E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ, debate për shkarkimin e komisionerëve që bllokuan numërimin e votave

Bllokimi i numërimit të votave në disa KZAZ të qarqeve të vendit, e sidomos në Bushat të qarkut të Shkodrës, ka bërë që Komisioni Qendër i Zgjedhjeve të mbajë një mbledhje urgjente për ti dhënë një zgjidhje situatës. KQZ paraqiti një vendim, i cili lejonte ndërhyrjen e policisë së shtetit në ato vende numërimi ku është bllokuar procesi. Por kjo u kundërshtua ashpër nga socialistët, me argumentin që komisionerët të ktheheshin vetë me dëshirën e tyre. Vendimi parashikonte shkarkimin e të gjithë komisionerëve që janë larguar apo që kanë ndikuar për të bllokuar procesin e  numërimit të votave. Ndërkaq, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u dha kohë komisionerëve të KZAZ të Bushatit, në Qarkun e Shkodrës, të zhbllokojnë me konsensus procesin e numërimit të votave. KQZ ishte përgatitur për të marrë një vendim për shkarkimin e komisionerëve në këtë KZAZ, por më pas vendosën me shumicë votash për ti lënë më tepër kohë komisionerëve për të zhbllokuar situatën dhe për të vijuar me procesin e numërimit të votave. Në KZAZ e Bushatit, komisionerët e Partisë Socialiste kanë ngritur pretendimin se njëra nga kutitë e votimit ka vulën e thyer. Ndërkaq, mësohet se kreu i Komisionit Zgjedhor të Administrimit të Zgjedhjeve në Bushat, Engjëll Shuku është dorëhequr nga detyra duke mos pranuar të dorëzojë materialet deri sa të emërohet kryetari i ri i këtij komisioni. Mësohet se në Bushat mbetet ende i bllokuar procesi i numërimit ndërkohë që kanë mbetur edhe 40 kuti të panumëruara. Në mbledhjen urgjente të KQZ, anëtarët kanë kërkuar fillimin sa më të shpejtë të procesit të numërimit. Në mbledhje është propozuar dërgimi i njërit prej anëtarëve të KQZ në Bushat nëse nuk zhbllokohet procesi i cili është bllokuar që prej orës 8:00 të mëngjesit së djeshëm. Ndërkohë është bërë emërimi i kryetarit të ri të KZAZ dhe mbledhja për zëvendësimin e tij mbetet çështje kohe. Mësohet se në orët e vona të natës së djeshme, ka rifilluar procesi i numërimit të votave në KZAZ numër 41 të Bushatit, ku me ndërhyrjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe me propozimin e partive politike, u arrit që të kishte ndryshim në drejtimin e komisionit të kësaj zone. Kështu në vend ish kryetarit Engjëll Shuku të Partisë Socialiste, me miratimin e PS së Shkodrës u vendos në rolin e kryetarit Ylber Tahiri po i PS. Ndërkohë, në rolin e nënkryetarit dhe të sekretarit janë miratuar Artrida Ferketi dhe Nesti Kiri të Partisë Demokratike. Në këto momente, komisioni sapo ka marrë përsipër detyrën dhe po organizon rifillimin e procesit të numërimit të votave në këtë KZAZ, në të cilën nga 79 kuti votimi, kanë mbetur pa u numëruar edhe 40 të tilla. Ndërkohë, gjatë mbledhjes së djeshme të KQZ, përfaqësuesit socialist akuzuan komisionerët e Partisë Demokratike se po mundohen të bllokojnë procesin numërimit të votave në ato KZAZ që është në avantazh Partia Socialiste. Edhe nga selia rozë u kanë bërë thirrje komisionerëve demokrat të kthehen në vendin e numërimit të votave. Bllokim, apo ndërprerje të numërimit të votave ka pasur në KZAZ të qarkut të Dibër, Kukës, Vlorë, Fier, në zonën e Paskuqanit në Tiranë etj. Bllokimi i procesit të numërimit të votave në këto qarqe përgjithësisht ka ndodhur për arsye teknike, si humbje vulash, vulosje vetëm me një vulë fletës së votimit, debati mbi vlefshmërinë e fletëve të votimit, lodhje fizike të komisionerëve. Por sipas informacioneve nga KQZ, në shumë KZAZ ka pasur ndërhyrje të militanteve të PS-PD, duke e vështirësuar procesin. Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme KQZ ka informuar opinionin publik herë pas here mbi ecurinë e procesit të numërimit të votave dhe problemet që i shoqërojnë. Sipas zëdhënësit të KQZ, Leonard Olli, procesi i numërimit të votave, edhe pse me vonesa dhe probleme të shumtë, po ecën normalisht pa e cenuar rezultatin real të zgjedhjeve. Olli informoi edhe për rezultatet paraprake të zgjedhjeve, ku dominoni PS-PD me një diferencë të vogël votash, megjithatë rezultati zyrtar do të publikohet pasi të jenë numëruar të gjitha kutitë e votimit. Olli gjithashtu informoi se procesi i numërimit të votave në VNV e ngritur pranë Komisionit Zonal të Administrimit Zgjedhor nr. 58, të vendosur në komunën e Paskuqanit, të Qarkut të Tiranës, vazhdon normalisht, në qetësi e ngadalë.
Last Updated on Wednesday, 01 July 2009 17:23

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›