfundimisht, ka pasur një papërgjegjshmëri njerëzore atje. Kjo është e sigurt.
Ishte qeveria që vendosi vendin për demontimin e municioneve. A ishte ky një gabim ?
Sigurisht që ishte një gabim i madh. Por, ajo nuk ishte një bazë ushtarake.
Me falni, por qeveria vendosi të kishte këtë pikë çmontimi të municioneve në një depo ushtarake gjashtë milje larg Tiranës. A ishte ky një vendim i qeverisë?
Ky ishte një vendim i ministrisë.
Ishte një vendim i ministries dhe ishte i gabuar?
Sipas mendimit tim, ishte një gabim i pastër.
A kishit informacion se çfarë po ndodhte atje?
Absolutisht jo.
Pra, ju nuk kishit dijeni?
Jo aspak .
Përse?
Sepse në legjislacionin shqiptar Kryeministri nuk ka asnjë lidhje me dislokimin e ushtrisë, asgjë. Zinxhiri i komandave është ndryshe.
Zoti Kryeministër Berisha, kunati juaj ishte mbikëqyrës i kësaj pike dhe .....
Unë s’e kam takuar kurrë kunatin tim, por ai nuk ishte mbikëqyrës i kësaj pike. Ai ishte një punëtor, i cili ishte kthyer nga emigracioni në Britaninë e Madhe, gjeti një punë atje dhe vdiq atje gjatë shpërthimit.
Pra, ju nuk kishit dijeni se gra dhe fëmijë punonin në këtë pikë?
Absolutisht jo.
Pas asaj që ndodhi atje opozita po kërkon dorëheqjen tuaj, sepse ka supozime se, qeveria ka qenë në dijeni për këtë pikë? A mund të na garantoni se nuk ka pasur shitje ilegale te municione që duhet të ishin çmontuar?
Së pari unë nuk kam asnjë dijeni për këtë. Së dyti ka nisur një hetim shumë intensiv në të gjitha aspektet. Së treti nëse ishte një gabim njerëzor apo cili ishte shkaku i shpërthimit duhet të hetohet. Kjo është gjithçka ajo që mund t‘ju them. 
Po Ministri i Mbrojtjes a ishte në dijeni ?
Ministri i Mbrojtjes ishte në dijeni sepse ai ka firmosur urdhrin, por ai nuk e dinte se çfarë po ndodhte në të vërtetë atje.
Ai dha dorëheqjen ?
Po, ai dha dorëheqjen dhe ky ishte një vendim politik. 
Por ka njerëz që kërkojnë edhe dorëheqjen tuaj?
Njerëz?
Opozita.
Opozita kërkon çdo tre muaj që unë të jap dorëheqjen. Kjo është e drejta e saj. Opozita ka të gjitha instrumentet. E kam ftuar atë të paraqesë mocion mosbesimi në parlament.
Çfarë garancish mund t‘u jepni shqiptarëve se do të ketë hetim totalisht te hapur dhe publik për atë që ndodhi atje? 
Absolutisht. Do të ketë një hetim të plotë dhe të hapur. Skuadra e prokurorëve po asistohet nga 6 grupe ekspertësh AFA-s, të cilët kanë hetuar edhe për sulmet e 11 shtatorit.
Ka pasur një investigim të “New York Times”, për kompaninë amerikane AEY, e cila ka furnizuar me armë Afganistanin. Supozimi është se kjo kompani ka nënshkruar kontrata me disa vende ish-komuniste përfshirë edhe Shqipërinë.
Po. Kompania amerikane ka pasur end-user-in nga Pentagoni. Kompania amerikane ka kontraktuar një kompani qipriote. Po bëhet një hetim i plotë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjithashtu edhe në Shqipëri. E vërteta për municionet e vjetra është, se askush nuk mund ta fshehë moshën e tyre, pasi një gjë e tillë është e pamundur.
A do ta përshkruanit veten si një të mbijetuar në politikë?
Unë e përshkruaj veten si një njeri me misione, e fillova dhe po vazhdoj. Unë jam shumë i lumtur që e shoh vendin si anëtar të NATO-s. Unë jam lideri i parë i opozitës në një vend ish-komunist, që kam kërkuar anëtarësimin e vendit në NATO. 
Disa thonë se ju jeni i vetmi politikan i mbijetuar nga periudha komuniste ? 
Unë nuk kam qenë politikan në kohën e regjimit komunist. Kam qenë një studiues shkencor dhe kardiolog shumë i apasionuar.
Nuk është e qartë nëse ju keni qenë kardiologu i diktatorit komunist?
Nuk kam qenë asnjëherë. Pasi nuk më është kërkuar të jem. Shokët e mi kanë qenë, por unë asnjëherë.
Por, a keni qenë pjesë e rretheve të tij të brendshme?
Unë nuk kam qenë pasi nuk plotësoja kushtet e tij. Unë nuk plotësoja kriteret e përcaktuara nga vetë ai.
Ju keni qenë një anëtar i Partisë Komuniste dhe President gjatë kohës së rënies së skemave piramidale ?
Unë jam angazhuar në themelimin e partisë së parë opozitare, me miqtë e mi në fillim të viteve ‘90. Përfundimisht ne vazhduam me reformat më të thella dhe të gjithanshme. Pati një zhvillim të skemave piramidale, askush nuk e ngriti zërin në rang kombëtar apo ndërkombëtar. Isha unë ai që vendosa t’i shkatërroja ato, kur mora vesh se ishin skema piramidale. Njerëzit dhe opozita pretenduan se Partia Demokratike kishte gisht në këto skema. Unë shpalla zgjedhjet e parakohshme, nuk u largova nga vendi dhe pati një hetim 2-vjeçar dhe në fund qeveria e atëhershme u detyrua të pranonte se qeveria e Partisë Demokratike nuk ishte e përfshirë në skemën e piramidave.
Ju thatë se keni qenë për dy mandate president në vitet ‘90 ? U rikthyet më vonë në vitin 2005, si Kryeministër. Çfarë do të ndodhë në vitin 2009.
Në vitin 2009, do të jenë shqiptarët ata që do të vendosin. Vendimi im i palëkundur është t‘u mundësoj atyre të shprehin lirshëm qëndrimet e tyre.
A do të jetë OSBE e aftë të thotë se zgjedhjet e 2009-ës si të lira dhe të ndershme, për të cilat nuk ka qenë ende në gjendje ta bëjë një gjë të tillë?
Sigurisht. Jam shume optimist se do ta bëjnë një gjë të tillë. Në zgjedhjet lokale ka pasur vetëm probleme teknike, asnjë ndërhyrje politike. Opozita i cilësoi ato si të lira dhe të ndershme, por mangësitë kishin të bënin kryesisht me listën e zgjedhësve. Ne po punojmë për krijimin e regjistrit elektronik të shtetasve, kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike.
Ju garantoni se do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme në vitin 2009?
Absolutisht po.
Dhe ju do të jeni Kryeministër pas kësaj?
Këtë do ta vendosin shqiptarët. 
Si mendoni se do të gjykoheni gjatë viteve në vazhdim ?
Unë nuk punoj për historinë, por punoj për jetën e përditshme. Kjo është motoja ime. Unë do të bëj çdo gjë për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE, i cili është projekti tjetër më i madh për shqiptarët. Ne po implementojmë me seriozitet MSA-në në çdo fushë dhe pas kësaj ne do të jemi vend kandidat. Ne kemi strategjinë, kemi burimet dhe do të vazhdojmë të punojmë në mënyrë të vendosur për këtë. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›