E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci edhe më i rëndë si histori jotragjike

Nga Mero Baze

Prokuroria e Përgjithshme ka dorëzuar në Gjykatën e Lartë dosjen hetimore për tragjedinë e Gërdecit, të nesërmen e një sulmi të paprecedent që kryeministri Berisha bëri ndaj kryeprokurores, Ina Rama, dhe trupit hetues, për këtë dosje. Akuzat risollën në kujtesë të publikut letrën e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, në verën e vitit që shkoi, e cila i tregonte kryeprokurores, Ina Rama, se në çfarë piste duhet të hetonte për Gërdecin dhe këtë e bënte duke kërcënuar se, nëse zonja Rama nuk i bindej Kuvendit, ky i fundit mund të mos dorëzonte imunitetin e Mediut.

Ky proces gjyqësor është historik për Shqipërinë, jo pse do të dënojë apo falë Fatmir Mediun, as edhe pse fillon paralelisht me një fushatë elektorale, por se për herë të parë sistemi ynë gjyqësor do të provojë fuqinë e tij të gjykimit të pavarur dhe të vendosë autoritetin e drejtësisë në Shqipëri.

Anëtarët e nderuar të Gjykatës së Lartë, përpara se të shfletojnë dhe të gjykojnë mbi këtë dosje, duhet të bëjnë një diferencë të madhe dhe të paramenduar mes tragjedisë së banorëve të Gërdecit pas shpërthimit dhe tragjedisë së shtetit para shpërthimit të Gërdecit. Ky është një mision shumë i vështirë, që kërkon përgjegjshmëri të lartë. Personalisht nuk kam asnjë fije respekti për Fatmir Mediun, dhe askënd nga banda e atyre që janë para drejtësisë. Por faji i tij më i madh nuk është tragjedia, por kapja e shtetit prej mafies. Fatmir Mediu, megjithëse është përgjegjës për vdekje fëmijësh, për vdekje nënash e baballarësh, për shkatërrim shtëpish dhe plagosje banorësh, nuk duhet gjykuar për ato. Për ato le të gjykohen dhe të kalben në burg ata që duhet të merreshin me sigurinë e jetës së qytetarëve. Fatmir Mediu, para se të fuste në varre 26 vetë dhe miliona euro, ka futur në kurthin e mafies shtetin shqiptar. Ai duhet gjykuar për standardin që ai ofronte për shtetin shqiptar si bashkëpunëtor i një grupi mafioz që është ilustrimi më i mirë i kapjes së shtetit. Në asnjë rast tjetër në historinë e këtij vendi pas vitit 1990 nuk kemi një rast, ku tragjedia e një komuniteti që humb 26 vetë, 300 shtëpi dhe pëson miliona euro dëme, është e lidhur direkt me kapjen e shtetit nga mafia, dhe me një histori të pastër korrupsioni. Te kjo histori, si në një film hollivudian, shfaqet djali i kryeministrit si ndërmjetës i trafikantëve, ministri i Mbrojtjes si lobues i kontratave fitimprurëse dhe vdekjeprurëse, kryeministri si i paditur për një fabrikë ku punonte gjysma e njerëzve që ai njeh në rrethin e tij familjar, dhe në fund mbyllet me një tragjedi. Kjo histori ishte shumë e rëndë edhe sikur të mos vdiste askush, edhe sikur të mos shpërthente asgjë. Kjo histori, edhe sikur të mos kishte asnjë pikë gjak sipër saj, është një akuzë e rëndë për profilin e kryeministrit dhe shtetin mafioz që po ndërton. E shtuar me 26 të vrarë e qindra të plagosur, kjo histori bëhet emocionale, e dhimbshme dhe shpërthyese. Por për të kuptuar shtetin që po ndërtojmë, duhet të kemi qetësinë ta shikojmë Gërdecin edhe si histori jotragjike. Si histori jotragjike, ajo është shumë e errët, por dhe po kaq njollosëse për qeverisjen e duarve të pastra. Në qendër të kësaj historie është një trafikant armësh ose së paku i akuzuar kështu prej Sali Berishës vite më parë, kur ishte në opozitë. Ky person, i quajtur Mihal Delijorgji, bën ortak në disa biznese të tij njeriun më të afërt të djalit të kryeministrit, Rrahman Selmanllarin. Nën shoqërinë e përditshme të djalit të kryeministrit me Fatmir Mediun dhe një amerikan të shpikur si “demontues”, arrihet të lobohet një marrëveshje, sipas së cilës qeveria shqiptare autorizon shoqërinë e përbashkët mes Delijorgjit dhe një amerikani të demontojë predha në një repart ushtarak afër Tiranës. Qeveria refuzon ta miratojë ofertën e Fatmir Mediut, pasi binte në kundërshtim me ligjin. Mediu nuk tërhiqet dhe, nën shoqërinë e përditshme të djalit të kryeministrit, i cili dukej sikur kishte marrë zyrë në Ministri të Mbrojtjes, riformulon kërkesat ligjore duke i përshtatur ato me legjislacionin dhe në mars të vitit 2007 arritën të miratonin në qeveri një vendim, i cili u jepte atyre të drejtë të bënin kontratën. Dhe kontratën e bënë pikërisht me ata, të cilët e kishin ideuar këtë biznes, Mihal Delijorgji dhe njeriu i afërt i djalit të kryeministrit. Pra, gjithçka funksionoi perfekt. Trafikantët kapën djalin e kryeministrit dhe ia arritën të marrin kontratën. Ministrat e Berishës i raportonin djalit të kryeministrit në vend të tij. Faksi i nisur nga zyra e Aldo Bumçit në emër të Shkëlzenit është një dëshmi e keqkatandisjes së shtetit shqiptar. Më tej, fabrika e vdekjes nisi punën. Ushtarakët e lartë i hapën udhë nën presion një skandali që ishte dhe financiar, dhe politik, dhe ushtarak, dhe njerëzor. Vështrimi i egër i Fatmir Mediut nën shoqërinë e djalit të kryeministrit, një sërë emrash të botës kriminale, të punësuar prej tij si shefa në këtë operacion, e bënin të frikshme gjithë historinë. Kjo bëri që rreth 200 gra dhe fëmijë deri në moshën 13 vjeç të punonin mes predhave dhe barutit për muaj të tërë. Asnjë i siguruar, asnjë i licencuar për atë punë. Dera e punishtes qëndronte e mbyllur si në një burg mesjetar dhe të vetmit që mund të hynin pa leje ishin njerëzit e djalit të kryeministrit. Ai punësoi atje baxhanakun e kryeministrit si përgjegjës për furnizimin, dhe tre-katër njerëz të tjerë në sektorë delikatë. Të afërmit e njeriut të tij, Selmanllarit, punonin po ashtu aty duke ndërtuar fabrikën dhe duke u marrë me transportin. Gjithçka ishte nën kontrollin e tyre. Oreksi i tyre u rrit ndjeshëm, kur gjatë rrugës hasën në një biznes tjetër, atë të ripaketimit të fishekëve kinezë që niseshin drejt Afganistanit. Kontraktori shqiptar i këtij biznesi, Kosta Trebicka, u zbua me dhunë nga kjo kontratë dhe i njëjti grup nisi të bënte transportin dhe ripaketimin deri në Rinas. Sikur një vit më pas, më 15 mars të vitit 2008, të mos kishte ndodhur ajo që ndodhi, askush nga ne nuk do të kishte koshiencën e duhur për të shkruar për këtë histori, e cila është shumë kriminale, shumë mafioze dhe shumë turpëruese për kapjen e shtetit nga mafia. Unë jam një nga ata gazetarë që e ndiqja këtë histori pa shpërthyer Gërdeci dhe e kisha shumë të vështirë t’ua shpjegoja kolegëve të mi, të cilët më ndërprisnin gjithmonë te fjalia e dytë, pasi iu dukej histori konspirative. Kjo në të vërtetë është më e dhimbshme për shtetin shqiptar dhe të ardhmen e tij sesa vetë tragjedia që ndodhi. Tragjedia është e dhimbshme, se mori jetë njerëzish dhe shkaktoi dëme, por ajo që po ndodhte dhe konsolidohej para tragjedisë ishte një tumor në trupin e shtetit tonë, i cili, nëse nuk shkulet, do të lëshojë metastaza të reja dhe do të kalbë trupin e tij. Ndaj Fatmir Mediu duhet gjykuar, jo për tragjedinë, jo për vrasjet, jo nën emocionet e fëmijëve që nuk janë më dhe nënave me të zeza, por nën qetësinë e duhur të një drejtësie që shikon se një ministër i këtij vendi, shok, mik dhe vëlla me gjithë trafikantët e këtij vendi, që nga ata të drogës e deri tek ata të armëve, po çonte shtetin tonë drejt humnerës. Ky është gjyqi që i duhet bërë këtij dordoleci, i cili minimalisht nuk duhet të guxojë të shfaqet më në borderotë e shtetit shqiptar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›