E Shtunë, 31 Tetor 2026

UNMIK: Zgjedhjet serbe shkelin rezolutën 1244

• Serbia ka vendosur të injorojë të gjithë kundërshtimin kategorik të UNMIK-ut mbi mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë, pasi ka vendosur gjatë darkës së të mërkurës, që të

 organizojë zgjedhjet lokale në Republikën e re, duke sfiduar administratën e Kombeve të Bashkuara, përgjegjëse për zgjedhjet. Vetë Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç tha se, nuk pret ndërhyrjen e UNMIK në veri të Kosovës për zgjedhjet serbe. Komisioni Zgjedhor i Republikës së Serbisë ka marrë vendimin për zbatimin e zgjedhjeve lokale më 11 maj, "në territorin e krahinës autonome të Kosovës e Metohisë". Komisioni i Republikës serbe do t'i kryejë të gjitha punët e domosdoshme për zbatimin e zgjedhjeve në Kosovë, në pajtim me konkluzionet e qeverisë së Serbisë të 3 prillit "Për organizimin dhe zbatimin e zgjedhjeve për deputetë dhe zgjedhje lokale në Kosovë". Administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë thotë se, mbajtja e zgjedhjeve lokale të Serbisë në territorin e Kosovës paraqet shkelje të Rezolutës 1244. UNMIK-u ka njoftuar se është në pritje të instruksioneve nga Nju Jorku se si të veprohet, nëse Serbia përfundimisht do të vendosë t'i mbajë këto zgjedhje në Kosovë. Sipas qeverisë së Kosovës, kjo është e papranueshme pasi lejimi i zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë do të shënonte fillimin e zbatimit të planit të Beogradit për ndarjen e komuniteteve në Kosovë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›