Përfundon numërimi i votave në Kukës dhe Sarandë
Në rrethin e Kukësit përfundoi procesi i numërimit të votave, ku nga 39400 të regjistruar, votuan në 28 Qershor 23.167 zgjedhës. Prej tyre, 14.134 vota, ose 61,27% janë për PD, 7899 vota, ose 34,10% janë për PS, 1367 zgjedhës votuan për PSD, ndërsa partitë e tjera kanë marrë numër të papërfillshëm votash.
Nga 100 qendra votimi në këtë rreth janë numëruar 99, ndërsa një qendër votimi në fshatin Borje nuk është numëruar për shkak të mangësive teknike, ndaj nga KZAZ është vendosur që kjo kuti ti dërgohet KQZ, tha për ATSH kryetari i KZAZ në rrethin e Kukësit, Ramiz Lala. Në shkallë Qarku, Partia Demokratike ka fituar 65,10% të votave dhe Partia Socialiste 31,20% të votave. Qarku i Kukësit do të ketë 4 deputetë dhe në bazë të rezultateve të votimit 3 do të jenë të PD: Flamur Noka, Besnik Dushaj dhe Fatos Hoxha, ndërsa Asllan Dogjani i PS. Edhe në Sarandë ka përfunduar plotësisht procesi i numërimit të votave në të 3 KZAZ e ngritura, ku votuan në 28 Qershor, 31.155 zgjedhës. Përfaqësuesi i KQZ për nënprefekturën e Sarandës, Bujar Shero pohoi se, procesi i numërimit të votave në tri KZAZ përfundoi plotësisht dje, rreth orës 13.00. Në KZAZ nr. 65, që përfshin Bashkinë e Konispolit, komunën e Ksamilit, Livadhjasë, Alikos, Markatit, Xarrës e Dhivrit nga 10.027 vota, PS ka fituar 3734 vota, PD 3231 vota, PBDNJ 1820 vota, LSI 308 vota, PDI 158, PSD 158, ndërsa forcat e tjera politike nuk kanë arritur të kalojnë mbi 80 vota. Në KZAZ nr. 66 nga 7479 vota në Bashkinë e Delvinës dhe komunave të Mesopotamit, Vergoit dhe Finiqit, PS ka fituar 2865 vota, PD 2122 vota, PBDNJ 1012 vota, PDI 464 vota, LSI 141 vota dhe LDLNJ 111 vota. Në KZAZ nr. 64, që përfshin Bashkinë e Sarandës dhe komunën e Lukovës nga 13649 vota, PS ka fituar 6694 vota, PD 3706 vota, PBDNJ 934 vota, PDI 448 vota, PDK 413 vota, PAA 287 vota, LSI 201, PSD 144 vota, G99 118 vota. Në zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit në nënprefekturën e Sarandës të qarkut të Vlorës, u thirrën në votime 94 mijë zgjedhës të cilët votuan në 138 qendra votimi. Ndërkohë, procesi i numërimit të votave ka përfunduar edhe në Berat, por ka mbetur vetëm një kuti, e cila është cilësuar si e dyshimtë. Kutia e fundit në Berat do të hapet vetëm pas një vendimi të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Komisionerët ndodhen të mbyllur në KZAZ në pritje të vendimit dhe nuk japin asnjë sqarim tjetër. Ndërkohë mësohet se Partia Socialiste do të kërkojë rivlerësimin e fletëve të shpallura të pavlefshme.