E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Gati të qeveris me Ilir Metën

Nga Tema/Opinion

Kryeministri, Sali Berisha, tha dje në emisionin “Opinion” në TV “Klan” se është i gatshëm që të bëjë koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim pas zgjedhjeve. Pas disa rezultateve të fundit që e paraqesin LSI si një parti kyçe për rezultatin zgjedhor dhe koalicionet paszgjedhore, Berisha ka shprehur gatishmërinë. Berisha tha se vetëm me Ramën nuk bën aleanca.

Berisha e quajti hetimin e prokurorisë për çështjen e Gërdecit si një hetim politik, ndërsa shtoi se Gërdeci është si një gjethe që nuk mund të mbulojë trupin, që me këtë rast i bie të jetë puna e qeverisë.

“Ishte një aksident i parandalueshëm plotësisht. Të gjitha përgjegjësitë që më ka takuar të nxjerr, i kam nxjerrë në kohën e duhur. Përgjegjësitë përfundimisht ligjore i takon t’i nxjerrë sistemi i drejtësisë, të cilën në mënyrë absolute jemi angazhuar me të gjithë potencialin si qeveri për ta ndihmuar.

Kemi pasur një objeksion madhor: kur u akuzua Mediu një vit më parë se ka shmangur ushtrinë, kjo ka qenë një gjë tmerrësisht e rëndë. Nuk është çështja e personit, po e akuzove tjetrin për atë që nuk është, por çështja është e hetimit, sepse në këtë moment bën një devijim madhor të hetimit. Kur u thua shqiptarëve apriori se ka shmangur ushtrinë, në një kohë kur janë 32 dokumente, secili prej tyre me 4-7 firma ushtarakësh bën një akt të shëmtuar politik dhe ti shkatërron hetimin.

U hetua një vit në atë pistë dhe tani kthehet prapë te fjalët që ka thënë në fillim. Në momentin që thua je shmangur, do bësh të pafajshmin të fajshëm. Ky është një aksident tragjik i parandalueshëm”, - tha Berisha.

Sipas tij, prokuroria po bën betejë politike ndaj mazhorancës në shumë raste.

“S’ka betejë më të dështuar se beteja politike e prokurorisë. Ata që përpiqen marrin vetëm turpin dhe dështimin. A mund të akuzohet ministri se ka gënjyer qeverinë, ndërkohë që nuk ka asnjë provë. Këto tre vjet është periudha e vetme që janë dënuar zyrtarë. 95% e atyre dosjeve kanë shkuar nga kjo qeveri në prokurori, kanë shkuar nëpërmjet policisë kriminale dhe zyrave antikorrupsion”, - tha Berisha.

Ndërsa duke folur për rastin Pango, Berisha tha se ai u përdhunua në shtëpinë e tij. Berisha tha se përgjimi i tij bie ndesh me Kushtetutën.

“Sot, do flas lirshëm, se sot parlamenti ka votuar dhe ai ka marrë masën. Dy fenomene janë shfaqur në këtë shoqëri dhe fenomene të veçanta: së pari, një proces linçimi, por të jeni të sigurt se nuk jam kurrë dakord të linçosh një qenie njerëzore, në një vend ku ka ligje, rregulla. Pse u ndërmor linçimi? Ai që organizoi kurthin, ai organizoi linçimin dhe ai ka vetëm një emër, është kryetari i PS që shkruan skenarin e “Fiksit”. Sot e kam të lirshëm të flas se Pango mori atë që meriton. Shtëpia është shtëpi. Shtëpia e tjetrit nuk përdhunohet. Asgjë më të keqe s’mund t’i bësh njeriut pas ekzekutimit se sa ta përgjosh në shtëpi. Shtëpia e një qytetari, s’mund të përdhunohet”, - tha Berisha.

“Të filmosh në shtëpinë e tjetrit, s’ka dhunim më të madh. Bëri apo s’bëri, ti s’ishe aty, se ajo shkoi me gjysmë gjoksi jashtë. Ajo shkoi me mision për të filmuar në shtëpi. Nëse pranojmë një gjë të tillë, pranojmë krijimin e bandave televizive gjobëprerëse, të cilët do të krijojnë banda, siç krijuan në Vlorë”, - vijoi më tej kryetari i Partisë Demokratike.

Berisha komentoi dhe çështjen e fotove nudo të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama.

“Atëherë kisha 1 mijë akuza që opozita bën seks kolektiv. Si të duket ty një kryeministër që ka dalë nudo, çfarë imazhi do lërë në botë?” - tha Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›