E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Gati të krijoj maxhorancën e re

Kryeministri Sali Berisha, nga selia e PD-së deklaroi se ka gjithçka gati të krijojë maxhorancën e re. "Kam gjithçka gati për të krijuar maxhorancën e re, por do të pres rezultatet përfundimtare të KQZ-së. E madhe apo e vogël, fitorja është fitore", tha ai.
Kryetari i PD-së tha se të dhënat flasin qartas se maxhoranca aktuale ka të gjithë mandatet për të krijuar qeverinë. "Nuk kam fituar aq sa do doja, ndaj deklarova se do të zgjeroj koalicionin, do negociojmë kaolicionin", tha ai. Berisha tha se ai kërkon koalicion me forca politike dhe jo individë.
Berisha akuzoi kryesocialistin Rama se po përpiqet të bllokojë procesin e numërimit të votave. "Në 24 orët e fundit fallanga të krimit në PS të udhëhequr nga Rama po bëjnë çdo përpjekje për të bllokuar procesin e numërimit", tha ai. Më tej kreu i qeverisë tha se, "Dje pas mesnate, deputeti i PS-së Andis Harasani, në sjelljen e një banditi sulmon me karrige komisionerin e PD-së para kamerave, pasi ai po zbatonte ligjin", tha Berisha. Berisha tha se nuk do të ndryshojë rezultati i zgjedhjeve me protesta, siç pretendon PS-ja. Duke iu refereuar tensionimit në Fier, kryeministri tha se kishte urdhëruar largimin e komisionerëve të PD-së për të ulur tensionin. Sipas kryeministrit, natën e parëmbrëmshme komisionerët e PS-së refuzuan të numëronin votat e zonës së Bushatit, dhe PD-ja nuk bëri protesta, por ndoqi rrugën ligjore, dhe ia dorëzoi KQZ-së. Berisha tha se PS-ja kërkon të numërojë votat në Fier sepse i druhet rezultatit të vërtetë. Sali Berisha kërkoi nga mbështetësit e PD-së që të ruajnë qetësinë dhe gjakftohtësinë.
Duke iu referuar kandidatit për deputet të LSI-së, Dritan Prifti i cili ka deklaruar se do i japë votën koalcionit të djathtë nëse ia kërkon një gjë të tillë, Berisha tha "Dritan Prifti po kërcënohet në mënyrë të turpshme".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›