E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sheshi “Skëndërbej”,gjashtë projektet për fytyrën e re

• Sot një juri ndërkombëtare prej 11 anëtarësh do të përzgjedhë studion fituese, që do të rehabilitojë sheshin "Skëndërbej". Bashkia e Tiranës çeli dje garën, ku secila prej 6 firmave konkurrente prezantoi vizionin, për fytyrën e re të qendrës së Tiranës.

zirina llambro

"Projekti më i mirë do të sigurojë zgjidhjen e duhur urbane, arkitektonike, infrastrukturore dhe funksionale, për përmirësimin e veprimtarisë urbane të sheshit 'Skënderbej'", sqaroi Bashkia e Tiranës. Secilës prej 6 studiove të njohura iu la në dispozicion 30 minuta për prezantimin e projektit dhe më pas, 20 minuta për pyetje-përgjigje. Në ambientet e hotel "Sheraton", ku u zhvillua prezantimi ishin të pranishëm dhe një numër i lartë qytetarësh, studentë të arkitekturës dhe ekspertë të fushës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, u shpreh se, rehabilitimi i këtij sheshi është sfidë për çdo arkitekt, nisur nga ndryshimet e mëdha që ka pësuar në vite. Për herë të parë në përzgjedhjen e projektit fitues do të ketë vlerë edhe mendimi i qytetarëve të Tiranës. Nga sa bën me dije bashkia, janë shpërndarë tashmë ftesat për 200 persona që i përkasin moshave dhe profesioneve të ndryshme. Ata të japin votën e tyre. Ndonëse juria e konkursit ndërkombëtar ruan të drejtën e vendimmarrjes, ky votim qytetar do të merret parasysh nga ata. Juria e konkursit ndërkombëtar për gjallërimin e sheshit "Skënderbej", përbëhet nga 11 anëtarë, 4 prej të cilëve shqiptarë dhe 7 të huaj. Edi Rama (Kryetar i Bashkisë së Tiranës), Marin Biçoku (Anëtar i KRRTRSH-së), Maks Velo (Arkitekt), Arben Kumbaro (Regjisor), përfaqësojnë vendin tonë në juri. "Gjashtë  studiot e përzgjedhura nga ekspertët, pas fazave të konkurrimit i përkasin një elite ndërkombëtare në lëmin e arkitekturës bashkëkohore", ka sqaruar Bashkia e Tiranës. "51N4E" është studio arkitektonike e krijuar në vitin 2000, me qendër në Bruksel. Kjo studio merr pjesë për herë të dytë në një konkurs ndërkombëtar të zhvilluar në Tiranë, pasi është fituese e projektit të "TID Tower". MVRDV është një studio holandeze me një listë të gjatë projektimesh në mbarë botën, nga Pittsburghv i SHBA-së në Paris, Seul, Madrid, Oslo, Bejrut e gjetkë. Kjo studio ofron njohje të mirë të Tiranës, pasi prej disa vitesh ka operuar për projekte private në kryeqytet. "MAP Architecture Barcelona" është një studio e cila drejtohet nga arkitekti i njohur Josep Lluis Mateo, i nderuar gjatë karrierës së tij me shumë çmime prestigjioze. Ajo përveç veprave të shumta në vendin e origjinës Spanja, është e njohur kryesisht në Evropë. Studioja "MAP Architecture Barcelona" vjen për herë të dytë si pjesëmarrëse në një konkurs ndërkombëtar në Tiranë. "S. Architecture" është një studio franceze me qendër në Paris, e krijuar në vitin 1973 dhe e përbërë nga 80 urbanistë e arkitektë nga vende të ndryshme. "AS. Architecture" gëzon një eksperiencë të gjerë, e cila ka lënë gjurmët e saj në të katërt kontinentet. Kjo studio u bë e njohur edhe në Shqipëri në vitin 2004, pasi hartoi planin rregullues të qendrës së kryeqytetit. "DANIEL LIBESKIND Studio" është krijuar në vitin 1989 në Berlin. Kjo studio ka shtrirë eksperiencën e saj në shumë vende, por perla e projektimit të studios "DANIEL LIBESKIND" konsiderohet muzeu hebre i Berlinit. "ATENA Studio" ka qendrën e saj në Romë. Kjo studio ka eksperiencë në fushën kërkimore dhe projektuese të arkitekturës dhe projektimit urban. Ajo është fituese e disa projekteve të rëndësishme evropiane, të cilat ndodhen në zbatim. "ATENA Studio" është e pranishme prej disa kohësh në Shqipëri, përmes projektimesh private.

Studioja holandeze "MVRDV"
Projektin e parë e solli studioja holandeze "MVRDV". Ky vizon parashikon mosprekjen e ndërtesave ekzistuese, por krijimin e më shumë hapësirave të lira, të cilat mund të përdoren për qëllime të ndryshme, si manifestime, koncerte, parada, aktivitete sportive etj. Në tokë do të vizatohet një shqiponjë gjigande, ndërkohë që statuja e Skënderbeut do të ulet më shumë, me qëllim që të preket nga njerëzit. Koncepti kryesor që propozon studioja holandeze është pikërisht ideja e një teleferiku që zbret nga mali i Dajtit drejt sheshit "Skënderbej". Qëllimi është që të lirohet aksesi i hapësirës së gjelbër në drejtim të liqenit të maleve. Nuk duhet vrarë hapësira, duhet të jetë një hapësirë që të konkurrojë.

Studioja gjermane "DANIEL LIBESKIND”
Projektin e dytë e solli arkitekti amerikan, Daniel Libeskind. Në vizonin e tij, sheshi "Skënderbej" do të ketë formën e një rrethi, që do të dekorohet nga pemë. Do të krijohen hapësira të lira për qëllime të ndryshme, përfshi këtu një vend për argëtimin e fëmijëve. Qëllimi i arkitektit amerikan është që të kombinojë ndërtesat historike dhe vizionin modern të ndërtimit. Ai parashikon ngritjen në nivel të sheshit, me qëllim që në undergraund të vendosen qendra tregtare dhe biznese të tjera. Do të krijojnë disa sisteme të ndryshme, që ndërthuren në mënyrë interesante. Unaza është 15 metra lart dhe vjen poshtë sa e përcakton vetë sheshi.

Studioja spanjolle "Map"
Vizioni i sheshit "Skënderbej" i studios spanjolle, "Map". Projekti parashikon krijimin e shumë hapësirave të gjelbërta në formën e një relievi jo të njëtrajtshëm, do të ketë thyerje me kopshte. Gjithashtu do të krijohet një kopsht me trëndafila dhe ndriçimi do të bëhej në formën e rrjetës së merimangës. Projekti parashikon që lëvizja e trafikut të jetë ndryshe dhe muzeumin ta bëjmë sa më të hapur për publikun. Pra, podiumi para muzeumit të shndërrohet në një shëtitore ajrore. Mendohet të ndryshohet edhe podiumi e Pallatit të Kulturës. Gjithashtu do të krijohet hapësira për një stacion tramvaji. Projekti përbëhet prej shtresash të ndryshme, të cilat synojnë një unitet të ri duke  transformuar lëvizjen trafikut, duke marrë në konsideratë dy lloje aksesh gjeometrikë.

Studioja belge "51 N4E"
Projekti i katërt u prezantua nga studioja nga Brukseli "51 N4E". Ky vizion nuk parashikonte prekje të ndërtesave ekzistuese. Sipas tij, do të ndërtohet një kopsht me palma rreth xhamisë, do t'i jepej më shumë jetë Teatrit të Operës dhe Baletit nëpërmjet ndërtimit të një hyrjeje të re, gjithashtu do të bëhej një shtesë tek Banka e Shqipërisë për t'u shfrytëzuara nga biznesi. Projekti parashikon edhe ngritjen e një ndërtese 5 katëshe, me dhoma të ngushta ngjitur me Bashkinë e Tiranës, nga ku mund të shikohet i gjithë sheshi. Element i rëndësishëm i konceptimit të këtij projekti është ndriçimi i fortë i qendrës. Parashikohet që ndërtesat përreth të lihen si një pjesë e historisë së vendit tonë.

Studioja franceze "Archietecture studio"
Një vizon origjinal u prezantua edhe nga studioja franceze, "Archietecture studio". Francezët kanë konceptuar një shesh me shumë ndriçim dhe gjelbërim. Do të ketë pellgje me ujë që do t'iu ndryshojë sasia, ngjyra dhe forma sipas stinës apo funksionin. Përgjatë sheshit do të ketë edhe objekte që do të ndriçojnë gjatë natës si fenerë. "Archietecture studio" ka idenë që sheshi të jetë një masë e madhe ujore e ndryshueshme. Duke qenë se ata janë hartuesit e planit francez kanë respektuar në maksimum kalimin e tramvajit në dy anët e rrugës, ndërtimin e një ndërtese me lartësi të barabartë me bankën në vendin ku ndodhej busti i ish-diktatorit.

Studioja italiane "Atena"
Projekti i gjashtë u paraqit nga studioja italiane "Atena". Sipas këtij vizioni, sheshi "Skënderbej" do të lidhej shumë lehtë me pjesën tjetër të kryeqytetit. Pjesë të ndryshme të sheshit do të ngriheshin në disa nivele. Struktura do të ishte e tillë që do të përshtatej për stinë të ndryshme të vitit, duke qenë funksionale për patinazh në dimër, apo vendpushimi ideal për në verë. Projekti është pjesë e të gjithës duke qenë se kemi një master-plan ekzistues. Projekti ndërkohë që vazhdon të ketë atë podiumin ekzistues, aksesin për TOB-in dhe Muzeun Kombëtar në veri, po ashtu ai thith edhe sistemin e ri të tarracave, parqeve, duke hequr atë monumentalitetin ekzistues.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›