Berisha: Gati të takoj Ramën
• Kryeministri Sali Berisha ka lënë të hapur dje një takim me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama lidhur me reformën zgjedhore.Adi ShkëmbiDuke folur gjatë një konference për shtyp, kreu i qeverisë tha se do të ishte gati të takohej me liderin e opozitës në funksion të arritjes së një marrëveshje, për një nga kushtet e anëtarësimit në NATO, atë të reformës zgjedhore. Sipas Berishës kërkesat e opozitës lidhur me reformën zgjedhore janë plotësisht legjitime dhe maxhoranca është pro plotësimit të këtyre kërkesave. "Opozita pretendon kartat e identitetit dhe ka 100 për qind të drejtë në pretendimin e saj, sikundër ky është edhe pretendimi ynë, si edhe pasaportat, listat elektronike, antidushkun. Ne të gjithë jemi të bashkuar në këto kërkesa. Ndaj jam plotësisht dakord të ulem edhe me zotin Rama. Në këtë çështje, opozita ka qenë, është dhe do të mbetet një ndër zërat më kryesorë", theksoi dje Kryeministri Berisha. "Më lejoni të theksoj se unë jam shumë optimist për reformën zgjedhore. Së dyti, unë kam dhe do të kem mirëkuptim për kërkesat e opozitës. Unë jam optimist për këtë reformë, sepse të dy partitë e mëdha dhe partitë e tjera janë të vendosura për një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm", u shpreh më tej Kryeministri Berisha. Sipas kreut të qeverisë, dy forcat më të mëdha politike, por edhe partitë e tjera nuk kanë dallime të rëndësishme në qëndrimet e tyre lidhur me pikat kryesore të kësaj reforme. "Unë nuk kam dëgjuar as edhe një kërkesë të formuluar jashtë standardit nga forca politike kryesore e opozitës apo forca të tjera, kështu që ulem me sensin e mirëkuptimit me to. Unë nuk di të kemi dallime substanciale me njëri-tjetrin, por edhe nëse ka unë jam i përgatitur për kompromis, pasi zgjedhjet janë si të maxhorancës dhe të opozitës", theksoi më tej Kryeministri Berisha. Megjithëse reforma në sistemin e drejtësisë dhe ajo zgjedhore, janë dy kushtet e Brukselit për të marrë ftesën për në NATO në prill në Samitin e Bukureshtit, duket se klasa politike shqiptare ka gjetur mirëkuptimin vetëm në reformën në sistemin e drejtësisë. Ndonëse ka pasur deklarata dhe takime të shumta për reformën e sistemit zgjedhor, ende nuk ka asnjë marrëveshje konkrete mes dy partive të mëdha dhe partive të vogla. Dy pikat që ndajnë forcat politike në këtë reformë janë pikërisht përcaktimi i sistemit me të cilin do të votohet në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të ardhshëm dhe përcaktimi i pragut elektoral.