Vendimi, Gramoz Ruçi kryetar i grupit të PS-së

Arta Dade, kandidate favorite për postin e Nënkryetarit të Kuvendit. Në garë të gjitha gratë e grupit të PS-së
TIRANË - Kreu i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, do të jetë dhe kryetari i grupit parlamentar i kësaj force politike. Megjithëse nuk ka kaluar ende për miratim në mbledhjen e grupit, kandidatura e Ruçit i është prezantuar dje shumicës së deputetëve socialistë gjatë takimeve që kanë zhvilluar me kryetarin Edi Rama deri në orët e vona të mbrëmjes.
Burime nga selia rozë kanë konfirmuar se kandidatura e Ruçit ka marrë pëlqimin e të zgjedhurve socialistë për të drejtuar grupin parlamentar, si gjatë kohës që do të qëndrojë jashtë Kuvendit, ashtu edhe kur ajo do të vendosë t'i kthehet jetës normale parlamentare.
Bëhet e ditur se emri i Ruçit ka qenë i imponuar për kryetarin Rama, të cilit i duhet një drejtues grupi që të ketë së pari përvojën e duhur për të drejtuar një grup parlamentar, por edhe autoritetin e nevojshëm për të mbajtur të bashkuar deputetët socialistë.
Faktikisht, zgjedhja e Ruçit në krye të deputetëve socialistë, ishte paralajmëruar që gjatë seancës së shkuar kur ai ishte përzgjedhur edhe si deputeti që mbajti fjalimin në emër të grupit. Megjithatë, miratimi i kandidaturës së Ruçit do të kalojë edhe një hap formal për ta institucionalizuar atë edhe në mbledhjen e grupit, që do të mbahet sot në mesditë.
Mbajtja e mbledhjes ditën e sotme është bërë e detyrueshme, për vet faktin se PS-ja duhet të përcaktojë së pari emrin e kryetarit të grupit për mbledhjen e konferencës se kryetarëve, që është thirrur sot nga kryetarja Topalli, si dhe të vendosë edhe për qëndrimin që do të mbajë për dy projektligjet e paraqitura nga vet socialistët. Në mbledhjen e sotme të grupit pritet të zgjidhen edhe drejtuesit e tjerë të tij, dy nënkryetarët dhe sekretari, emrat e të cilëve nuk janë bërë të ditur ende.
Po ashtu do të përcaktohen dhe drejtuesit e komisioneve të përhershme, kryetarët dhe nënkryetarët që i janë lënë opozitës. Në mbledhje pritet të bëhet edhe shpërndarja e deputetëve në komisionet e përhershme, ku për bazë do merret përvoja dhe formimi i tyre profesional.
Nga të njëjtat burime mësohet se është përcaktuar edhe emri i nënkryetares së kuvendit. Favorit për këtë post duket se është deputetja Arta Dade, e cila gjithashtu ka një përvojë të gjatë në jetën parlamentare. Në garë për këtë post, në fakt kane qenë të gjitha deputetet femra të grupit të PS-së.
Një pikë tjetër e rëndësishme e mbledhjes së sotme do të jetë dhe përcaktimi i hapit që do të mbajë PS-ja sa i përket bojkotit, megjithëse për të, çdo gjë do të varet nga ecuria e mbledhjes së konferencës së kryetarëve dhe gatishmëria e mazhorancës për t'i marrë në shqyrtim projektligjet e paraqitura prej socialistëve.