E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Gati për hetim, por nuk i hap kutitë

Kryeministri Berisha u shpreh i gatshëm të shqyrtonte dy nismat ligjore, por pa cenuar, sipas tij, vendimet e gjykatave


TIRANË - Kryeministri Sali Berisha nuk ndryshon qëndrim kur bëhet fjalë për hapjen e kutive të votimit. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Berisha ka theksuar para deputetëve se është i gatshëm të trajtojë seriozisht dy nismat ligjore që Partia Socialiste dorëzoi zyrtarisht në Kuvend, pra, ngritjen e komisionit hetimor, por pa marrë parasysh kërkesën kryesore të opozitës, hapjen e kutive të votimit.


Sipas Berishës, kjo është një çështje gjyqësore sipas të njëjtit vendim të Gjykatës Kushtetuese për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar, që i referohet edhe kreu i opozitës, Rama. Sipas këtij të fundit, kërkesa për kutitë nuk ka lidhje me vendimet e gjykatave.


Por, ndryshe nga Rama, Berisha pretendoi dje të kundërtën, duke i sugjeruar sërish opozitës që për kutitë t'i drejtohet organit të akuzës. "Nismat e PS-së do të trajtohen me seriozitetin më të madh, me angazhimin më të madh, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit", - tha Berisha.


Marrëveshja


Berisha ka deklaruar dje se ndryshe nga sa pretendohet, ai ka qenë i gatshëm për marrëveshje me PS-në gjatë negociatave me Presidentin e Republikës, por brenda kuadrit kushtetues dhe ligjor.


"Në takimet me Presidentin e Republikës kam shkuar me vendimin më të prerë për të kontribuar në suksesin e tryezës. Thelbi i qëndrimeve që ne kemi mbajtur në atë tryezë ka qenë: ne jemi të gatshëm për çdo koncesion që ka të bëjë me zgjedhjet. Pra, listo çdo gjë përveç problemeve, që nuk kanë të bëjnë me ne.


Ato probleme nuk i kanë me ne, janë probleme me gjykatat. Nuk e konsideroj se mund të jetë në dorën tonë", - tha Berisha. Për këtë çështje, Kryeministri ka bërë publike edhe një pjesë të bisedimeve me anëtarët e delegacionit të Këshillit të Europës.


"Si Komitetit Presidencial, ashtu edhe ndërmjetësit e mëparshëm, të një profili të lartë, u është dukur shumë i arsyeshëm dhe është pranuar nga unë qëndrimi që të gjitha problemet që zoti Rama ka me fakte dhe prova dhe që implikojnë në një mënyrë ose në një tjetër hapjen e kutive, t'ia adresojë Prokurorisë së Shtetit, e cila në Shqipëri nuk është degë e Ekzekutivit.


Dhe Prokuroria e Shtetit ka të gjitha të drejtat ligjore për të ushtruar të gjitha kompetencat, të cilat ajo mendon se i duhen për të kompletuar hetimin. Kjo pranohej nga unë si koncesion, pavarësisht se ka skaduar çdo afat për hetimin ligjor të këtyre zgjedhjeve", - tha ai.


Vendimi i Kushtetueses


"Zoti Rama e quan të mirëfilltë dhe të pakundërshtueshëm interpretimin që ai i bën vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ai e lexon vendimin në një mënyrë të atillë që i jep 100 për qind të drejtë të hetojë pa asnjë kufizim. Mu drejtua, ç'është e vërteta, jo pak, por dy-tri herë.


"Më gjej t'i ku vendimi citon gjykatën" dhe u detyrova të marr vendimin, t'i lexoj paragrafin ku thotë: "se pakica ka të drejtë të pakufizuar me kushtin që të mos cenojë parimet bazë të Kushtetutës; se ka të drejtë, por të mos ndërhyjë, paragrafi tjetër, në aktivitetin juridiksional të gjykatave".


Gjykatat nuk janë për këngë, gjykatat janë për të dhënë vendime, gjykatat këtë aktivitet kanë. Pasi ia lexova, pati një ndërhyrje për mendimin tim logjike nga ana presidentit të Republikës, i cili i rikujtoi vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe i kujtoi se Gjykata Kushtetuese është garanti i Kushtetutës në Shqipëri", - tha Berisha, teksa vijonte të fliste për bisedimet me Presidentin e Republikës.


Berisha shtoi se qeveria nuk mund të bëjë betejë me Gjykatën Kushtetuese, edhe pse për hir të së vërtetës eksperienca në të shkuarën ka vërtetuar të kundërtën.


Komisioni i Venecias


Një tjetër pikë, të cilën Berisha preku dje në mbledhjen e grupit parlamentar ishte edhe Komisioni i Venecias. Para deputetëve demokratë, Berisha tha se qeveria që ai drejton nuk mund t'i drejtohet Komisionit të Venecias për vendimet gjykatës së "vet" "Berisha ofroi, Berisha ra dakord me ato sugjerime që u bënë nga ndërkombëtarë, nga ata që m'u kërkuan. Sa për dijeninë tuaj, pa shkuar në tryezën e presidentit m'u kërkua: A do të pranoje ti një të tillë për prokurorinë?


Pa asnjë hezitim dhe pa asnjë kusht, jam shprehur. Aty në tryezë u shtrua: A pranoni që t'i drejtoheni Venecias? Pa diskutim pranoj, nuk kam asnjë lloj problemi. Por, natyrisht, sipas procedurave. Nuk mund që qeveria t'i drejtohet Komisionit të Venecias për vendimet e Gjykatës së vet... Ky është kuadri i pavarësisë së gjyqësorit. Ky është thelbi i saj, nuk merret pavarësia e gjyqësorit nga qeveria, nuk cenohet, respektohet", - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›