E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muret po rrëzohen

Pavarësia e Kosovës është një ngjarje shumë e rëndësishme, ajo ka luajtur një rol shumë të madh në stabilitetin e gjithë rajonit.

Ky qëndrim u dha nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ilir Meta, në një intervistë për Radio Kosovën.

Sipas tij, e ardhmja e rajonit qëndron te bashkëpunimi i ngushtë dhe pa paragjykime.

“Besoj se e ardhmja e rajonit tonë qëndron pikërisht te bashkëpunimi i ngushtë dhe pa paragjykime i të gjithë vendeve të rajonit, natyrisht këtu nuk kam se si të përjashtoj Shqipërinë dhe Serbinë - dy faktorë shumë të rëndësishëm në rajonin tonë”, tha Meta.

Ai tha se të dy vendet nuk duhet t’i referohen të kaluarës, sepse një gjë e tillë vetëm e ngadalëson integrimin në Bashkimin Europian.

Ndërsa, sa i përket problemit të Kosovës që ka në Veri, Meta tha se për stabilizim të kësaj situate kërkohet bashkëpunim, durim dhe dialog i vazhdueshëm.

“Përpjekjet e Qeverisë së Kosovës dhe të komunitetit ndërkombëtar për stabilizimin e situatës edhe në Veri të vendit dhe për integrimin edhe të zonave problematike, duhet të vazhdojnë në përpjekje edhe në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin ndërkombëtar, por edhe me komunitetet përkatëse”, tha ai.

Sa i përket vizitës që do të bëjë Meta në Beograd, ai theksoi që nuk do të jenë çështje diskutimi akuzat që i janë drejtuar Shqipërisë nga Serbia lidhur me “krimet” e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Jemi të bindur se kemi të bëjmë me akuza krejtësisht të pabaza dhe të pavenda, ashtu sikurse Shqipëria ka qenë gjithmonë e hapur për të bashkëpunuar me komunitetin ndërkombëtar në çdo drejtim, i cili veçse verifikon edhe një herë faktin që Shqipëria ka qenë dhe do të jetë një burim stabiliteti për të gjithë rajonin dhe jo një burim problemesh për të tjerët”, tha Meta.

Ai u shpreh optimist në përmirësimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë pasi që, sipas tij, përfundimi i punës në autostradën që lidh këto dy vende do t’i japë një ritëm të ri, një dimension të ri dhe do të sjellë rezultate të jashtëzakonshme në marrëdhëniet e këtyre dy vendeve.

“Unë besoj se në një të ardhme jo fort të largët kjo autostradë do të mbërrijë deri në Serbi dhe do të jetë një korridor i rëndësishëm rajonal, korridor paqeje, stabiliteti, zhvillimi dhe integrimi ekonomik”, tha Meta.

Ndërkaq, sa i përket liberalizimit të vizave, Meta tha se muret po rrëzohen një nga një dhe se në këtë mënyrë i gjithë rajoni merr një dimension të ri të komunikimit, të integrimit dhe kuptohet edhe të bashkëjetesës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›